“Forcimi i Autoqefalisë së vërtetë dhe plotësimi i hierarkisë kishtare është pa diskutim vepër e Kryepiskopit Anastas”  
      – tha Hirësi Joani.
 
     Të Dielën e Thomait, më15 prill 2007, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë, besimtarët e shumtë të mbledhur për Liturgjinë Hyjnore, njëkohësisht morën pjesë edhe në kremtimin e gëzuar për 70-vjetorin e Autoqefalisë të Kishës sonë Orthodhokse. 12 prilli i vitit 1937 shënon në mënyrë thelbësore një ngjarje shumë të rëndësishme, siç u shpreh Kryepiskopi Anastas, për vetë jetën e Kishës sonë. Ajo shënon 70-vjetorin e dhënies të Tomosit të Autoqefalisë nga Patriarkana Ekumenike.
     
   “…Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë, të mbajtur më 14 prill 2007, e cila ishte një mbledhje panagjirike –iu drejtua Fortlumturia e Tij besimtarëve të pranishëm– vendosëm që sot të bëjmë Liturgji të gjithë së bashku dhe ta gëzojmë të gjithë së bashku këtë ditë…”
 
     Në këtë Liturgji Hyjnore festive dhe sinodike, që u krye nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Hirësia e Tij Joani, Mitropolit i Korçës, lexoi para besimtarëve të pranishëm TOMOSIN e Patriarkanës Ekumenike për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë.
    
    “Kisha jonë mori vendin e saj në gjithë sistemin organik të Kishës Orthodhokse –tha më pas Kryepiskopi Anastas. Nëse nuk do të kishim këtë Tomos, çfarëdo që të thoshim nuk do të ishim të njohur zyrtarisht si Kishë Autoqefale, sikundër ndodh tani me kishën fqinjë me qendër në Shkup, që thonë se janë të pavarur, por deri tani nuk i njeh askush. Termin “Autoqefal”, madje nuk e kuptojnë edhe disa pseudointelektualë, që bëjnë pjesë në disa organizata të tjera, në komunitete të tjera fetare, ose që nuk janë askund, të cilët mendojnë se kjo do të thotë të pavarur nga ndonjë fuqi e jashtme.
    

    
    Por fakti është se ne jemi autoqefalë, të pavarur, nga çdo gjë që ndodhet jashtë Kishës Orthodhokse, nga çdo organ shtetëror apo nga kushdo që kërkon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kishës. Kjo ka një rëndësi të veçantë dhe duhet ta kuptojmë, sepse shumë njerëz që nuk i kanë njohuritë përkatëse shkruajnë nëpër gazeta artikuj krejt të pavend e të pamend, ku përdorin shumë herë fjalën “Autoqefale”. Tomosi, është dokumenti që ndalon çdo ndërhyrje që mund të bëhet, madje edhe nga parlamenti apo organe të tjera në punët e brendshme të Kishës së Shqipërisë.”
     Më tej, e mori fjalën Hirësi Joani, i cili tha: “Përveç shpalljes, Autoqefalia e dhënë para 70 vjetësh nuk pati një jetë të gjatë. Madje vetëm dy vite ishin realisht me një Kishë Autoqefale, sepse më 1939 erdhi pushtimi italian dhe më pas regjimi komunist, ku Kisha ndodhej në një presion shumë të madh. Kur u rihap Kisha jonë, Patriarkana Ekumenike mori iniciativën dhe caktoi Kryepiskopin tonë të dashur për të ardhur këtu. Dhe ju të gjithë duhet të dini se një nga mbrojtësit e Autoqefalisë së Kishës sonë u tregua Kryepiskopi Anastas, sepse shumë zëra filluan të flisnin se nëse Kisha ishte shkatërruar dhe nuk ekziston, atëherë edhe Autoqefalia nuk ekziston më.
 
     E në këto zëra ishin edhe kanonistë të dëgjuar, njerëz të shquar të Kishave Orthodhokse, ndaj për ardhjen këtu Kryepiskopi vendosi tri kushte, një nga të cilat ishte njohja e Autoqefalisë. Dhe jo vetëm njohja e Autoqefalisë, por kërkesa duhej të vinte, siç erdhi për Tomosin, nga vetë Kisha këtu. Kështu që ishte Kisha jonë e cila i kërkoi përsëri Patriarkanës Ekumenike të themelonte e të rivendoste Sinodin dhe Kryepiskopin.
 
    Forcimi i Autoqefalisë së vërtetë dhe plotësimi i hierarkisë kishtare është pa diskutim vepër e Kryepiskopit Anastas. Unë besoj se disa gjëra që shkruajnë janë jo vetëm të pavërteta, por e kundërta është e vërtetë, sepse Kryepiskopi Anastas u tregua gjatë gjithë këtyre viteve mbrojtësi, konsoliduesi dhe forcuesi i kësaj Autoqefalie. Siç e përmendi Kryepiskopi, Autoqefalia nuk është vetëm thjesht i pavarur nga kishat e tjera, sepse me kishat e tjera orthodhokse ne jemi të lidhur në mënyrë dogmatike, por Autoqefali do të thotë e pavarur nga çdo grupim që ndodhet jashtë apo brenda vendit, siç theksohet edhe te Tomosi, për të cilin Shteti Shqiptar i asaj kohe i dha garanci Patriarkanës, që nuk do të ndërhynte në çështjet e brendshme të Kishës. Pikërisht kjo ishte edhe një nga arsyet që Patriarkana dha Autoqefalinë. Kjo Autoqefali është e njëjta edhe sot, që shteti duhet të garantojë pavarësinë e brendshme të Kishës sonë Orthodhokse.
 
    Unë, meqenëse kam sot rastin, do të shpreh falënderimin për Kryepiskopin, për veprën e tij të madhe jo vetëm në rindërtimin e Kishës, që është gjëja themelore, por edhe në forcimin dhe konsolidimin e kësaj Autoqefalie. Perëndia t’i japë jetë të gjatë, t’i japë fuqi për të mirën tonë dhe të mirën e Krishterimit kudo në botë.
 
    Gjatë kësaj Liturgjie Hyjnore u bë dorëzimi në dhjak i z. Spiro Kostoli, i cili ka mbaruar studimet në Akademinë tonë Teologjike dhe më pas ka studiuar jashtë për Muzikë Bizantine, lëndë të cilën e jep si pedagog në Akademinë tonë Teologjike në Shën Vlash, duke qenë shumë aktiv edhe në koret e Kishës. Gjithashtu, ai vjen nga një familje orthodhokse me tradita dhe ka edhe një motër murgeshë.
 
 
Luljeta Pjetri