Duke lënë Tiranën, apo enori të mëdha qytetesh, dhe duke treguar edhe një herë tjetër në fakt kujdesin për gjithë Kishën, të cilës i ka falur gjithë dashurinë, mundin dhe kohën e tij për 19 vjet me radhë, edhe këtë vit Kryepiskopi Anastas zgjodhi të kremtojë Fjetjen e së Tërëshenjtës Mari në periferi. Fortlumturia e Tij në atmosferën e bukur që krijon kjo e kremte, ishte për tri ditë në disa zona të Mitropolisë së Gjirokastrës.

* * *

    Të premten (13 gusht), Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar edhe nga Mitropoliti i Gjirokastrës Hirësia e Tij Dhimitri, vizitoi fshatin Bularat, ku në Kishën e Shën Athanasit kryesoi Shërbesën e Paraklisit për të Tërëshenjtën, një nga akolluthitë më të bukura të Kishës sonë Orthodhokse. Në veçanti psalmet e tropareve nga të rinjtë dhe të rejat, fryt i punës shpirtërore që gjithë këto vite realizohet nën kujdesin e tij, krijuan atmosferë kataniktike në Kishë dhe në oborrin e saj të tejmbushur nga besimtarë të shumtë. Ata kishin ardhur dhe nga fshatrat përreth me të marrë lajmin e pranisë së tij. Me një ndjesi të veçantë e përjetuan këtë ngjarje sidomos ata besimtarë që jetojnë përkohësisht në Greqi dhe këto ditë mbushin fshatrat dhe enoritë e Mitropolisë së Gjirokastrës. Të gjithë ndjenin gëzim dhe emocion të veçantë duke marrë bekimin e Kryepiskopit. Çdo ditë e më shumë besimtarë kuptojnë shkallën e sakrificës personale të Kryepiskopit, i cili ndoqi rrugën e kundërt me shumicën e tyre: kur ata largoheshin nga vatrat e tyre të lindjes ai vinte këtu për të vuajtur gjithë atë sakrificë të ringritjes nga hiri i shkatërrimit ateist të Kishës sonë.

     Në fund te shërbesës Kryepiskopi u foli besimtarëve për figurën e së Tërëshenjtës Mari, pozicionin e saj në Kishën Orthodhokse dhe jetën e saj adhuruese. Duke ju referuar tropareve që psallen gjatë gjithë periudhës para të kremtes së Fjetjes, tropare mallëngjyese dhe prekëse, Kryepiskopi u tha besimtarëve se veç të tjerave ne i lutemi  Nënës së Zotit Krisht të falë në zemrat dhe shpirtrat tanë gëzim. Nuk jemi një besim i trishtimit dhe melankolisë por një besim i gëzimit dhe haresë. Dhe burimi i gëzimit tonë nuk është një arsye çfarëdo por vetë dhuruesi i tij Zoti Krisht. I nxiti orthodhoksët që  të kenë vazhdimisht sytë e lutjes së tyre të kthyera nga e Tërëshenjta Mari, ta kenë atë shembull për imitim në bindje dhe përulësi, ta rrënjosin thellë në shpirtin e  tyre ikonën e saj.

     Në qendrën shpirtërore të kishës u qeras glikoja tradicionale në mbrëmje dhe besimtarët patën rastin të bisedojnë nga afër me Kryepiskopin për problemet dhe gëzimet e tyre, të lidhura me familjet dhe fshatrat e tyre, dëgjuan këshillat atërore të tij. Veçanërisht iu shprehën falënderime të përzemërta për gjithçka është realizuar në vendlindjen e tyre nën kujdesin e tij: rigjallërimi dhe rikonstruksioni i kishës së Shën Athanasit, ujësjellësi që sjell ujë nga burimet e malit, përforcimi i rrjetit elektrik dhe në veçanti konvikti orthodhoks i vajzave, që i jep jetë dhe gjallëri këtij fshati, shkollës së tij dhe gjithë zonës më gjerë.

