Në datën 30 prill, në një nga mjediset e Hotel “Tirana International”, Komiteti Shtetëror i Kulteve organizoi një bisedë me komunitetet fetare tradicionale. Tema e saj ishte: “Mbështetja financiare e komuniteteve fetare – Përvojë evropiane dhe traditë shqiptare”.
    Veprimtaria u hap nga kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve z. Rasim Hasanaj, e më pas përshëndeti përfaqësuesi i Qeverisë, z. Ekrem Spahia.
   Pas një paraqitjeje të shkurtër filmike për ringjalljen e komuniteteve fetare, e morën fjalën kryetarët e tyre, Haxhi Selim Muça, Kryepiskopi Anastas, Imzot Rrok Mirdita, dhe Haxhi Dede Reshat Bardhi, të cilët falënderuan për këtë nismë, por ngritën edhe probleme e sugjeruan zgjidhje për çështjet ende të pazgjidhura.    
 
   Më poshtë po japim të plotë fjalën e Kryepiskopit Anastas.
   Ne duhet ta pranojmë se vitet e fundit, janë realizuar shumë hapa të rëndësishëm nga Qeveria Shqiptare për Komunitetet Fetare Tradicionale të vendit. Nënshkrimi i Marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Fetare Tradicionale (e cituar Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella), që u bë ligji nr. 10057/22.1.2009, duke implementuar nenet e shkëlqyera (fetarë) të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, është një moment jetik në historinë fetare të Shqipërisë. Kjo tregon se në Shqipëri, shteti dhe ne jemi të aftë, jo vetëm të ndjekim shembujt e mirë evropianë të bashkëpunimit midis Shtetit dhe Feve, por gjithashtu, mund të jemi origjinalë dhe të ofrojmë ide të reja në këtë çështje kaq të rëndësishme për Ballkanin. Për këtë event, përgëzojmë sinqerisht Komitetin Shtetëror të Kulteve, që ka punuar me kompetencë dhe në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e komuniteteve fetare.
     Iniciativa e re për mbështetjen financiare të Komuniteteve Tradicionale Fetare ecën në të njëjtën linjë pozitive. Dhe me këtë rast, unë do të doja të bëja vërejtjet e mëposhtme.
    1. Komunitetet fetare të Shqipërisë kanë qenë ndihmuar deri tani nga asistenca bujare e miqve nga vende të huaja. Ndërsa sot, meqenëse Shqipëria ka një demokraci të zhvilluar dhe ecën drejt Institucioneve Evropiane, është çështje dinjiteti dhe sigurie të ndihmojë komunitetet fetare të mbështeten nga burime lokale. Me vlerat shpirtërore që ato përfaqësojnë dhe kultivojnë (ndershmëri, solidaritet, dashuri, përgjegjësi, falje, kreativitet dhe me një numër të madh veprimtarish sociale) komunitetet fetare kontribuojnë në mënyrë thelbësore për stabilitetin dhe progresin e tërë shoqërisë shqiptare dhe është e natyrshme të mbështeten nga Shteti për vazhdimësinë e këtij kontributi shoqëror. 
 
    2. Por kjo është gjithashtu një çështje drejtësie. Ne nuk duhet të harrojmë se shteti shqiptar gjatë periudhës komuniste konfiskoi gjithë pasuritë e komuniteteve fetare dhe për kaq shumë vite i ka përdorur ato për përfitimin e tij. Por gjithashtu pas vendosjes së demokracisë, ka vazhduar për 18 vjet të njëjtën gjë, duke përfituar prej tyre. Duke parë tetëmbëdhjetë vitet e kaluara, komunitetet fetare tradicionale, mbështetur në prestigjin e tyre moral dhe falë shumë miqve ndërkombëtarë, kanë kontribuar në mënyrë të qenësishme për investime të rëndësishme në Shqipëri, duke sjellë një sasi të madhe monedhe të huaj në vend. Duke u nisur nga eksperienca ime e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, do të përmend si shembull ndërtimin e më shumë se 400 objekteve (kisha, manastire, klinika, shkolla, qendra rinore, streha bamirësie etj); ne u kemi ofruar punë disa mijëra vetave dhe kemi kontribuar me dhjetëra milionë euro në ekonominë e Shqipërisë. Gjithashtu kemi shpenzuar shuma të mëdha edhe për restaurimin e monumenteve të kulturës. Kanë qenë gjithashtu shumë të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë iniciativat sociale: ndihma e menjëhershme për mijëra njerëz në nevojë në vitet e trazirave (1994, 1997, 1999, kur mijëra refugjatë nga Kosova erdhën në Shqipëri); iniciativa krijuese dhe veprimtari të ndryshme në fushat e shëndetit, edukimit, zhvillimit bujqësor në zona të vështira dhe në mbrojtjen e ambientit.
    Sa i takon financave të shtetit, ne kemi kontribuar me anë të pagimit të milionave për taksat (20% TVSH)  plus taksën e sigurimeve shoqërore për qindra të punësuar në sektorë të ndryshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
    Sa u thanë më lart, i përmenda, duke e ditur mirë se të gjitha komunitetet fetare kanë ofruar, direkt ose indirekt, një kontribut të ngjashëm dhe shumë të rëndësishëm në periudhën kritike të historisë së Shqipërisë të këtyre 18 viteve të fundit. Për këtë arsye, siç deklarova më sipër, është një çështje drejtësie që tani Shteti të ndihmojë komunitetet fetare.
    3. Kjo ndihmesë mundet dhe duhet bërë jo vetëm me Marrëveshjen dhe miratimin e projektligjit për financimin e Komuniteteve Fetare Tradicionale nga Shteti, por edhe duke lehtësuar procesin e zgjidhjes së shumë çështjeve legale të ngelura pezull, që ndodhen në zyra të komiteteve të ndryshme shtetërore, në agjenci dhe në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat kanë shtyrë me pretekste të ndryshme, rikthimin e pasurive fetare.
     4. Në fund, do të doja të nënvizoja domosdoshmërinë e edukimit të drejtuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri. Jo vetëm në nivelin e dytë, por edhe në nivelin e edukimit universitar. Këtë, çdo vend evropian e realizon prej shekujsh. Është e nevojshme për Shqipërinë të përgatisë drejtuesit e ardhshëm fetarë me vlerat tradicionale shqiptare të tolerancës fetare dhe bashkekzistencës paqësore. Mungesa e këtyre institucioneve në nivele universitare lokale, i detyron komunitetet fetare të dërgojnë kandidatët e tyre në vende të tjera, nga ku ata shpesh vijnë me një mentalitet, plane dhe interesa të ndryshme.
 
    Sot gjej rastin për të bërë këto vërejtje dhe propozime, duke e ditur interesin e Komitetit Shtetëror për Kultet për dialog krijues dhe kooperim të sinqertë me komunitetet tradicionale fetare. Ne e vlerësojmë me të vërtetë këtë interes. Dhe një herë tjetër ne përgëzojmë dhe shprehim falënderimet tona në lidhje me këtë.