– Përgjigje ndaj shkrimeve të pavërteta me autor z.Pëllumb Xhufi të botuara në gazetën “Dita”-
Artikull i botuar dt. 25/09/2014, në gazetën “Dita”, fq.9
Z. Kryeredaktor,
Në intervistën dhënë në gazetën tuaj, të dt. 3 shtator 2014, z. Xhufi, duke vazhduar polemikën e tij të dhunshme kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kundër Shën Kozmait dhe Kryepiskopit Anastas, arriti deri në atë pikë sa të mbështesë pohimin, se “me z.Janullatos në krye të KOASH-it, qarqet nacionaliste greke dhe Agimi i Artë paskan sajuar edhe një tjetër casus belli kundër Shqipërisë”. Këto janë sa fantazime të çuditshme aq edhe “profeci” qesharake! Gjatë gjithë 23 viteve që Kryepiskopi jeton bashkë me ne, flet, shkruan dhe përpiqet për bashkëjetesën paqësore midis njerëzve dhe dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Greqisë, për mirëkuptimin e ndërsjellë. Me të vërtetë, ai është një urë miqësie midis popujve. Jemi edhe ne qytetarë shqiptarë, shumica moshatarë me z. Xhufi, klerikë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe, duke shprehur mendimet dhe ndjenjat e të gjithë klerit orthodhoks, ndiejmë nevojën për të dëshmuar publikisht eksperiencën tonë.
Z. Xhufi përpiqet ta paraqesë kryepiskopin si gjoja“nacionalist”, madje e lidh atë me Agimin e Artë. Këto janë akuza krejtësisht të pabaza. Kryepiskopi iu kundërvu nga vitet e para çdo lloj prirjeje nacionaliste dhe është bërë shënjestra e qarqeve ekstremiste nacionaliste si të Greqisë ashtu edhe të Shqipërisë. Me fjalë dhe me vepra, ai mbështet gjithmonë pajtimin e popujve, detyrimin për mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë dhe veçanërisht miqësinë shqiptaro-greke dhe ecurinë e përbashkët. Në librat, në intervistat, në artikujt e tij nuk ekziston as edhe fraza më e vogël nacionaliste. Që nga vitet ‘70, kur z. Xhufi me kolegët e tij, organizonin së bashku persekutimet ateiste ndaj fesë në Shqipëri, episkopi Anastas Janullatos, atëherë profesor ii Universitetit të Athinës, merrte pjesë në organizma botërorë për dialogun midis feve, në përpjekjen për bashkëjetesën paqësore të popujve të mbarë botës. Përkundrazi, sa herë që z. Xhufi shfaqet në televizor dhe në shtypin e shkruar është e qartë frazeologjia e tij nacionaliste, toni i tij nënçmues dhe arrogant kundër fqinjëve, kundër çdo personi që ka lidhje me Greqinë.
Për më tepër, ai shprehet se “ne të gjithë jemi dëshmitarë të gjuhës së intolerancës e të urrejtjes që vetë Hirësia e tij përdor….”. Por, se kush është ai që përdor gjuhën e intolerancës dhe të urrejtjes këtë e tregojnë ato që kanë shkruar secili. Çdo njeri objektiv, po të dojë, është i lirë të kërkojë në mijërat e faqeve të librave dhe fjalimeve të Kryepiskopit Anastas dhe nuk do të gjejë kurrë fraza intolerance dhe urrejtjeje. Përkundrazi, edhe lexuesi më i thjeshtë, me shikimin e parë që do t’u bëjë teksteve të z. Xhufi, s’do ta ketë të vështirë të konstatojë se janë të mbushura përplot me intolerancë dhe jerm shpifës.
Z. Xhufi në vitet e fundit, në mënyrë inatçore përpiqet me fjalë dhe vepra të shtrembërojë fjalët dhe veprën e Kryepiskopit tonë dhe, direkt ose jo, sulmon Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kryepiskopi ynë, siç është e njohur, me durim e ka shmangur përmendjen e emrit të shpifësit. Por, kur shpifjet e z. Xhufi u shtrinë edhe kundër shenjtorëve të Kishës dhe konkretisht kundër Shën Kozmait, si një udhëheqës i përgjegjshëm fetar Kryepiskopi, u detyrua të denoncojë përpjekjen për tjetërsimin e historisë, të mbështesë popullin orthodhoks, të demaskojë metodën tinëzare të minimit të autoritetit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për rrjedhojë, minimin e bashkëjetesës harmonike midis feve në Shqipëri. Kryepiskopi ishte i detyruar të rikujtonte se personi që bënte akuza kundër Kishës Orthodhokse për nga tradita bën pjesë në një tjetër fe dhe se nga ana tjetër kishte marrë pjesë në propagandën antifetare të sistemit ateist.
