“Java e madhe e shenjtë nisi me shkëlqim, me pësimet e Krishtit plot me vajtim; eni pra dhe priteni, dhe kremtojeni besërisht”.
     Nën madhështinë e tropareve mbresëlënëse nisi dhe në Berat ashtu si në mbarë botën e krishterë Java e Madhe dhe e Shenjtë e pësimeve të Zotit tonë Jisu Krisht. Të gjithë ne përjetuam më së miri ngjarjen që ndryshoi botën, sepse Kisha jonë këtë ngjarje e cila përbën epiqendrën e gjithë vitit liturgjik e ka thurur aq bukur me një mjeshtëri hyjnore.
 

     Të gjithë ne përjetuam pësimet e Shenjta, shpëtimtare dhe të tmerrshme të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht; pështyrjet, shuplakat, rrahjet, sharjet, përqeshjet, rrobën e kuqe, kallamin, sfungjerin, uthullën, gozhdët, shtizën, dhe para së gjithash kryqin dhe vdekjen, të cilat i duroi për ne duke dashur; bashkë me këto dhe rrëfimin shpëtimtar të kusarit mirënjohës që u kryqëzua me Të.
     Gjithashtu nuk munguan së përjetuari dhe emocionet e mëdha të varrimit të Hyjtrupshëm të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht dhe zbritjen e Tij në Ferr, me anën e të cilave qenia jonë u thirr prej prishjes dhe vajti te jeta e amshuar. 
 

     Shërbesat e Shenjta, të cilat u ndoqën nga një numër i madh besimtarësh, u celebruan nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit Imzot Ignatit në Kishën e Shën Spiridhonit. Java e Madhe, e cila filloi me Shërbesën e Dhëndrit arriti kulmin e saj në tre ditët e fundit, ku njëra pas tjetrës u kremtuan Kryqëzimi, varrimi dhe Ngjallja.
     Çdo ditë ishte një emocion më vete: dita e kryqëzimit, ku u pa i kryqëzuar mbi dru, Ai që varri dhenë mbi ujërat; Varrimi i Hyjshëm, ku për t’u theksuar ishin himnet të vajtimeve, të cilat u kënduan nga koret e besimtarëve, si dhe dalja e Epitafit përreth lagjes Goricë, që u shoqërua nga një kortezh i madh besimtarësh.
     Çdo moment tragjik kaloi tashmë, kishte ardhur dita e gëzueshme e së Dielës së Shenjtë të Pashkës së Madhe, në të cilën kremtojmë vetë Ngjalljen jetëprurëse të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Është dita kur vazhdimisht këndojmë himnin triumfues: ”Krishti u ngjall së vdekurësh me vdekje vdekjen shkeli edhe të varrosurve jetën u fali”.
      Liturgjia Hyjnore e Ngjalljes së Zotit u kremtua në mesnatën e së shtunës përveçse në Kishën e Shën Spiridhonit dhe në Kishën Historike të ”Fjetjes së Shën Marisë”, ku bashkangjitur me të ndodhet dhe Muzeu Kombëtar ”Onufri”, në kalanë e qytetit. Për të dhënë Lajmin e gëzueshëm të Ngjalljes në këtë Kishë kishte ardhur Kryebariu i Dioqezës së Beratit Imzot Ignati, i cili në përshëndetjen e rastit tha: “Tek Apostujt u paraqit i gjallë me shumë shenja pas pësimit të Tij, duke u dukur ndër ata dyzet ditë e duke folur për punët e Mbretërisë së Perëndisë” (Vep: 1,3).
 

     Përshëndetja e ngazëllueshme: “Krishti u Ngjall! – Vërtet u Ngjall!” jehon kudo ku ekzistojnë të krishterë. Si diell pranveror ngroh zemrat. I mbush me shpresë dhe me dëshirë përtëritjeje për fitoren e jetës. Sa herë që themi përshëndetjen paskale, diçka e gjallë kërcen brenda nesh. Sepse, në të vërtetë, nuk ekziston dhuratë më e çmuar për njeriun se sa dhurata e jetës, që na blatoi Krishti me ngjalljen e Tij! Jetën e vërtetë e cila fillon për cilindo prej nesh në  çastin kur ai pranon brenda vetes Zotin e ngjallur dhe nuk mbaron kurrë. Vazhdon në jetën e amshuar.
    
     Dita e Ngjalljes vazhdoi me të njëjtën madhështi dhe në shërbesën e Mbrëmësores së Dashurisë, në të cilën Ungjilli u lexua në gjashtë gjuhë të ndryshme. Pas Shërbesës së Dashurisë, në Mitropolinë e Beratit u organizuan pritjet e rastit, në të cilën erdhën dhe uruan përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe besimtarë të shumtë.
 
     
     Joan Qako