Universiteti i Korçës e nderon kreun e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
të parin me këtë titull
 
 
    Në një atmosferë të mrekullueshme dashurie dhe besimi, surpriza e këndshme shndërrohet në mallëngjim dhe mirënjohje. Mikpritje e ngrohtë dhe një ngjarje historike jo vetëm për një qytet.

    Të enjten në mesditë, më 15 janar, Universiteti i Korçës “Fan S. Noli”, i dorëzoi Kryepiskopit Anastas, titullin Doktor “Honoris Causa”. Ky ishte titulli i parë që Universiteti i Korçës jep në historinë e tij. Në ceremoninë e rastit, përveç klerikëve dhe shumë besimtarëve, merrnin pjesë edhe Prefektja e Korçës, znj. Elfrida Zefi, Kryetari i Qarkut të Korçës, z. Ilia Milo, Kryetari i Bashkisë, Korçë, z. Niko Peleshi, Rektori i Universitetit të Korçës, z. Gjergji Mero etj.

    Rektori e vlerësoi lart figurën e Kryepiskopit Anastas dhe e prezantoi para të pranishmëve, duke lexuar biografinë si edhe duke përmbledhur veprat kryesore të Fortlumturisë së Tij. Ai tha se “Anastasi do të jetë prijësi i të gjithë titujve që do të japë ky universitet dhe është një nder për Universitetin që mban emrin e Fan Nolit të nderojë Kryepiskopin Anastas, të parin me këtë titull. Më pas, e mori fjalën Prefektja znj. Elfrida Zefi, e cila e cilësoi një erudit dhe personalitet të shkëlqyer figurën e Kryepiskopit Anastas. Kryetari i Bashkisë Niko Peleshi e falënderoi për kontributin në bashkekzistencën dhe tolerancën fetare.

     “Pohoj se më erdhi i papritur lajmi që Universiteti i Korçës vendosi të më japë titullin doktor nderi. Ju falënderoj të gjithëve nga thellësia e shpirtit. Lentja zmadhuese e fisnikërisë dhe e dashamirësisë të parafolësve i dha më shumë përmasa kontributit tim. Ndaj sërish ju falënderoj të gjithëve nxehtësisht. Dashuria dhe vlerësimi juaj ofrojnë me të vërtetë mbështetjen e nevojshme në përpjekjen që na ka ngarkuar Perëndia” – nënvizoi gjatë fjalës përshëndetëse Kryepiskopi.

    Më tej, ai mbajti edhe temën me titull “Vlerat mbarënjerëzore të feve”, duke theksuar se: “është e nevojshme të bëhet me gjykim të thellë përafrimi dhe bashkekzistenca paqësore, pa u sakrifikuar personaliteti i veçantë i grupimeve dhe i popujve. Të kërkohet një shteg i ndërmjetëm dhe të qartësohet “përsëri dhe përsëri” karakteri, qëllimi dhe shpresa e këtij dialogu”.

    Në fund të fjalës së tij, Kryepiskopi Anastas tha: “Unë gjithmonë them se jam një shqiptar i vogël nga Korça. Tani do ta plotësoj, duke thënë se jam edhe një student i ri i Universitetit të Korçës”.

    Kërkesa për dhënien e titullit Doktor “Honoris Causa” u bë në shkurt 2007 nga një grup prej më shumë se 190 intelektualësh nga qyteti i Korçës. Senati i Universitetit “Fan Noli” e pranoi këtë kërkesë dhe i propozoi Këshillit të Kualifikimit Shkencor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhënien e këtij titulli që u miratua nga Këshilli i Kualifikimit Shkencor në 27 korrik 2007 me Kryetar (në atë kohë) Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Genc Pollo.