Zoti Xhufi ripërtyp kohë pas kohe, shpifjet të cilat janë sajuar me një mënyrë që është fare e qartë, si p.sh. për çështjen e zgjedhjes së Kryepiskopit. Ata që janë të interesuar për të vërtetën le të shikojnë librin e Kryepiskopit Anastas“Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë 1991-2012”, Tiranë 2013, ku parashtrohen të gjitha dokumentet zyrtare dhe burimet përkatëse. Asnjë primat orthodhoks nuk do të kishte mundur të qëndronte për njëzet e tre vite si i pari i një Kishe, pa kryer të gjithë procedurën e zgjedhjes së tij dhe pa konsensusin e të gjitha Kishave Orthodhokse të botës. Sa herë që zoti Xhufi ngatërrohet në çështje theologjike dhe kishtare, që i njeh në mënyrë sipërfaqësore, kalon caqet e seriozititetit. Rikujtojmë teorinë e tij të gabuar në lidhje me Sinodin e Parë Ekumenik dhe përgjigjen shteruese, që i hodhi poshtë tërësisht tezat e tij, të cilën e botoi një koleg i yni, atë Spiro Katundi nga Korça (Gazeta Shqiptare dt. 25 shtator 2013).
Ai vazhdon të përsërisë ngjarje, mite mjerane, të cilat i ka krijuar ambienti i tij dhe që janë rrëzuar prej shumë kohësh. P.sh. midis të tjerave, shkruan se “karriera e tij tashmë e gjatë në krye të KOASH-it është shënjuar nga incidente, që kanë prekur keq ndjeshmërinë e shqiptarëve…”. Por e vërteta është krejt ndryshe, Kryepiskopi nuk kishte as lidhjen më të vogël me Kosinën, ndërsa në rastin e të ndjerit Aristotel Guma, bëri thjesht një thirrje publike për qetësimin e gjakrave dhe të situatës së krijuar në atë zonë. Sa i takon çështjes së Kosovës, është diçka që dihet prej të gjithëve, se Kryepiskopi Anastas vuri në lëvizje të gjitha njohjet e tij në Këshillin Botëror të Kishave dhe në Konferencën e Kishave të Evropës për të ndihmuar dhe për t’iu gjendur pranë mbi 30.000 refugjatëve të luftës nga Kosova (jo-orthodhoksë). Kryepiskopi theksoi me forcë se “vaji i fesë nuk duhet të përdoret për të ndezur më tej zjarrin e luftës, por për të shëruar plagët, për të lehtësuar shpirtrat dhe për të pajtuar popujt”. Ne e kujtojmë fare mirë faktin se ai vetë rendi duke bërë me qindra kilometra, me mjete të ndryshme, për të parë dhe për të vizituar qendrat e strehimit për refugjatët, duke ofruar me fisnikëri dhe dashuri të pashtirur ushqime, rroba, medikamente etj., duke u përpjekur në këtë mënyrë të lehtësonte dhimbjen e tyre.
Por aty ku z. Xhufi i kapërcen të gjithë kufijtë e mirësjelljes është kur përpiqet t’i japë Kryepiskopit leksione për sjelljen e tij dhe kur flet me nënçmim për “mjedisin e tij kulturor”. Duket se z. Xhufi mendon se kemi harruar se: “mjedisi i tij kulturor” ishte grupimi i tij ateist-dogmatik, që shkeli për dekada të gjitha liritë në Shqipëri. Siç është e njohur kaloi 40 vitet e para të jetës si bir i dashur i familjes diktatoriale. Sa i takon rrugëtimit të Kryepiskopit, ai është i njohur në enciklopeditë botërore dhe në libra të veçanta, në artikuj të ndryshëm në shumë gjuhë. Jetoi gjithnjë në një ambient dhe vend të lirë demokratik, është një njeri ekumenik që ka marrë pjesë aktive në mjedise pankristiane dhe ndërfetare me kërkesa të larta, duke fituar respektin botëror me mendimin, praninë dhe kontributin e tij. Prandaj atë e kanë nderuar jo vetëm grekët dhe shqiptarët, por edhe përfaqësues nga e tërë bota (është zgjedhur president i Këshillit Botëror të Kishave dhe president nderi i organizatës më të madhe ndërfetare të botës “Fetë për Paqen”). Ai është shpallur Doktor Honoris Causa nga 16 universitete të vendeve të ndryshme. Për autoritetin e tij ndërkombëtar ka folur në intervista të ndryshme në median e shkruar dhe vizive Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës Joani (gazeta“Java”, dt. 12 janar 2012, gazeta “Illyria”, dt. 28 dhjetor 2013, në televizionet “Top Channel”, “Ora Neës”, etj.), si edhe të gjithë klerikët e Kryepiskopatës në përgjigjen që dhanë ndaj sulmit që një parti politike i bëri Kryepiskopit (www.balkanweb.com, dt. 28.12.2012).
