Me madhështi  të veçantë u kremtua këtë vit në Berat “Java e Madhe dhe e Shenjtë”, sepse duke filluar nga e “Diela e Dafinave” besimtarët beratas patën mundësinë të ndjekin të gjitha shërbesat në Katedralen e sapondërtuar të “Shën Dhimitrit” në qendër të qytetit. Megjithëse e pa kompletuar përfundimisht me të gjitha sendet e përshtatshme, Hirësia e Tij Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, me qëllim për t’i shërbyer sa më mire grigjës së tij bekoi dhe mundësoi në një kohë shumë të shkurtër, me përpjekje të jashtëzakonshme, fillimin e shërbesave të shenjta në këtë Kishë.
    Me qindra e qindra besimtarë erdhën të “Dielën e Dafinave” për tu falur në katedralen e “Shën Dhimitrit” dhe morën pjesë në Liturgjinë e parë Hyjnore që u celebrua në këtë Kishë. Në fjalën përshëndetëse Imzot Ignati theksoi dhe falënderoi në radhë të parë Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Anastasin për ndërtimin e kësaj kishe madhështore në qendër të qytetit, gjithashtu falënderoi dhe dhuruesit dhe ndihmëtarët e tjerë të cilët mundësuan funksionimin e kësaj kishe.
 

    Gjithashtu Hirësia theksoi duke thënë se sot është një ngjarje Historike për qytetin e Beratit sepse kryhet pas 40 vjetësh Liturgjia Hyjnore në katedralen e Shën Dhimitrit, e cila u shkatërrua plotësisht nga regjimi ateist dhe në truallin e së cilës u ndërtua Komiteti i Partisë (sot Bashkia e qytetit), por me përpjekjet e mëdha të Kryepiskopit Anastas u sigurua një truall shumë afër me kishën paraekzistuese dhe u mundësua nga ana e tij ndërtimi i kësaj vepre mbresëlënëse.
    Me qindra besimtarë ndoqën në vijim shërbesat e shumta të kësaj jave, të cilat u celebruan qe të gjitha në praninë e Hirësisë së tij Imzot Ignatit. Të gjithë ne përjetuam Pësimet e Shenjta dhe morëm pjesë në shërbesat përkatëse. U kryen me madhështi shërbesat e Dhëndrit, Liturgjitë e Parashenjtëruara, Efqelia e të Mërkurës së Madhe, Liturgjia e Darkës Mistike duke iu afruar në këtë mënyrë kulmit të përjetimit shpirtëror në Javën më të shenjtë të të gjithë orthodhoksëve.
    Mbresëlënëse ishte shërbesa e të Enjtes në darkë ku Krijuesi i gjithësisë u duk i kryqëzuar mbi dru në mes të Kishës. Emocione të mëdha përjetuam kur në mes të kishës doli Epitafi i Shenjtë, në të cilin përgjatë gjithë ditës u falën mijëra besimtarë beratas. Madhështore ishte shërbesa e darkës, ku pas vajtimeve të shenjta, të kënduara në kor nga burrat e qytetit, i erdhi radha litanisë së Epitafit ku pas shumë vitesh do të kryhej në Katedralen e Shën Dhimitrit. Epitafi i ndjekur nga besimtarë të panumërt përshkoi si fillimisht rrugën e vjetër që ndiqte para mbylljes së kishave.
    Kaloi pranë shtëpive të besimtareve, të cilët kishin ndezur qirinj nëpër dritaret e shtëpive, u duk qartë mallëngjimi i njerëzve kryesisht të të moshuarve, të cilët ndjenë emocionet që kishin vite pa i përjetuar. Epitafi përshkroi një rrugë shumë të gjatë, derisa arriti në fillim të shëtitores së qytetit, aty ishte një tjetër moment madhështor sepse u bashkuan dy Epitafe bashkë dhe pikërisht Epitafi i kishës katedrale të Shën Dhimitrit me Epitafin e kishës së Shën Spiridhonit. Të dy së bashku përshkruan shëtitoren kryesore të shoqëruar nga Banda frymore e qytetit.
