
KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
Sinodii Shenjtë
Komunikatë
Lidhur me kërkesën e P.D.I-së për “Lutje Ndërfetare”
Sinodi i Shenjtë në mbledhjen e datës 25 qershor 2007 mori në shqyrtim kërkesën që Partia për Drejtësi dhe Integrim na ka dërguar për “lutje ndërfetare” dhe deklaron sa më poshtë:
Në takimin që përfaqësuesi ynë i autorizuar pati me kryesinë e PDI-së sqaruam se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk merr pjesë në veprimtaritë e partive politike, sikundër edhe më parë ia kemi bërë të qartë me shkrim kësaj partie. Parim bazë i Kishës është të mos përzihet, direkt ose indirekt, në çështje politike të brendshme ose të jashtme.
Në mënyrë të posaçme “lutjet ndërfetare” janë të ndaluara prej Kanoneve të Shenjta të Kishës Orthodhokse. Për këtë arsye gjatë viteve Kisha jonë nuk ka marrë pjesë në asnjë “lutje” ose “meshë” “ndërfetare”.
Përshpirtjet për të vdekurit janë një pjesë e rëndësishme e lutjes së Kishës dhe duke pasur një karakter të shenjtë dhe kishtar ato kryhen në përputhje me rregullat e shërbesave kishtare orthodhokse. Lutjet për viktimat e luftërave, për ata që ranë për liri dhe atdhe, kryhen në Kishë sipas traditës së saj dhe jo me porosi partish apo urdhra politikanësh nga Kuvendi.
Shqipëria sipas Kushtetutës është shtet laik, i cili përparon drejt Bashkimit Evropian dhe feja duhet të lihet në seriozitetin dhe rolin e saj hyjnor, të mos tentohet implikimi i saj me mënyra të drejtpërdrejta ose të tërthorta në lojëra politike.
Kryesekretariati i Sinodit të Shenjtë