![]() |
Bashkë me festën e bukur të Krishtlindjeve, erdhën edhe kolendrat. Traditën aq të bukur të të parëve tanë “të humbur” pa dashje nga prindërit prej sistemit të kaluar “e gjetën” nipërit dhe mbesat. Kanë disa vite që duke kënduar, ata përhapin Lajmin e Mirë, Lajmin e lajmeve, Lajmin e Lindjes së Shpresës më të madhe të njerëzimit.
Dy ditë para Krishtlindjeve, fëmijë pjesëmarrës në aktivitetet e ofruara nga Kisha jonë, së bashku me mësuesit e tyre, shkuan nëpër shtëpitë e besimtarëve të Tiranës.
|
|
Në duar mbanin grazhdin, në gojë këngën, në zemra gëzimin. “Ding – dang” trokisnin dyert. Ato hapeshin me shumë dashuri. Me akoma më shumë dashuri hapeshin zemrat. Kudo na prisnin me krahët hapur, me zemrat plot gëzim. Gëzim për Lajmin që ne jepnim. “Ja Krishti Lindi. Lavdërojeni…”
“Më pëlqen të buçasë jo vetëm shtëpia ime, por e gjithë rrugica”, – thoshte një besimtare. “Dhe fëmijët ashtu bëjnë. Të gjithë ta mësojnë Lajmin e Mirë”.
|
![]() |
![]() |
“Erdhi Krishtlindja…gëzoni….” – kumbonin zërat e tyre. Ishin mbresa të mrekullueshme, të paharruara, mallëngjyese. Njerëzit bashkoheshin me këngët tona. Çuditeshin fëmijët kur gjyshërit dhe gjyshet, me shumë dëshirë, me zërin që ju dridhej nga mosha, nisnin të këndonin: “Mirëmëngjes zonja, zotërinj, një lajm gazmor dëgjoni…”. Bashkoheshin edhe fëmijët me ta. Bashkoheshin zërat e dy brezave. Bashkoheshin kujtimet e gjyshërve me gjallërinë e nipërve e mbesave.
|
|
“Edhe ne dilnim për kolendra kur ishim sa ju” – tregon gjyshe Zoga, “grazhdin e bënim me myshk ndërsa foshnjën Jisu e bënim prej lecke”, ndërsa fëmijët dëgjonin me shumë interes. Por… tani duhej të shkonin. Kishin akoma shumë shtëpi që i prisnin. Ata donin t’u thonin lajmin e tyre edhe shumë të tjerëve.“Mirë se erdhët dhe ju presim përsëri vitin tjetër” – na thonin kudo.
“Kolendra, kolendra sot, gëzuar për shumë mot!” – ngrihej deri në qiell urimi ynë.
|
![]() |
|
* * * Gjatë periudhës përgatitore të Krishtlindjes u organizuan disa aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët. Zonat në të cilat u zhvillua ky aktivitet ishin: Tiranë në 6 qendra fëmijësh (Bathore, Thavor, qendrën “Frymë Dashurie” pranë Shkollës së Kuqe, Qytet Studenti, pranë komunitetit rom, pranë katedrales “Ungjillëzimi”), si dhe në disa qytete e fshatra të tjerë: Durrës, Shkodër, Gramsh, Elbasan Berat, Lushnje, Topojë, Bishan, Poro, Velicuf, Vlorë, Novosel, Libofshë etj. Morën pjesë rreth 1700 fëmijë.
Programi i këtij aktiviteti zgjati rreth 3 orë dhe konsistonte në diskutime në grupe të vogla, në lojëra në grupe të mëdha e të vogla, në punë dore, këngë dhe në fund në një kokteil të vogël.
Mesazhi i Krishtlindjeve u bë edhe më i plotë me anë të mesazhit të këngëve të Krishtlindjeve që fëmijët mësuan atë ditë, këngë të cilat fëmijët i kënduan edhe në shtëpitë e besimtarëve gjatë kolendrave. Puna e dorës është një aspekt i programit shumë i dashur për fëmijët. Këtë vit si punë dore fëmijët bënë një zbukurim të veçantë për ta vendosur në pemën e Krishtlindjeve.
Pjesëmarrja në një aktivitet të tillë bën që fëmijët të marrin një informacion të plotë mbi historinë e Krishtlindjes, duke kaluar gjithashtu kohë në shoqërinë e njëri – tjetrit si dhe krijuan shoqëri të reja. Madje edhe prindërit shprehen të kënaqur për ndikimin që kanë këto aktivitete në formimin shpirtëror dhe edukativ të fëmijëve të tyre, por edhe për faktin se fëmijët kalojnë disa orë në një ambient të sigurt dhe të dashur.
Parashqevi Gjergo, Mikea Topanxha
|



