Me një ceremoni të ngrohtë Trupi Akademik dhe studentët e Universitetit të Thrakës “Demokriti” të Greqisë, nderuan Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasin, me rastin e akordimit  të titullit “Honoris Causa” i këtij Universiteti. Ceremonia e dorëzimit të titullit u zhvillua të hënën, 31 mars 2009, pasdite, në amfiteatrin qendror të Universitetit, në Komotini. Kryepiskopin Anastas e shoqëronte Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri.
 
    Salla  e universitetit, ishte mbushur si asnjëherë. Në ceremoni merrnin pjesë profesorati, studentë, gazetarë, intelektualë të gjithë zonës së Thrakës etj. Ata ndoqën me interes të veçantë të gjithë veprimtarinë, me gjithë zgjatjen përtej parashikimeve.
 
    Për të nderuar Kryepiskopin Anastas kishin ardhur Mitropolitët e Komotinisë Dhamaskini, i Ksanthit, i Aleksandropolit, i Kavallës, i Nevrokopit, autoritetet shtetërore e lokale, Myftiu i Komotinisë etj.
 
    Ceremoninë e hapi Rektori i Universitetit Demokritian të Thrakës, z. Konstandinos Simopoullos, Profesor i Kirurgjisë, i cili foli me një respekt të thellë dhe mirënjohje të botës intelektuale për punën dhe veprën e Kryepiskopit Anastas. Pasi i uroi me fjalë shumë të ngrohta mirëseardhjen në Thrakë, rektori tha veç të tjerash se, kjo mënyrë jetese dhe pune me vetësakrifikim të painteres, frymëzohet kryesisht nga dashuria për Perendinë dhe për njeriun. “Në një kohë kur rreth nesh vihen në dyshim vlerat dhe zhvlerësimi i figurave është një fenomen i rëndomtë, Kryepiskopi Anastas përbën përjashtimin pozitiv”, theksoi ai ndër të tjera, për të vazhduar më tej me nderin që i bëhet universitetit dhe gjithë zonës, duke pasur ne gjirin e stafit akademik një personalitet si Fortlumturia e Tij.
 
    Një atmosferë të veçantë përcolli edhe leximi i mesazhit të dërguar me këtë rast nga Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu I, të cilin e përfaqësonte Mitropoliti i Komotinisë.
 
    Vendimin e Departamentit të Historisë dhe Etnologjisë, si edhe atij të Gjuhëve, Filologjisë dhe Kulturës së Popujve të Detit të Zi, e komunikoi Kryetari i këtij të fundit, Profesor i së Drejtës Penale, z. Stefanos Pavllos. Mes të tjerash  theksoi se nga ky vendim i Departamenteve të tyre për nderimin e Kryepiskopit Anastas “Honoris Causa” (Doktor Nderi) dhe pranimi prej tij, nderon vetë Universitetin tonë. Me respekt te veçantë z. Pavllos iu referua jetës së Kryepiskopit, respektit që ai tregon për çdo figurë njeriu dhe më gjerë. Ky është direkt mësimi më i vyer për pedagogët dhe studentët tanë, të cilët pikërisht e kanë objekt të studimeve dhe punës së tyre kërkimore. Këtu veçohet shembulli që Kryepiskopi ka treguar në krye të Kishës në Shqipëri, duke kontribuar për bashkejetesën ndërfetare dhe paqtimin e Ballkanit.
 
    Për jetën dhe veprën e Kryepiskopit Anastas  foli Profesori i Paleografisë, Kryetar i Departamentit të Historisë dhe Etnologjisë, z. Jorgo Papazoglou. I gjithë publiku u njoh me një dëshmi të gjallë të vlerave të njeriut që i është dhënë tërësisht Krishtit. Kudo ku Kryepiskopi punoi; në Afrikë, në Greqi dhe veçanërisht në Shqipëri, në Kishë apo në auditoret e Universiteteve, kudo manifestoi vlera të veçanta, origjinalitet, dashuri të pakufishme.
 
    Gjatë veprimtarisë u shfaq për të pranishmit një dokumentar i shkurtër filmik nga vepra e jashtëzakonshme e ringjalljes së besimit Orthodhoks në Shqipëri.
 
    Pas aktit të dorëzimit zyrtar të dekoratës dhe leximit të vendimit të dy Deparamenteve, e mori fjalën Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas. Ai mbajti ligjëratën me temë: “Terrorizmi dhe frika – Korelacione religjioze”. Bëhet fjalë për një kumtesë aq aktuale, ku ligjëruesi befasoi edhe një herë publikun me nivel të lartë të pranishëm në sallë, me informacionin e gjerë të zhvillimeve në këtë fushë: me analizat shkencore që i bëhen fenomenit, përqasjet politike në mbarë botën dhe ndihmën që thirren të japin komunitetet e të gjitha besimeve për promovimin dhe ruajtjen e paqes. Edhe një herë tjetër Kryepiskopi i mëshoi idesë së tij që tashmë është bërë argument doktrinal në shumë tekste mbarëbotërore që i referohen kësaj çështjeje, se “…vaji i fesë nuk duhet përdorur për të nxitur zjarret e luftës, por për të shëruar plagët e konflikteve…”.
 
    Për qëndrimin e Kishës Orthodhokse mbi këto çështje Kryepiskopi Anastas theksoi se kemi detyrim nga besimi ynë që të duam pa asnjë ekuivok çdo krijesë njerëzore, të respektojmë çdo person apo komunitetet pavarësisht nëse beson dhe në çfarë beson. “Frikën e mundim me Dashuri”, ishte përfundimi i fjalës së Fortlumturisë së Tij.
 
    Ceremonia dhe e gjithë vizita e Kryepiskopit Anastas në Thrakë u ndoq me vëmendje të veçantë nga mjetet e informimit publik dhe gazetarët e zonës dhe korrespondentët e mediave kombëtare.
 
    Me rastin e qëndrimit në Thrakë Kryepiskopi kreu vizita vëllazërore dhe u gëzua me sukseset e kishës lokale, në mitropolitë e Komotinisë, të Ksanthit dhe Aleksandropolit.
 
Korrespondent  i “NGJALLJA”