“Erdhi Krishtlindja… gëzohuni….” – kumbonin zërat e tyre. Ishin mbresa të mrekullueshme e të paharruara. Fëmijët bashkoheshin me këngët, ndërsa familjarët me urime e buzëqeshje. Ata çuditeshin kur gjyshërit dhe gjyshet, me shumë dëshirë, me zërin që ju dridhej nga mosha, nisnin të këndonin: “Zonja, zotërinj, një lajm gazmor dëgjoni…”. Bashkoheshin zëra brezash. 
    Më 22 dhe 23 dhjetor nëpër rrugët e Tiranës, disa grupe fëmijësh trokisnin dyerve dhe me këngë të përshëndesnin: “Zonja e zotërinj një lajm gazmor pranoni”. Hapeshin dyert me dashuri, hapeshin dhe zemrat për të dëgjuar këtë lajm. Në duar këta fëmijë të qeshur e plot gëzim, me shumë kujdes mbanin “dritën e botës”. Ishte një grazhd. Dhe fëmijët këndonin: “Si grazhdi është zemra ime e përulur…”. Ndaj kishte aq vlerë ai grazhd i vogël dhe i thjeshtë, por me një domethënie të madhe. Fëmijët kalonin nga njëra derë në tjetrën, nga një familje në tjetrën, nga një anë e Tiranës në anën tjetër të saj.
    Kishte shumë gëzim në zemrat e tyre, gëzim që ua jepte lajmi që jepnin, gëzim që kalonte nga zemrat e tyre në zemrat e njerëzve që e dëgjonin. Ishte lajmi që tregonte: “… po afron lindja e Shpëtimtarit”. Këta fëmijë që vraponin nga Kombinati në Laprakë, nga Alliasi në Selitë, nga rruga e Kavajës deri rrëzë malit të Dajtit. Ishin fëmijë nga qendrat e katekizmit të fëmijëve në Tiranë, që me këngë në gojë dhe me gaz në zemër jepnin lajmin e lindjes së foshnjës Jisu, që do të bëhej Shpëtimtari i botës.
    Dhe bashkë me këtë lajm të mrekullueshëm vinte dhe urimi i tyre: “…Kolendrat, kolendrat sot, gëzuar për shumë mot”.
Parashqevi Gjergo