“Në epokën tonë, në deklaratat publike, mbisundon theksimi i dinjitetit të njeriut. Por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore, është ajo që zotëron në të kremten e sotme: Biri i Perëndisë së gjallë, të paafrueshëm dhe të tërëfuqishëm, mori natyrën njerëzore, u bë njeri. Ky vazhdon të jetë mesazhi qendror mahnitës i Krishtlindjes. Perëndia nuk dërgoi engjëj për shpëtimin e botës, nuk mori formën e një krijese tjetër, por u bë njeri. Në këtë mënyrë theksoi qartazi vlerën e jetës së njeriut në vetvete dhe shfaqi shenjtërinë e çdo qenieje njerëzore.” Kështu e nisi Kryepiskopi Anastas Mesazhin tradicional të Krishtlindjes, që u lexua në mbarim të Liturgjisë Hyjnore festive, që u krye në Katedralen e re “Ngjallja e Krishtit”. Ai bashkëmeshoi me anëtarë të tjerë të Sinodit të Shenjtë, Episkopin e Apolonisë Nikollën, Episkopin e Krujës Andonin, Episkopin e Amantias Nathanailin dhe Episkopin e Bylisit, Astin.
Atmosfera e Krishtlindjeve kishte ditë që ndihej në të gjithë Kryeqytetin edhe përpara datës 25. Krishtlindja u bë edhe më e veçantë nga veprimtaritë e shumta me fëmijët, si koncertet, kolendrat etj., por edhe me veprimtaritë bamirëse, duke shpërndarë dhuratat dhe ushqimet që ata vetë kishin mbledhur. Këtë atmosferë e theksonin dhe shërbesat e veçanta të kësaj periudhe, si Efqelia, Shërbesa e Orëve etj.
Ato kulmuan ditën e Krishtlindjes me Liturgjinë Hyjnore të Shën Vasilit, që nisi në orën 6.30, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Ajo ishte e mbushur që herët, por edhe gjatë gjithë ditës nuk rreshti lumi i besimtarëve që vinin për të ndezur qirinj dhe për t’u lutur. Ata që nuk mundën të vijnë në kishë e ndoqën meshën në transmetimin e drejtpërdrejt në RTSH, por edhe në lidhjet direkte dhe kronikat e televizioneve të tjera.
Mesazhi i Krishtlindjes i Kryepiskopit Anastas ishte i përqendruar tek “Vlera e pakonceptueshme e jetës njerëzore”, të cilën e thekson në mënyrë të veçantë kjo e kremte, duke u ndalur në mënyrë të veçantë edhe tek lufta kundër indiferentizmit ndaj njerëzve të tjerë dhe tek rëndësia e solidaritetit, respektit dhe ndihmës për ta. Por u theksua edhe dimensioni i jetës së përjetshme, që ajo sjell. “…Përpos jetës biologjike, ekziston edhe një jetë e një cilësie më të lartë; ajo shpirtërore, që fal dhe nxit besimin, që mundëson hapjen e zemrës sonë në zonën e shpirtit”, – do të nënvizonte Fortlumturia e Tij në këtë Mesazh.
Thoma Dhima