* * *

   Të nesërmen pasdite Kryepiskopi Anastas ishte në fshatin e Dervicianit, kisha e madhe e të cilit kremton, duke qenë e kushtuar në nderim të Fjetjes së Tërëshenjtës Mari. Kryepiskopi kryesoi Shërbesën e Mbrëmësores, Litaninë e Ikonës së shenjtë të Fjetjes dhe Bekimin e Pesë Bukëve, që ua ndau qindra besimtarëve që ishin mbledhur me një gëzim të trefishtë: për festën e fshatit të tyre, për faktin se ishin mbledhur përsëri nga vendet ku jetojnë dhe punojnë dhe për praninë e Fortlumturisë së Tij.

     Edhe këtu Kryepiskopi pati rastin tu flasë dhe t’i nxisë në një besim më të thellë, më të gjallë, më të nxehtë tek Zoti Krisht me ndihmën dhe ndërmjetimet e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari. Edhe një herë tjetër Kryepiskopi i mëshoi idesë se Orthodhoksët guxojmë dhe jemi entuziastë edhe kur të gjithë përpiqen të theksojnë anët e errëta të jetës, guxojmë të shpresojmë edhe kur të tjerët përpiqen të na çorientojnë në vështirësitë e krizave, të konflikteve etj. Dhe kjo shpresë e jona, ky entuziazëm dhe optimizëm nuk janë kot, nuk janë bosh: e kanë zanafillën dhe ushqehen vazhdimisht nga besimi ynë tek Zoti i gjithësisë, mbështeten te lutja jonë. Edhe një herë foli për figurën e Tërëshenjtës, për mënyrën sesi nderohet ajo realisht, jo thjesht duke ndezur qiri dhe llambadhë në ikonën e saj, por duke e mbajtur të ndezur këtë llambadhë në zemrat tona. Besimi ynë Orthodhoks nuk është vetëm dashuri, tha Kryepiskopi, është edhe gëzim dhe këtë gëzim dhe hare në zemrat tona e fal Krishti Perëndi me ndërmjetimet e Nënës së Tij të Pacënuar.

* * *

    Të tretën ditë, të Dielën, 15 Gusht, ditën e të Kremtes së Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, Kryepiskopi Anastas ishte mes besimtarëve në enorinë e madhe, por  disi të izoluar të Dhrovjanit. Në Kishën e madhe të Shën Nikollës ai kreu Liturgjinë Hyjnore dhe kungoi besimtarët e shumtë me misteret e shenjta.

     Në predikimin e ditës Kryepiskopi u foli përsëri besimtarëve për të Tërëshenjtën Mari, për hirin e saj që na mbledh çdo vit, por edhe për fuqinë e ndërmjetimit të saj tek Biri dhe Zoti ynë Jisu Krisht. Atmosfera në kishë dhe në oborrin e saj dhe në të gjithë qendrën e fshatit ishte e gëzuar dhe festive. Ishin të ngrohta fjalët që të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël, kishin për të thënë për Kryepiskopin, falënderimi i tyre ishte nga shpirti. Dukej lehtë se në veçanti të rinjtë, ndonëse larg vendlindjes ndjekin me kujdes gjithçka që realizohet në Kishën tonë nën frymën e urtë të Kryepiskopit dhe ndihen për këtë krenarë. Ishin të shumtë që ia thoshin këtë gjë Atit tonë shpirtëror: na bën të ndihemi krenarë kudo ku jemi dhe punojmë dhe jetojmë.

     Për ta bërë më konkrete atmosferën e gëzimit dhe si për të dëshmuar fuqinë dhe guximin që jep të besuarit e thellë tek Perëndia, ditë veç të tjerash në qendër të fshatit Dhrovjan ishte organizuar edhe ceremonia për përurimin e ujësjellësit të fshatit. Kryepiskopi Anastas kreu Shërbesën e Ajasmës në një çezmë të ndërtuar në mënyrë tradicionale, e cila pikërisht do të përjetësojë këtë vepër që zgjidhi nevojën më jetësore të banorëve. Falë kontributit financiar, por kryesisht besimit që ngjalli te komuniteti i banorëve se kjo vepër mund të realizohej, i tërë ky ujësjellës u realizua në tre vitet e kaluara nga Kryepiskopi. (Për më tepër rreth përurimit të ujësjellësit shih lajmin pasues)
 
Korresp. i gazetës “NGJALLJA”