Emra dhe fytyra të reja mes maturantëve dhe studentëve orthodhoksë. Ata erdhën me frymë të thellë besimi dhe përjetimi paskal në konferencën e maturantëve dhe të studentëve.
 
 
    Pjesëmarrje që i kapërceu parashikimet. Plot 80 maturantë dhe 120 studentë shijuan tre ditë të veçanta në dy javë të ndryshme. Nuk munguan risitë, gjithçka e organizuar në përmasat e një aktiviteti të mirëfilltë dhe serioz, me program të pasur dhe i pëlqyer nga të gjithë pjesëmarrësit.
     
    Datat 4 – 6 maj për maturantët dhe një javë më pas 11 – 13 maj për studentët do të shënohen në historinë e konferencave pranverore si ditët më të spikatura të kësaj periudhe, kur të rinjtë dhe të rejat orthodhokse u larguan prej ritualit të përditshmërisë së studimeve, jetës familjare ose konviktore, përgatitjet për provimet e fundit të vitit shkollor.
 
    Tre ditë në Manastirin e Hirshëm dhe të bukur të Shën Vlashit e gërvishtën monotoninë e ditëve të zakonshme, duke sjellë një tjetër përjetim shpirtëror dhe jetë rinore në konferencën e titulluar “Ngjallja e Krishtit – burim jete”.
    Me të vërtetë, në këtë atmosferë Ngjalljeje, gjallëria e maturantëve dhe e studentëve e mbushi Manastirin me gëzim e dashuri vëllazërore mes të rinjve dhe të rejave që kishin ardhur nga pothuajse të gjitha Mitropolitë e Kishës sonë, nga qytete si: Tirana, Elbasani, Korça, Pogradeci, Berati, Lushnja, Gjirokastra etj.
   
    Gjatë konferencës së gjimnazistëve programi ishte i pasur me shërbesa fetare, aktivitete në grupe, lojëra të ndryshme e konkurse. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Hirësi Nikolla, i  cili theksoi se nevojat e Kishës tani dhe në të ardhmen janë shumta. “Ju jeni fëmijët dhe bijtë e Kishës dhe juve ju duhet të punoni dhe të vazhdoni veprën e saj”.
    Maturantët ndoqën më vëmendje prezantimin e studentëve të Akademisë Teologjike, të jetës dhe veprimtarive të saj, bashkëbiseduan me studentët. Ata morën ftesë për të ndjekur studimet në këtë shkollë, duke i shërbyer Krishtit dhe Kishës dhe shumë besimtarëve e brezave të ardhshëm. Disa prej tyre shprehën interes për të ndjekur studimet në Akademi.
    Ndërsa në konferencën studentore, ditën e parë studentët morën pjesë në shërbesën lutësore të Kanonit të Pashkës dhe dëgjuan fjalët e mirëseardhjes të ndihmës drejtorit të Akademisë Teologjike, Episkopit të Apolonisë, Hirësi Nikolla. Referati i parë u mbajt nga i ftuari special i konferencës, Atë Davidi, i cili punon në detyrën e zv/drejtorit të Qendrës Misionare në SHBA. Ai foli për mënyrën se si duhet ta rrisim besimin te Perëndia.
     “Shpeshherë ne mendojmë se duhet të punojmë shumë që të marrim dashurinë e Perëndisë. Nuk ka asnjë që do ta bëjë Perëndinë ta ndalojë këtë dashuri. Sepse Ai është dashuri dhe ju do gjithmonë. Ne duhet t’i zëmë besë. Ka gjëra që duhen rregulluar në jetën tonë dhe kjo duke e pranuar dashurinë e Perëndisë” – nënvizoi Atë Davidi.
 

    Përmes përvojës së tij si misionar dhe historive të ndryshme që flisnin në analogji me jetën e një besimtari, gjatë referatit të parë ai përcolli tek studentët mesazhin e dashurisë dhe shpresës që burojnë nga Perëndia, të cilat njerëzit duhet t’ia besojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Pas referatit, studentët u ndanë në grupe, duke u njohur me njëri-tjetrin dhe duke zhvilluar së bashku biseda e lojëra të ndryshme. Në mbrëmje u organizua një festë e veçantë për një nga studentet pjesëmarrëse të konferencës, e cila festoi 22-vjetorin mes miqve të saj orthodhoksë.
    E shtuna ishte ditë e mbushur me larmi aktivitetesh. Pas Shërbesë së Mëngjesit, u mbajt referati i dytë nga pedagogu i Akademisë Teologjike, z. Thoma Çomëni me temën: “Roli i rinisë në shoqërinë bashkëkohore”. Ai tha se “…besimi nuk është vetëm një çështje llogjike apo ndjenjash. Një besimtari të cilit i mungon njëra nga këto të dyja është e vështirë që të jetë një njeri me besim. Pra neve shoqëria, na e ofron këtë mundësi që të jemi besimtarë.
 

    Roli ynë brenda në shoqëri është të ofrojmë shpresë. Duhet të mendojmë dhe të marrim role brenda kësaj shoqërie. Edhe sikur mos të jemi duke shërbyer brenda Kishës, rolet e ndryshme që do të bëjmë në shoqëri me profesionin tonë, do të na duhet që ta kemi në mendje, rolin parësor të Perëndisë, atë që të duam Perëndinë dhe t’i shërbejmë njerëzve të tjerë.”
    Më tej, të ndarë në grupe, studentët morën pjesë në studimin biblik rreth lutjes së Apostull Pavlit për Efesianët. Ata morën pjesë aktive duke rrahur mendime dhe përvoja të ndryshme nga jeta e tyre shpirtërore dhe shoqërore. Gjatë mesditës u zhvillua edhe kampionati i volejbollit, ndërsa në pasdite u kryen vizita baritore në qendrën rehabilituese të fëmijëve handikapatë, në 2 jetimore dhe në spital. Studentët orthodhoksë biseduan me ta, u dhanë dhurata dhe premtuan se do t’i vizitonin përsëri.
    Pasditja vijoi me kohën e lirë në plazhin e Durrësit, lojëra sportive e shëtitje buzë detit. Në mbrëmje, studentët ndoqën referatin e dytë të Atë Davidit, i cili theksoi se jeta jonë është një proces për t’u afruar tek Perëndia. “Çdo njeri nga ne ka të drejta e pritshmëri në jetë. Ungjilli na sfidon dhe na thotë se këto të drejta duhet t’ia japim Perëndisë. A jeni të gatshëm t’ia jepni këtë Perëndisë? Sa herë që shkoni drejt Altarit, ju jepni veten dhe shpresat tek Perëndia”.
 
    Ditën e fundit të konferencës, studentët morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore të së dielës. Pas Liturgjisë, ata ndoqën prezantimin e studentëve të Akademisë Teologjike, të cilët folën rreth jetës dhe aktiviteteve të Akademisë. Gjithashtu për grupet fituese të lojërave sportive u shpërndanë edhe dhurata të veçanta, ndërkohë që për të gjithë pjesëmarrësit në konferencë u dhurua një çantë me librin e Kryepiskopit Anastas “Tani të gjitha u mbushën me dritë”, një kryq i punuar me dorë, mesazhe paskale dhe temjan. Konferenca studentore përfundoi me sukses dhe studentët u larguan me mbresat më të mira nga aktiviteti.
 
    
 
Isidor Koti  dhe  Nestilda Dangaj