11 shkurti, e kremtja e Shën Vlashit, mblodhi në manastirin e ri me të njëjtin emër pranë Durrësit, qindra besimtarë për adhuruar Perëndinë dhe për t’iu lutur shenjtorit çudibërës që të ndërmjetojë pranë Perëndisë.
Në Liturgjinë Hyjnore morën pjesë shumë besimtarë të zonës përreth dhe të ardhur nga qytetet e tjerë të vendit, si edhe pedagogët e studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” etj. Në mbrëmjen e një dite më parë, u krye edhe Mbrëmësorja e Madhe, Kanoni lutësor (Paraklisi) i së Tërëshenjtës Mari dhe Pasdarka e Vogël. Lutjet e shumë besimtarëve të cilët ishin grumbulluar në kishë dhe përreth manastirit vazhduan deri në agimin e ditës së festës.
Studentët dhe pedagogët e Akademisë Teologjike kishin përgatitur një organizim model të kësaj të kremteje, duke pritur me qindra besimtarë dhe duke iu shërbyer atyre në çdo kohë.
Drejtori i Akademisë, Hirësi Ilia Ketri, përshëndeti të gjithë besimtarët epranishëm: “Gëzuar nga mot e për shumë vjet. Më lejoni t’ju përcjell urimet dhe përshëndetjet e përzemërta atërore të Kryepiskopit Anastas dhe Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Urimet më të mira me rastin e festës së bekuar të Shën Vlashit të gjithë ju besimtarëve që ndoqët me shpresëtari shërbesat e shenjta, gjithashtu edhe besimtarët e mbarë Shqipërisë që vijnë me shpresëtari në këtë vend të shenjtë dhe të bekuar. Perëndia ju bekoftë me ndërmjetimet e Shën Vlashit!”
Si çdo vit, predikimin e kësaj të kremteje gjatë Liturgjisë Hyjnore e mban një prej studentëve të Akademisë Teologjike. Këtë herë, i takoi studentit të vitit të katërt Joan Qako, nga Berati, i cili përcolli tek besimtarët mesazhin e festës, duke theksuar se nëse duam që të quhemi bij të Perëndisë dhe të trashëgojmë premtimet e dhëna, le të imitojmë Shën Vlashin dhe dashurinë e pastër të krishterë që ai na mësoi me jetën e tij të përulur. “Vëllezër e motra në Krishtin, le t’i lutemi Perëndisë që të kemi dashuri për njëri-tjetrin. Shën Vlashi ndjeu që shpirti i tij kishte nevojë t’i lutej Perëndisë, u lut dhe arriti të donte jo vetëm Perëndinë, por të gjithë ata që e rrethonin, madje edhe ata që e torturonin, sepse pa se të gjithë ishin krijesat e Perëndisë. Ai tregoi në këtë mënyrë një dashuri që i përfshinte të gjithë”, tha ai në predikim.
Pas Liturgjisë Hyjnore festa vazhdoi. Për klerikët, pedagogët, studentët dhe besimtarët e ardhur në Manastirin e Shën Vlashit ishte përgatitur një drekë e veçantë, gjatë së cilës u përcollën urime të shumta, u kënduan këngë etj., në një atmosferë plot me gëzim dhe dashuri vëllazërore.
Isidor Koti