TË DIELËN E MADHE dhe
TË SHENJTË TË PASHKËS
Në Liturgji
Sipas Joanit
Në fillim ishte Fjala, edhe Fjala ishte me Perëndinë, edhe Fjala ishte Perëndi. Kjo ishte që në fillim me Perëndinë. Të gjitha u bënë me anë të saj; edhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë. Në atë ishte jetë, edhe jeta ishte drita e njerëzve. Edhe drita ndriçon në errësirë edhe errësira nuk e kuptoi. Qe një njeri i dërguar nga Perëndia, me emrin Joan. Ky erdhi për dëshmi, që të dëshmojë për Dritën, që të besojnë të gjithë me anë të tij. Nuk ishte ai Drita, por qe dërguar që të dëshmojë për Dritën. Ishte Drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri që vjen në botë. Ishte në botë, edhe bota u bë me anë të tij; po bota nuk e njohu atë. Erdhi në të tijat, edhe të tijtë nuk e pritën atë. Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie, atyre që besojnë në emrin e tij. Ata nuk lindën prej gjakrash, as prej dëshirimi mishi, as prej dëshirimi burri, po prej Perëndie. Edhe Fjala u bë mish, edhe banoi ndër ne, – dhe pamë lavdinë e tij, lavdi si të vetëmlinduri prej Atit, – plot me hir e me të vërtetë. Joani dëshmon për të, edhe thirri duke thënë: “Ky është ai për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje, është më i lartë se unë, sepse ishte përpara meje”. Edhe të gjithë ne morëm nga plotësia e tij, edhe hir mbi hir. Sepse ligji u dha me anë të Moisiut, po hiri dhe e vërteta u erdhën me anë të Jisu Krishtit.