“…Se ai zhyti në Jordan vdekjen e çdëgjimit, gjembin e gënjeshtrës dhe shoqërinë e Ferrit, dhe i dhuroi botës pagëzim shpëtimi.”, thuhet në sherbesat e ditës së sotme, e cila është një nga të kremtet më të ndristshme të Kishës sonë. Etërit e Kishës, shën Vasili i Madh, shën Grigor Teologu, e quajnë pagëzimin e krishterë: “Çlirim nga robëria. Vdekje e mëkatit. rilindje e shpirtit, këmishë e ndritshme, shkaktare e trashëgimit të Mbretërisë së Qiejve, dhunti e birësimit. Bazë e besës, çelës të Mbretërisë së Qiejve. Mes acarit, mijëra e mijëra njerëz mblidhen pranë ujërave për të marrë bekimin që ato shpërndajnë dhe për t’u ndriçuar nga drita e mrekullueshme që shperndan ky panair i madhërishëm. Atje ku është mundësia, besimtarë hidhen me guxim mes ujërave të bekuara nga Pagëzimi i Krishtit, për të kapur kryqin, si një bekim që zgjat një vit të tërë. Por edhe në të gjitha kishat e tjera ata afrohen me besë dhe të ndriçuar nga gëzimi i festës për të mbushur ujin me të cilin do të bekojnë shtëpitë dhe do e kenë si burim shpëtimi e shërimi.
Në Tiranë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Liturgjia Hyjnore panegjirike u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin dhe Episkopin e Bylisit, Astin, si dhe klerikë të Kryepiskopatës. Në fund të Liturgjisë, Kryepiskopi kreu Bekimin e madh të Ujit. Ai theksoi, faktin se kjo ditë është njëkohësisht shfaqja dhe nisja e misionit shpëtimtar të Zotit tonë Jisu Krisht, shfaqja e Shpirtit të Shenjtë dhe bekimi i gjithë krijesës dhe tërë botës. Pastaj uji u shpërnda në cisternat jashtë kishës, nga morën bekimin e kësaj dite gjatë gjithë ditës mijëra e mijëra besimtarë të kryeqytetit.