Të gjithë ne, që e kemi ndjekur nga afër, e njohim shumë mirë që gjatë këtyre 23 viteve, ai ka bashkëndarë vështirësitë dhe dhimbjet e popullit të thjeshtë shqiptar, duke shkuar edhe në fshatrat më të largët, për të mbështetur besimin, dashurinë, faljen dhe vëllazërimin. U përpoq të krijonte një kler orthodhoks të edukuar, shkolloi dhe dorëzoi mbi 150 klerikë qytetarë shqiptarë, restauroi mbi 60 monumente kulture, rindërtoi me dhjetëra kisha të shkatërruara dhe ndërtoi rreth 150 kisha të reja. Ndërtoi dhe organizoi me dhjetëra shkolla dhe konvikte të të gjitha niveleve, hapi qendra mjekësore, kontribuoi në zhvillimin rural me hapjen e rrugëve, ndërtimin e ujësjellësve. Ndihmoi në vitet e vështira të vendit mijëra shqiptarë pas asnjë dallim fetar, me ushqime, veshmbathje, ilace. Bëhet fjalë për gjëra që mund të vërtetohen dhe janë të prekshme, vetëm disa njerëz me paragjykime nuk duan ta shikojnë këtë vepër. Të gjitha këto janë absolutisht të provuara. Për të gjitha këto, ne orthodhoksët e Shqipërisë (e shumë njerëz të bindjeve të tjera fetare), e rrethojmë me respekt të thellë, me dashurinë tonë të sinqertë dhe me mirënjohjen tonë.
Zoti Xhufi, siç është e njohur bën pjesë sa i takon traditës së tij, në një fe tjetër dhe ka bindjet e tij fetare dhe ideologjike. Sigurisht, që nuk e akuzojmë për këtë fakt. Është e drejta e çdo qytetari shqiptar, që sipas Kushtetutës të ketë bindjet e tij personale. Kryepiskopi Anastas këmbëngul se të gjithë ne kemi detyrimin të duam dhe të respektojmë çdo person njerëzor, pavarësisht bindjeve ideologjike. Por z. Xhufi duhet ta kuptojë se nuk është e mundur që ne ta pranojmë atë si gjykatës, analist, udhërrëfyes dhe historian të Kishës sonë Orthodhokse. Gjithashtu, ai nuk zotëron asnjë pushtet të flasë në emrin e popullit shqiptar, duke theksuar “ne shqiptarët”. Është më se e qartë, se ai nuk përfaqëson qindra mijë orthodhoksët besimtarë shqiptarë, por përfaqëson vetëm veten e tij dhe ata që kanë të njëjtat ide me atë, të cilët kanë nostalgji ende për epokën e shkuar, por jo popullin shqiptar. Ashtu siç është e pamundur të shkatërrojë dikush duke hedhur baltë Katedralen e mrekullueshme, që Kryepiskopi i dhuroi vendit tonë, po njësoj e ka të pamundur z. Xhufi me shkrimet e tij tendencioze të zvogëlojë veprën e madhe të Kryepiskopit Anastas dhe mbi realitetin historik, që të gjithë ne e njohim.
Duke ju falenderurar për botimin,
Episkopi i Apollonisë Nikolla Hyka (Sh. Vlash) // Protopresviter Aleksandër Petani (Shkodër) // Protopresviter Ilia Kotnani (Korçë) // Ikonom Aleks Ndoni (Tiranë) // Ikonom Gjerasim Çakalli (Durrës) // Atë Petraq Simsia (Berat) // Atë Petraq Thanasi (Kavajë) // Atë Stavri Çipi (Elbasan)// Atë Vasil Skordileva (Devoll) // Atë Romano Tralo (Këlcyrë) // Atë Kostandin Prifti (Vlorë) // Atë Theodhori Nikolla (Gjirokastër) // Protopresviter Pandelejmon Mitro (Sarandë)