![]() |
Fieri është një nga qendrat më të mëdha të Besimit Orthodhoks në vendin tonë, ndaj ishte e nevojshme dhe i takonte të kishte një kishë që t’i përgjigjej kërkesave të besimtarëve të shumtë.
Që në fillim të aktivitetit të tij Kryepiskopi Anastasi tregoi një vëmendje të veçantë edhe për të. Në vitin 1992, për të plotësuar kërkesat imediate, u ndërtua një kishë e vogël, e përkohshme, me parafabrikate, në cepin e truallit ku ngrihej më parë kisha e vjetër e qytetit.
|
|
Më pas, me kujdesin, nismën dhe fondet e mbledhura po nga Kryepiskopi Anastas, u bë e mundur ngritja e kishës së madhe.
Më 12 janar 1997, mbi truallin e kishës së vjetër, Fortlumturia e Tij, Anastasi bëri shërbesën e vendosjes së gurit të themelit të Kishës së re. Kisha është e tipit bazilikë dhe ka një sipërfaqe ndërtimi 1020 m2, me lartësi në kupolë rreth 23 metra dhe me kambanore 30 metra dhe u projektua, për të qenë sa më e ngjashme me kishën e vjetër, nga arkitekti z. Agron Jano, bir i Fierit, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Teknik të Kryepiskopatës në Tiranë.
|
![]() |
![]() |
Më 22 prill 2007 u krye Liturgjia e parë Hyjnore nga Kryepiskopi Anastas, i cili bashkëmeshoi me Mitropolitin e Beratit, Hirësinë e Tij Ignatin dhe me Episkopin e Apolonisë, Hirësinë e Tij Nikollën dhe me mjaft priftërinj e dhjakonë. Qindra besimtarë u mblodhën në kishën e re të Shën Gjergjit, në qendër të Fierit, 40 vjet pasi ishte shembur dhunshëm kisha e vjetër.
“Kjo është një tjetër qendër e re shpirtërore, lutjeje, ngushëllimi, vëllazërimi, dashurie, për më tepër edhe një qendër komunikimi, me Perëndinë, me njerëzit e tjerë, me gjithë botën.
|
|
Është një qendër që i lidh besimtarët si me të shkuarën edhe me të tashmen e të ardhmen, i lidh me mbarë njerëzimin e të gjitha kohëve” – citon Kryepiskopi Anastas.
Kisha e Shën Gjergjit dy vitet që ka hapur dyert, megjithëse pa u kryer ende shërbesa e Shenjtërimit të Kishës, me qëllim që t’i shërbente sa më mirë besimtarëve të saj. Por që një tempull të plotësohet përfundimisht duhet që të kryhet misteri i Shenjtërimit të Kishës dhe vendosjes së lipsaneve të shenjtorëve mbi Tryezën e Shenjtë. Kur është e mundur këto lipsane duhet të jenë të martirëve, që dhanë jetën për Kishën, për të plotësuar origjinën e vërtetë të kësaj shërbese shenjtërimi, që vjen nga shekujt e parë të krishterimit, atëherë kur Liturgjia Hyjnore dhe shërbesat kryheshin mbi varret e martirëve.
|
![]() |
|
Nga historia e kishës së vjetër së shkatërruar
Fieri është qytet relativisht i ri, por i vendosur në qendër të një zone të shquar për përkushtimin e besimtarëve të shumtë orthodhoksë. Kishat në çdo fshat kanë qenë të zbukuruara me vepra të rralla arti kishtar, të mjeshtërve më të mirë. Por vëmendjen kryesore e tërheqin perlat e besimit orthodhoks, nga njëra anë qyteti antik i Apolonisë, një qendër paleokristiane, episkopale dhe manastiriale e rëndësishme dhe nga ana tjetër manastiret e shumta, ku veçohen Ardenica, Kolkondasi etj.
Edhe kisha e vjetër e Shën Gjergjit ishte dikur një nga monumentet më të bukura dhe më të mëdha të rajonit të Myzeqesë. Ajo përbëhej prej sallës 3 nefshe, pagëzimores, dy portikëve si dhe kullës së kambanores mbi të cilën ndodheshin piktura murale e Shën Gjergjit dhe ora e madhe e qytetit. Kjo faltore u ndërtua mbi rrënojat e një kishe më të vjetër të quajtur “Burimi Jetëdhënës”, e cila ka ekzistuar shumë kohë më parë. Në vitin 1923 në vend të kambanores së vjetër u ngrit kambanorja e re. Mbishkrimet e Shën Gjergjit të Fierit kanë qenë të pakta. Gjithsej ajo mbartte dy mbishkrime. I pari gjendej në pjesën e jashtme të absidës dhe tregonte se në vitin 1782 kishën e kishte ndërtuar qysh nga fillimi kryemjeshtri Gega (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Tiranë 1998, fq.108). Mbishkrimi i dytë ishte vendosur në një pllakë të vendosur mbi derën jugore. Aty gjendej i skalitur emri i mjeshtrit të dytë, që kishte punuar për ndërtimin e kishës, i cili quhej ELAMEN.
Kisha ishte ndërtuar me gurë shtufi dhe mermerë të sjellë nga Apolonia. Një pjesë e gurëve të saj ishin skalitur prej mjeshtërve ndërtues. Gurët ishin lidhur me llaç gëlqereje, ku për të shtuar fortësinë e tyre ishin përdorur edhe të verdhat e vezëve, përzier me lesh dhie. Për kupolën ishin përdorur tulla të kuqe të lidhura me llaç.
Kisha e Shën Gjergjit ishte zbukuruar brenda me afreske nga piktori grabovar Joan Çetiri, në vitin 1782.
Pasi u shërbeu për afërsisht 185 vite besimtarëve të zonës, kisha u shkatërrua plotësisht nga dora ateiste më 23.04.1967, ditën e Shën Gjergjit. Nga kjo kishë kanë ngelur disa relike nga ikonostasi i saj i famshëm që ndodhët në Muzeun Historik të Fierit.
|




Edhe kisha e vjetër e Shën Gjergjit ishte dikur një nga monumentet më të bukura dhe më të mëdha të rajonit të Myzeqesë. Ajo përbëhej prej sallës 3 nefshe, pagëzimores, dy portikëve si dhe kullës së kambanores mbi të cilën ndodheshin piktura murale e Shën Gjergjit dhe ora e madhe e qytetit. Kjo faltore u ndërtua mbi rrënojat e një kishe më të vjetër të quajtur “Burimi Jetëdhënës”, e cila ka ekzistuar shumë kohë më parë. Në vitin 1923 në vend të kambanores së vjetër u ngrit kambanorja e re.