Në 6 janar, ditën e shenjtë të Theofanisë, besimtarët durrsakë e festuan në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit, ku edhe sipas ritualit festiv u krye edhe shërbesa e Bekimit të ujit, e cila u krye menjëherë pas Liturgjisë.
Predikimin e mbajti Episkopi i Apollonisë, Hirësia e tij, Imzot Nikolla. Ai nisi fjalën e tij duke thënë: “Sot është shfaqja publike e Krishtit dhe sot Ai nis misionin e shpëtimit nëpërmjet mësimeve të Tij, vdekjes, ngjalljes dhe ngjitjes.” “Zoti pagëzohet – vazhdoi ai – për të treguar se Ai erdhi për ta përsosur ligjin e Moisiut.”
Episkop Nikolla do të sillte edhe disa mendime të Shën Joan Damaskinit mbi arsyet e pagëzimit të Krishtit, ku ndër të tjera theksoi: “Krishti së pari u pagëzua që të shenjtërojë ujërat dhe të shkatërrojë të keqen e tyre, të vdesë mëkatin dhe Adamin e vjetër, që të shfaqë Hyjninë Triadike si dhe të jetë një shembull për të gjithë ne”. Këtë të fundit ai do ta lidhte dhe me faktin e pagëzimit të besimtarëve dhe vazhdimësisë së praktikimit dhe përjetimit të besimit. Në fund të predikimit ai dha një mesazh për të gjithë të pranishmit ku vuri theksin në faktin që Krishti është drita e botës që u shfaq e ndriçon zemrat tona dhe kjo dritë do të na çojë tek Perëndia. Ne duhet ta shpërndajmë këtë dritë tek të tjerët ashtu si Krishti.
Më pas të gjithë besimtarët shkuan tek Porti Detar i qytetit ku u bë dhe hedhja e Kryqit në det. Të rinj durrsakë u hodhën në det për ta kapur kryqin, duke marrë kështu bekimin e tij. Në fund besimtarët u kthyen në shtëpitë e tyre, bashkë me ujin e bekuar që morën në kishë si bekim dhe shpresëtari për vitin në vazhdim.
Nestilda Dangaj