Festa e Ujit të bekuar është kremtuar me madhështi edhe në qytetin e Korçës. Qindra besimtarë orthodhoksë e festuan Theofaninë ose Epifaninë e shenjtë të Zotit tonë Jisu Krisht në kisha të ndryshme të qytetit dhe rrethinave, duke marrë pjesë në shërbesat e shenjta, të cilat u kryen me rastin e kësaj feste në datat 5 dhe 6 janar.
Më datën 5 u kryen Shërbesat e Orëve të Mëdha, Mbrëmësores së Madhe dhe në datën 6 e kremtja vazhdoi me Liturgjinë e Vasilit të Madh si dhe të Bekimit të Madh të Ujit. Brenda dhe jashtë saj, katedralja “Ngjallja e Krishtit” ishte mbushur me qindra besimtarë të ardhur në festën zotërore “të Dritave”. Të mbledhur së bashku për të adhuruar Perëndinë, por edhe për të ndarë mesazhet e kësaj të kremteje që i jep vetë shërbesa e bekimit të ujit siç quhet ndryshe edhe Ajazma e Madhe, besimtarët krijuan një atmosferë të vërtetë festive.
Pas bekimit të ujit, klerikët dhe besimtarët u drejtuan në shatërvanin pranë katedrales ku u krye edhe rituali i hedhjes së kryqit, duke u futur në ujë mjaft të rinj. Pas ceremonisë, besimtarët morën ujin e bekuar, duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e trupor, për familjen dhe të afërmit e tyre.
Isidor Koti