   Në qendër të Beratit, përballë me kishën e Shën Dhimitrit ishte ngritur një podium ku Hirësi Ignati në prani te dy Epitafeve dhe të qindra besimtarëve theksoi rëndësinë e kësaj ditë të madhe. Hirësi Ignati theksoi se bashkimi i Epitafeve simbolizon unitetin e Kishës në këtë qytet, ai tha se të gjithë ne sot vuajmë, por vuajtjet tona do të shpërblehen me Ngjalljen e Shpëtimtarit.
    Pas përjetimit të mundimshëm i erdhi radha natës ngadhënjimtare të Ngjalljes. Besimtarë të panumërt kishin ardhur për të dëgjuar lajmin shpëtimtar se “Krishti u Ngjall”.
    Pas thirrjes së Kryebariut për të marrë Dritën që nuk Perëndon të gjithë iu drejtuan sheshit përpara katedrales. Pikërisht përball me kishën u dha dhe lajmi nga Imzot Ignati se Krishti u Ngjall! Mbi podiumin e ngjalljes u lexua dhe mesazhi i Imzot Ignatit drejtuar klerit dhe besimtarëve shpresëtarë, në të cilin ndër të tjera theksohej: “Ndërkohë që kambanat e kishave bien gëzueshëm dhe dallgët e dritës kanë tejmbushur tempujt e shenjtë dhe “Krishti u Ngjall” jehon nga çdo skaj i Orthodhoksisë dhe bota e krishterë me ngazëllim të madh shkëmben puthjen e dashurisë dhe stina më e ëmbël e vitit përqafon panairin më të shkëlqyeshëm të besës, ungjillor Joani në Ungjillin e shenjtë të meshës së Pashkës me zë gjëmues shpall arsyen për të cilën u ngjall Krishti. U Ngjall sepse “në atë ishte jetë”. (v. 4).
 

    Sepse kishte brenda Tij jetë. Nuk ishte vetëm njeri Ai që vdiq mbi kryq, por ishte edhe Perëndi. “Dhe Fjala ishte Perëndi”. (vargu 1). Dhe Perëndia është i pavdekshëm. Perëndia jeton përjetë. Ai është burimi i pashterur, i përjetshëm i jetës.
    Gjithë krijesat, me shpirt apo pa shpirt, të dukshme a të padukshme, të logjikshme dhe jo të logjikshme, e morën ekzistencën dhe fillimin nga i tërëfuqishmi, Krijuesi që është përpara jetëve. Dhe Krijuesi i të gjithave nuk është tjetër veç Zotit Krisht që u ngjall mbas tre ditësh nga varri.
    Varri i zbrazët i Zotit është vërtetimi i hapjes së gjithë varreve. Për kryesinë e jetës. Për pavdekësinë. Pothuajse një javë para ngjarjes së madhe kishte thënë fjalë tronditëse: “Ai që beson tek unë edhe nëse vdesë do të rrojë”. Një realitet që tronditi botën e Judesë. Hapi varret. Ngjalli të vdekurit. Rrënoi tempujt e idhujve te kombet dhe tempullin e madh në Jerusalem dhe shpërndau anembanë dheut jehonën e tij. Krishti u Ngjall!
    Kanoni i Ngjalljes dhe Liturgjia e Shenjtë vazhdoi ngazëllueshëm me përsëritjen e vazhdueshme te himnit “Krishti u Ngjall së vdekurish…” deri në orët e vona dhe duke u mbyllur me dhënien e Trupit dhe Gjakut të Zotit Krisht për shpresëtarët e devotshëm.Të nesërmen ne ditën festive të Pashkës në orën 11 u krye Mbrëmësorja e Dashurisë, ku leximi i Ungjillit dhe tropari “Krishti u Ngjall” u thanë në shumë gjuhë të ndryshme. Më pas vijuan urimet e përvitshme në Mitropolinë e Beratit ku për të uruar Pashkën e Shenjtë erdhën shumë personalitete, ndërmjet tyre dhe Zëvendës Kryeministri i Shqipërisë z. Genc Pollo, Kryetari i Bashkisë së Beratit z. Fadil Nasufi, Kryetari i LSI z. Ilir Meta, deputeti i Parlamentit Shqiptar z. Marko Bello, përfaqësues të  Komunitetit Mysliman, Romano-Katolik si dhe shumë besimtarë të tjerë.
Joan Qako