Lutjet dhe shërbesat kishtare, shoqëruar me banderolat plot urime paskale në rrugët e qytetit, demonstronin një klimë festive gjatë Javës së Madhe deri në Ngjalljen e Zotit. Shërbesat kishtare u zhvilluan në të gjitha kishat e qytetit dhe u ndoqën nga besimtarë të shumtë. Pjesëmarrja u bë më intensive, tëMërkurën e Madhe në mbrëmje, ku siç është bërë tashmë traditë të gjithë besimtarët mblidhen në katedralen e Burimit Jetëdhënës. Atje ndoqën shërbesën e Efqelisë, e cila u celebrua nga Imzot Joani. Të Enjten e Madhe shërbesat vazhduan në të gjitha kishat. Imzot Joani, në predikimin e tij në përfundim të shërbesës, theksoi: “Nëse ne do të bëhemi qenie shpirtërore të vërteta, atëherë edhe mendja jonë do të jetë e kthjellët dhe do të kuptojë. Ne kemi një mendje që kupton vetëm nga ana e jashtme, një mendje që kupton vetëm me prova dhe shpjegime dhe nuk mund të kapë dot misteret e shenjta të Kishës, sepse që të kuptohen këto mistere duhet të ndodhë procesi i pendimit, i kthimit dhe i afrimit me Perëndinë”.

   Të Enjten e Madhe, në orët e mbrëmjes, sipas tipikosë së ritualit të ditës Zoti i varur mbi Kryq u vendos në mes të kishës, ku qindra njerëz u përgjunjën përpara të Kryqëzuarit. Po në këtë ditë në sheshin përpara katedrales u vendosën nga Bashkia e Korçës dhjetë shtëpi prej druri ku dhe u zhvillua panairi tradicional i baltës, një traditë mjaft e vjetër në Korçë. Sipas legjendës kjo traditë është marrë nga Ungjilli, ku me të hollat që Juda kthehu pas tradhtisë që i bëri Zotit u ble ara e shtëmbarit, poçebërësit dhe këtë ditë, sipas traditës, të gjithë blenë artikuj balte, si kujtim i kësaj ngjarjeje.

    Dita e premte në mëngjes filloi me shërbesën e zbritjes së Zotit nga kryqi. Menjëherë pas këtij momenti, tingujt e kambanave filluan të përshkojnëvajtueshëm qytetin. Përsëri mijëra njerëz u falën përpara Epitafit të Zotit. Pasditja e së premtes mblodhi përsëri besimtarët në kishat e enorive të tyre, ku pas Vajtimeve të Përmbivarrshme në orën 18.45 u bë takimi i pesë epitafëve të të gjitha kishave. Në të njëjtën kohë, banda e qytetit shoqëronte epitafët me marshe funebër dhe nën melodinë e stancës së tretë të vajtimeve. Procesioniu ndoq nga mijëra njerëz, të cilët shoqëronin nga pas kortezhin përgjatë lëvizjes së tij në unazën e vogël të qytetit.

   Kulmi i festimeve arriti natyrshëm në mesnatën e së shtunës. Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joani, shpalli lajmin e gëzuar dhe triumfal të Ngjalljes, duke thënë gjithashtu në urimin e tij: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali” Mitropoliti tha se kjo është me të vërtetë një ditë ngazëllimi. Sado vështirësi që të kemi, ne kemi gjithmonë shpresë dhe shpresa jonë i ka themelet në shkëmbin e Ngjalljes së Krishtit, sepse Ai nëpërmjet Kryqëzimit dhe Ngjalljes e mundi përgjithmonë vdekjen dhe gjithçka tjetër që e dëmton njeriun.

    Por ajo që e bëri më mallëngjyese kremtimin e kësaj Pashke ishte sjellja në Korçë e Dritës që ndriçoi në varrin e Krishtit, në Jerusalem. Kjo ishte hera e parë në historinë e Mitropolisë së Korçës, që Drita e Jerusalemit të vinte në këtë qytet. Pasi u soll në Korçë më pas u shpërnda në të gjitha kishat e qytetit.

     Ditën e dielë në ora 10.00 sikundër është traditë, u celebrua Mbrëmësorja e Dashurisë, e cila kryhet gjithmonë në kishën e Burimit Jetëdhënës. Në vazhdim, në selinë e Mitropolisë u pritën vizita me rastin e Pashkës. Morën pjesë pushtetarët lokalë, njerëz të artit dhe kulturës, personalitete të botës akademike edhe qindra besimtarë, të cilët me urimin Krishti u Ngjall, morën dhe bekimet atërore të Mitropolitit Joan.

 
Gjithçka ishte e mbushur me urimin Krishti u Ngjall!
 
Dhjakon Mihal Sonellari