Traditave të shumta të Beratit, iu shtua dhe festa e Tre Hierarkëve. Tre Arkondët e famshëm, Shën Vasili i Madh, Grigor Theologu dhe Joan Gojarti njihen kudo në të gjithë botën e krishterë dhe veçanërisht në atë orthodhokse si mbrojtës dhe ndriçues të arsimit, të mësuesve, pedagogëve, nxënësve, studentëve etj. I nisur nga ky fakt, Kryebariu i dioqezës së Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati organizoi në ambientet e hotel “Tomorri” një takim në të cilin ishin të ftuar nga tre përfaqësues të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Beratit, (gjithsej 21 shkolla) si dhe një përfaqësi nga Drejtoria Arsimore e qytetit, të cilën e kryesonte personalisht drejtori i këtij institucioni. Në takim morën pjesë rreth 70 mësues dhe mësuese ku mes të tjerëve spikatnin dhe përfaqësuesit e shkollës së mesme “Medrese”, Vexhi Buharaja si dhe përfaqësuesit e shkollës fillore Romano-Katolike “Motrat Filipini”.

     Programin e hapën fëmijët e katekizmit, të cilët me shumë përzemërsi përshëndetën Imzot Ignatin si iniciatorin e këtij takimi si edhe gjithë mësuesit e pranishëm që me shumë dashuri dhe durim kanë nxjerr në jetë dhjetëra breza nxënësish.
 

     Fjalimin e rastit e mbajti Imzot Ignati, i cili ndër të tjera theksoi: “Sa shumë munden të ndryshojnë të rinjtë e vendit tonë, nëse do të përpiqen për të zbatuar këshillat e vlefshme të Hierarkëve Ekumenikë, mbrojtës, përkrahës dhe ndriçues të arsimit. Të Tre Hierarkët ishin njerëz me shumë fuqi, me shumë entuziazëm dhe me një punë tepër komplekse. Shpeshherë linin tribunën dhe penën për të qetësuar dhimbjen e të sëmurit, për të ushqyer të uriturin, për të mbrojtur njeriun që i ishte mohuar e drejta. Gëzim i tyre ishte gëzimi i të tjerëve dhe jeta e tyre ishte ndihma dhe përkrahja e nevojtarëve”.

     Që të tre këta edukatorë të shkëlqyer, qysh në moshë të re, iu përveshën me zell të madh studimit dhe përvetësimit të njohurive për t’u bërë dijetarë në fushat përkatëse. Duke pasur etje të pashuar për dituri, ata pa u lodhur vizituan dhe studiuan në qendrat më të rëndësishme arsimore e shkencore të shekullit të katërt si: në Bizant, në Qesari të Kapadhoqisë, në Antioki të Sirisë, në Athinë etj.

 

   Ata karakterizoheshin në jetë si njerëz me moral të lartë, me vullnet të paepur, me sjellje të virtytshme në shërbim të Zotit, duke u bërë në këtë mënyrë miq midis tyre, miq të rinisë, dhe sidomos të rinisë. Kriteri i tyre në jetë dhe në veprimtari ishte parimi pedagogjik “Së pari të veprosh dhe pastaj të edukosh”.

     Ndonëse jetuan në një periudhë krize shpirtërore dhe shthurjeje shoqërore, e shndërruan, atë periudhë me jetën dhe bëmat e tyre, në shekull të artë. Me gjithë ngarkesën e madhe të veprimtarisë baritore, gjenin kohë të përshtatshme për t’iu kushtuar punës me rininë. Shën Joan Gojarti thotë: “Të gjitha lihen mënjanë, përveç kujdesit për rininë ”. Shën Vasili i Madh na këshillon: “Jeta e rinisë është e bashkëlidhur me një shumicë të këqijash”.

    Shën Grigor Theologu, duke folur për shumë të rinj të Athinës, nga përvoja e tij si bashkëstudent, por edhe si pedagog thekson: “sulmohen nga mania e sofistikës”. Shën Joan Gojarti shton: “Kur rinisë i mungon kujdesi i të rriturve dhe nuk ka ideale të larta dhe mbetet papunë, zhytet në mëkate dhe bëhet më e rrezikshme se egërsira”.

     Shën Vasili i Madh ka botuar një studim të shquar që u kushtohet problemeve të rinisë me titull: “Si do të jetë e dobishme Letërsia Greke”. Në këtë studim ai u jep këshilla të vyera pedagogjike të rinjve që nisin rrugën e jetës dhe themelojnë godinën e tyre shpirtërore, të përparojnë me të vërtetë dhe të arrijnë lumturinë e përjetshme. U interesua personalisht që të ketë në Qesari të Kapadhoqisë, në atdheun e tij, një stadium për t’u ushtruar të rinjtë dhe që t’i shmangen jetës së shthurur, këshilla këto që tingëllojnë aq aktuale dhe në ditët e sotme.

     Por dhe Joan Gojarti u përqendrua shpeshherë në problemet e të rinjve, të cilët, si sot, dhe atëherë kishin vështirësitë dhe kundërshtimet e tyre. Prandaj, përveç ligjëratave të tilla “për edukimin e fëmijëve”, nëpërmjet të cilave këshillonte prindërit si t’i edukonin ata, vazhdimisht në fjalimet e tij raportonte për të rinjtë. Qortonte me takt pedagogjik sjelljet e gabuara të rinisë së asaj kohe, duke e nxitur për një jetë, të hijshme, të pastër dhe të shenjtë. Ftonte tërë besimtarët duke u thënë: “Lutjuni të gjithë së bashku Perëndisë për rininë, dhe madje, për rininë besimtare që, me hirin e Tij, të bëjnë një jetë të mirë për të fituar një pleqëri të mbarë”.

     Më tej, Hirësi Ignati iu tha arsimtarëve se këshillat dhe porositë e Tre Hierarkëve të lartpërmendur, krahas literaturës pedagogjike, psikologjike dhe edukative të autorëve të shquar shqiptarë, do të jenë të vlefshme në punën tuaj mësimore-edukative. Duke u bazuar në shembullin e Tre Hierarkëve, arsimtarët do të thellohen në studime dhe në specializime për ngritjen profesionale që të pajisin nxënësit me njohuri të sakta bashkëkohore.

    Pas fjalimit të Imzot Ignatit, fjalën e morën mësues të ndryshëm, të cilët me shumë përzemërsi falënderuan Hirësinë e Tij për iniciativën e marrë si dhe theksuan rolin që ka besimi në edukimin e fëmijëve. Disa prej tyre kujtuan rëndësinë e mësimit fetar që për një periudhë të gjatë kohe ishte dhënë si lëndë e veçantë nëpër shkollat publike, apo prindërit e tyre të cilët me aq urtësi dhe dashuri ndaj Zotit i merrnin prej dore dhe i mësonin t’i faleshin Perëndisë nëpër Kisha.

 

 

Joan Qako

Korrespodent i Mitropolisë së Beratit