Atmosfera e Pashkës filloi të ndihej me intensivisht që nga e Diela e Dafinave, ditë e cila shënon dhe fillimin e Javës së Madhe të pësimeve shpëtimtare. Kjo atmosferë në qytetin e Korçës shprehej jo vetëm në zbukurimin e objekteve të kultit, dhe intensitetin e lutjeve dhe shërbesave kishtare, por edhe banderolat me urime paskale në rrugët e qytetit demonstronin një atmosferë festive. Shërbesat kishtare u zhvilluan në të gjitha kishat e qytetit dhe u ndoqën nga besimtarë të shumtë.
 
    Të martën në shërbesën e tretë të Dhëndrit Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani, foli për rëndësinë liturgjike të kësaj jave dhe për përjetimin e saj. Ai shpjegoi se krishterimi është një mënyrë të jetuari dhe jo një mënyrë të menduari dhe ky përjetim mund të arrihet vetëm nëpërmjet pastrimit të zemrës: Në Kishën e vjetër ishte një karakteristikë që misteret nuk u shpjegoheshin katikumenëve, vetëm mbas pagëzimit fillonte dhe shpjegohej misteri. Ndoshta njerëzve sot mund t’iu duket pak e habitshme, përse nuk u flitej rreth mistereve katikumenëve. Kjo, sepse Kisha e vjetër besonte fort që Ungjilli dhe Krishterimi, është një mënyrë të jetuari, nuk është një filozofi që mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me arsye. Duhej të zbriste në shpirt hiri i Shpirtit të Shenjtë që mendja të ndriçohej dhe të kuptonte mbi misteret. Jo më kot Kisha gjatë 40 ditëve e paraprin Javën e Madhe me një agjërim dhe me lutje, pikërisht për të na bërë ne të denjë që të kapim misteret shpirtërore të mëdha, sepse pa u thyer korja e zemrës edhe shpirtit, nuk mund të zbresë dot hiri i Shpirtit të Shenjtë, dhe nëse ne do të vijmë të penduar dhe hiri i Shpirtit të Shenjtë do të ketë zbritur mbi zemrën dhe shpirtin tonë atëherë dhe zemra dhe shpirti do të jenë të butë. Duke u zbutur shpirti sado të duket e habitshme për racionalistët edhe mendja ndriçohet. Jo më kot feja e ka vendosur zemrën si qendrën e njeriut, zemra mund të kuptojë gjëra që mendja nuk mund t’i kuptojë dot kurrë. Shpirti i njeriut është mendja më e lartë, jo më kot fuqitë shpirtërore në Kishën e vjetër, quheshin fuqitë e arsyeshme, për të thënë se një arsye e vërtetë është një fuqi shpirtërore. Nëse ne do të bëhemi qenie shpirtërore të vërteta atëherë edhe mendja jonë do të jetë e kthjellët dhe do të kuptojë. Ne kemi një mendje që kupton vetëm nga ana e jashtme, një mendje që kupton vetëm me prova dhe shpjegime dhe nuk mund të kapë dot shpeshherë misteret e shenjta të Kishës, sepse që të kuptohen këto mistere duhet të ndodhë procesi i pendimit, i kthimit dhe i afrimit me Perëndinë.
 
    Ne e kemi përmendur shumë herë që fjalët e Ungjillit nuk janë fjalë të kota, në vetvete ato kanë një fuqi. Asnjë fjalë e thënë nga Perëndia, nuk është një fjalë e kotë, fjala është një fuqi në vetvete. Ky është dhe shpjegimi që ka bërë edhe Shën Pavli, që fjalët e Ungjillit, kanë fuqi në vetvete dhe kjo fuqi është një fuqi transformuese, nëse ato do të hyjnë në shpirt ato do të japin fruta, nëse ato do të gjejnë një tokë të mirë, fara e fjalës së Ungjillit do të mbijë dhe do të japë shumë fruta dhe ata që do të gëzohen më shumë nga frutat do të jemi pikërisht ne, sepse ato fruta Perëndia i ka përgatitur për ne. Ungjilli ka fuqinë e madhe për të transmetuar të vërteta që është shumë e vështirë të transmetohen me anë të mendjes, prandaj edhe shenjtorët duke jetuar një jetë të krishterë, arritën të kishin një mendje të ndritur dhe jo më kot thuhet në Ungjill “Lum zemërpastrit se do të shohin Perëndinë.” Nuk thotë mendjendriturit, por zemërpastrit, sepse pastërtia e zemrës do të sjellë edhe ndriçimin e zemrës dhe të mendjes.
 
    Prandaj të dashur motra dhe vëllezër në këto ditë të Javës së Madhe kur jetohet në mënyrë intensive, jeta e Krishtit, kur ne e sjellim para syve tanë dhe e përjetojmë edhe ne gjithë pësimin shpëtimtar të Zotit dhe Perëndisë tonë Jisu Krisht, gjithsekush le të mendojë pak më thellë për jetën e tij shpirtërore, le të mendojë pak më thellë që gjithsecili nga ne ka nevojë për një ushqim shpirtëror. Ne nuk mund të jetojmë dot pa Zotin, një jetë pa Zotin është një jetë e zbrazët dhe një jetë mërzie. Nuk mund të ketë gëzim në shpirt, nëse nuk është i pranishëm Zoti. Le të mundohemi që t’i dëgjojmë pak më tepër si fjalët e Ungjillit, ashtu edhe psalmet dhe troparet për të kuptuar pak më shumë, sepse siç e thashë edhe në fillim Krishterimi është një mënyrë të jetuari dhe jo një mënyrë të menduari. Nëse ne nuk e përjetojmë Ungjillin ai do të mbetet gjithmonë një libër i mbyllur. Le t’i lutemi Zotit që të derdhë mbi shpirtrat tanë, hirin e Shpirtit të Shenjtë për të na bërë të aftë që të kuptojmë misteret dhe shkrimin e Tij. Amin.”
 
