Fundi i dhjetorit të gjitha familjet orthodhokse të Beratit i gjeti në përgatitje e sipër për të pritur festat e mëdha të fund vitit, Krishtlindjeve, Shën Vasilit dhe Pagëzimit të Krishtit (Ujit të Bekuar).

   Si gjithmonë përgatitja e parë është ajo e pastrimit dhe zbukurimit të shtëpive. Dritat e bukura shumëngjyrëshe që shprehin madhështinë e këtyre festave dukeshin kudo si në rrugët e qytetit ashtu dhe në shtëpitë e shumta të qytetarëve beratas.

 

    I afrohemi periudhës së Krishtlindjeve ku në Berat traditat e kësaj feste janë të shumta. Atmosfera e Krishtlindjeve ndihesh që disa ditë më përpara, por festa e Krishtlindjeve fillon realisht që momentet e para të mëngjesit të datës 23 dhjetor, e cila do të jetë një ditë e mbushur me aktivitete të ndryshme të trashëguar nga të parët tanë. Është zakon në familjet e qytetit që zonja e shtëpisë të ngrihet e para nga gjumi në këtë ditë dhe të përgatisë kolindet, gatim që simbolizon lindjen e shpëtimtarit tonë Jisu Krishtit.

    Duke bërë fillimisht Kryqin, simbolin tonë si të krishterë, fillojnë të gatuajnë, duke i bërë kolindet në forma të ndryshme. Spikat forma e një gruaje me një fëmijë ndër duar, që natyrisht simbolizon Zonjën Shën Mari duke mbajtur ndër duar Birin e saj, Zotin tonë Jisu Krishtin. Kolindet bëhen dhe në forma të tjera si ato në formë ylli që simbolizon yllin e Betlehemit, që lajmëroi dhe drejtoi magët se Shpëtimtari lindi, kemi dhe  kolinde në formën e një luleje që simbolizon bukurinë e Krishtlindjeve etj.

    Kolindet kanë një recetë të thjeshtë, duke gatuar brumin me sheqer dhe duke e prerë në format e sipërpërmendura, dhe theksohet fakti se çdo shtëpi bën një numër të madh kolindesh, të cilat do t’ia dhurojë çdo fëmije që do të vijë në shtëpi si dhe për konsumim familjar në ditët përpara Krishtlindjes, pasi kolindet janë gatime kreshmore.

    Kjo ditë është e lodhshme kryesisht për fëmijët, sepse data 23 dhjetor më shumë se kurrë do të jetë festa e tyre. Dhe janë këta fëmijë që gjatë gjithë mbasdites u gjendën në grupe të vogla 3 – 4 veta, duke lëvizur nëpër rrugët e qytetit, me kutinë e cila ka të ndriçuar një yll, i cili simbolizon yllin e Betlehemit, duke shkuar shtëpi më shtëpi, duke lajmëruar lindjen e Shpëtimtarit.

    Të gjitha grupet udhëhiqen nga një yll ashtu siç u udhëhoqën barinjtë apo magët e famshëm në lindjen e mrekullueshme të Zotit tonë Jisu Krishtit. Të bie në sy dashuria dhe ëmbëlsia e zërave fëminorë që përhapin lajmin e mirë: se ylli i bukur që ndriçoi lart në qiell u tregoi njerëzve rrugën e diturisë dhe të shpëtimit. Të gjithë këta fëmijë përhapin lajmin se, sot dashuria dhe shpëtimi u mishërua me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, sot ndriti një shpresë, ndriti “Ylli i Bukur i Diturisë”.

    Nga ana tjetër mikpritja e familjeve beratase nuk mungoi në këtë mbrëmje, ata pritën dhe përcollën shumë grupe fëmijësh deri në orët e vona të natës, duke i qerasur fëmijët me ëmbëlsira të ndryshme dhe duke iu dhënë shpërblime të vogla simbolike në para, pasi sipas traditës së këtij vendi kush sjell lajmin e një fëmije që lind, shpërblehet me një shumë simbolike. Të gjitha familjet e quajnë këtë natë të shenjtë dhe të mrekullueshme sepse kjo natë përmban brenda saj shumë dashuri, harmoni dhe gëzim.

    Të gjitha këto tradita të cilat shërbejnë për të pritur Shpëtimtarin përmbushen më datën 25 dhjetor, ditë, e cila përkon me Lindjen e Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Me një atmosferë të gëzueshme erdhi dita e shumëpritur, në të cilën besimtarë të panumërt u nisën qysh në orën 06 të mëngjesit nga drejtime të ndryshme për në kishën e Shën Spiridhonit, në Goricë, dhe në kishën e Shën Gjergjit, në Kala, ku u celebruan me madhështi shërbesat e Krishtlindjeve.

    Në të dyja këto kisha, në mbarim të Meshës Hyjnore, u lexua dhe u dëgjua me vëmendje të posaçme mesazhi i Hirësi Ignatit, drejtuar klerit dhe besimtarëve shpresëtarë orthodhoksë, ku, ndër të tjera, theksohet: “…..Ky Shpëtimtar, të cilin e priste njerëzimi, dhe u ishte shfaqur profetëve dhe që e dëshironin popujt, erdhi! Lajmi, se “Lindi për ne sot Shpëtimtari”, u përhap nga qiejt, përmes gojëve engjëllore, për të mbushur zemrat tona me shpresë, paqe dhe gëzim…..  Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Le të dëshirojmë të vijmë pranë Krishtit të porsalindur, Shpëtimtarit tonë, me thjeshtësinë e barinjve të Betlehemit.

    Le t’i afrohemi me respektin dhe shpresëtarinë e magëve të Lindjes, duke i ofruar temjanin e lutjes së pastër, arin e veprave tona të virtytshme dhe smirnën e lotëve të pendimit tonë. Le t’i duam armiqtë tanë, ashtu siç na deshi Ai neve. Le t’i mëshirojmë të varfrit, ashtu siç na mëshiroi Ai neve.

    Le të bëhet zemra jonë Grazhd për ta mirëpritur. Dhe kur të ndriçohemi me dritën e Tij, le të bëhemi rreze të ndritshme dhe yje të Betlehemit për të trumbetuar kudo dhe përherë tek të gjithë njerëzit, me fjalë dhe me vepra, se “Lindi për ne sot Shpëtimtari, i cili është Zoti Krisht”(Llk. 2:11).

    Të ngazëlluar nga kjo festë madhështore e mbarë njerëzimit, besimtarë të shumtë bënë një vizitë të paharruar në Selinë Mitropolitane, ku gjithashtu erdhën për të uruar edhe Prefekti i Beratit, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Kryetari i Bashkisë me anëtarët e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të Myftinisë së Beratit, përfaqësues të Komunitetit Romano-Katolik, të cilët të gjithë këta vizitorë dhe persona të nderuar i priti me ngrohtësi dhe përzemërsi të veçantë Mitropoliti i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati, i cili shkëmbeu me të gjithë thirrjen e zjarrtë të paqes, bashkëpunimit, tolerancës, vëllazërimit për të mirën dhe begatinë e bashkëqytetarëve tanë.

    Përfundoi kështu një prej festave kulmore të kësaj periudhe festive dymbëdhjetëditëshe, periudhë shumë e ngjeshur me festa e aktivitete, e cila përbën edhe një nga periudhat më të bukura të vitit. Përjetuam një gëzim të veçantë që gjendet vetëm në festën e Krishtlindjeve.

 

Joan Qako