    Më intensive pjesëmarrja u bë të Mërkurën e Madhe në mbrëmje, ku siç është bërë tashmë traditë të gjithë besimtarët u mblodhën në katedralen e Burimit Jetëdhënës dhe ndoqën Shërbesën e Efqelisë, e cila u celebrua nga Imzot Joani, kjo shërbesë monoklise u mbyll me vajosjen e shenjtë të besimtarëve.
 
Të Enjten e Madhe shërbesat vazhduan në të gjitha kishat. Ndërsa në orët e mbrëmjes, sipas tipikosë të ditës Zoti i varur mbi kryq u vendos në mes të kishës dhe ku mijëra njerëz u përgjunjën përpara të Kryqëzuarit.
 
    Dita e premte në mëngjes filloi me shërbesën e zbritjes së Zotit nga kryqi. Menjëherë pas këtij momenti tingujt e kambanave filluan të përshkojnë vajtueshëm qytetin. Përsëri mijëra njerëz u falën përpara Epitafit të Zotit. Zhvillimet e kësaj dite mbartin me vete edhe një traditë e cila nuk dihet kur dhe si i ka fillesat. Të gjithë shkojnë dhe përshëndoshin Epitafin në të gjitha kishat në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për sakrificën sublime që Zoti Jisu Krisht bëri për njerëzimin. Kjo traditë bën që në rrugët e qytetit njerëzit të mos rreshtin gjatë gjithë ditës, ndonëse në tonet e natyrshme vajtuese. Mbasditja e së premtes mblodhi përsëri besimtarët në kishat e enorive të tyre, ku pas Vajtimeve të Përmbivarrshme në orën 18:45 u bë takimi i pesë Epitafeve të të gjitha kishave. Më pas procesioni vazhdoi, banda e qytetit shoqëronte Epitafet me marshe funebre dhe nën melodinë e stancës së tretë të vajtimeve. Procesion i cili u ndoq nga mijëra njerëz të cilët shoqëronin nga pas kortezhin përgjatë lëvizjes së tij në unazën e vogël të qytetit. Kështu duke u kthyer përsëri në kishat përkatëse u mbyll kjo ditë vajtimi dhe gëzimi, ku Ngjallja kalon nga Kryqi dhe jeta nga vdekja.
Kulmi i festimeve arriti natyrshëm në mesnatën e së shtunës. Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Imzot Joani shpalli lajmin e gëzuar dhe triumfal të Ngjalljes dhe tha në  urimin e tij:
 
    “Për këtë arsye Kisha na fton të marrim pjesë në dritën e Ngjalljes së Krishtit, për të përjetuar gëzimin që vjen nga kjo dritë. Ajo na fton ta përjetojmë Ngjalljen e Zotit, sepse vetëm nëpërmjet këtij përjetimi ne mund të ndiejmë gëzimin e gjallë dhe ngazëllimin e papërshkruar të kësaj ngjarje, që është dhurata më e madhe që Perëndia i ka bërë të gjithë njerëzve nëpërmjet Jisu Krishtit.
 
    Duke u ngjallur së vdekurish Zoti hapi rrugën e çlirimit, duke mundësuar realisht shpresën për mundjen e vdekjes për të gjithë ne. Duke mundur vdekjen na aftësoi të mundim frikën dhe dëshpërimin dhe t’i japim kështu jetës sonë shpresë, kuptim dhe gëzim.
 
    Në këtë ditë të shenjtë do të doja t’i përshëndes të gjithë me lajmin e gëzuar se Krishti u Ngjall!” Fitorja e Zotit të ngjallur mbi vdekjen është fitore e cila i prek të gjithë pa përjashtim, sepse Zoti me ngjalljen e tij mundi vdekjen armikun e përbashkët të njerëzimit dhe na dha të gjithëve mundësinë të triumfojmë mbi vdekjen nëpërmjet tij.
 
    Ditën e diel në ora 10:00 sikundër është traditë u celebrua Mbrëmësorja e Dashurisë, e cila në Korçë është një shërbesë monoklise dhe kryhet gjithmonë në kishën e Burimit Jetëdhënës. Më pas nga ballkoni I Selisë së Mitropolisë së Shenjtë të Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani siç është traditë shpalli përsëri lajmin e Ngjalljes që nga korçarët njihet me emrin Dhefteri Anastasi Ngjallja e dytë. Kështu në vazhdim në Selinë e Mitropolisë u pritën vizita me rastin e Pashkës. Morën pjesë pushtetarët lokalë, njerëz të artit dhe kulturës, personalitete të botës akademike edhe qindra besimtarë, të cilët me urimin Krishti u Ngjall, morën dhe bekimet atërore të Mitropolitit Joan. Gjithçka ishte e mbushur me urimin Krishti u Ngjall!

 
Mihal Sonellari