KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË DHE TEOLOGËT E SAJ
 
Botuar në gazetën “SOT”, dt. 28 janar 2005
 
       Para disa ditësh (07.01.2005), gazeta «Koha jonë» botoi një artikull me titull «Ku janë teologët shqiptarë në Kishën Autoqefale të Shqipërisë?». Ndoshta në momente të tjera këtij shkrimi mjaft fyes e denigrues për KOASH-in dhe teologët e saj mund të mos i kushtohej vëmendje e veçantë. Në fund të fundit sulmet kundër KOASH-it, kundër kreut të saj, kundër bashkëpunëtorëve të saj në përgjithësi janë kthyer tashmë në rutinë, por fakti që artikulli i lartpërmendur u botua pa u marrë parasysh as monstruoziteti i shpifjeve që përmbahen në të, as identiteti i vërtetë i artikullshkruesit, i cili përdor pseudonim (edhe pse për ne është i njohur), na detyron t’i drejtohemi gazetës suaj, të cilën e çmojmë dhe e vlerësojmë si tribunë të fjalës së lirë dhe të dialogut demokratik në Shqipëri.
 
       Orthodhoksët që jetojnë në Shqipëri, që jetojnë me hallet dhe problemet e këtij vendi, që marrin pjesë aktivisht në jetën kishtare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e që vazhdojnë të mbeten të patundur në traditat dhe besimin e të parëve, mund t’i përgjigjen fare mirë pyetjes cinike që ngre artikullshkruesi «i vetëmërguar». Ata i njohin më mirë se kushdo teologët e tyre, e dinë se cilët janë, ku janë e ku jetojnë. Së pari, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, i cili është Mitropolit i Korçës dhe anëtar i Sinodit të Shenjtë. At Kozmai dhe dhiakon Asti ofrojnë shërbimet e tyre në zyrat qendrore të KOASH-it, ku ndër të tjera koordinojnë edhe veprimtari dhe aktivitete të ndryshme të Kishës, z. Jorgo Papadhopulli është përgjegjës për gjithë veprimtarinë me Rininë Orthodhokse, që zhvillohet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, z. Pirro Kondili është Drejtor i Liceut Kishtar «Kryqi i Nderuar» në Gjirokastër. Teologë të tjerë, të cilët kanë studjuar në vende të ndryshme, bëjnë pjesë në stafin mësimdhënës të Akademisë Teologjike «Ngjallja e Krishtit» në Durrës, drejtor i së cilës është një tjetër teolog me origjinë nga Korça, i ardhur nga Kisha Orthodhokse e Amerikës posaçërisht për të ndihmuar Kishën tonë, ndryshe nga ç’bëjnë artikullshkruesi në fjalë dhe modelet për imitim që na sugjeron, të cilët kanë braktisur Kishën e tyre për të shijuar nga afër luksin dhe konfortet e Evropës, Kanadasë apo Amerikës. Teologë janë edhe ata studentë që, edhe pse mund të studjojnë në këto momente jashtë për teologji, në rastin më të parë kthehen në atdhe për të ndihmuar Kishën e tyre, për të bërë katekizëm, për të dhënë ndihmesën e tyre në mbarëvajtjen e kampingjeve verore etj., madje jo rrallë me sakrifica të shumta e në dëm të studimeve që kryejnë.
 
       Është me të vërtetë qesharake që personi që fshihet nën pseudonimin Kristo Muzaka këshillon teologët e KOASH-it të marrin shembull nga një farë Foti Cici, me origjinë nga Nivica e Sarandës, një person me moral të dyshimtë, i cili me shumë vështirësi arriti të merrte diplomën e teologut në Universitetin e Athinës (pas shtatë e kusur vjetësh), ku studjoi me ndihmën e vazhdueshme financiare që i ofroi Shteti Grek. Kariera e tij nisi pas lirimit nga burgu për krime ordinere në vitin 1989, për të kaluar pastaj në shtetin fqinj, në Greqi me emër dhe pashaportë të falsifikuar (emri i tij i vërtetë ishte Fatmir dhe jo Foti), duke u prezantuar si Vorioepirot që kishte vuajtur në burgjet e monizmit për shkak të bindjeve të tij greke e orthodhokse.
 
       Në gjysmën e dytë të viteve ’90, vite mjaft kritike për Kishën tonë, refuzoi në mënyrë kategorike të ofronte shërbimet e tij, duke u përpjekur ndërkohë, edhe pse pa sukses, të hirotonisej si prift në Kishën e Greqisë. Në vazhdim kaloi në Amerikë, ku përpjekjet e tij për t’u hirotonisur në Kishën Orthodhokse Greke të Amerikës si dhe në Kryepiskopatën Orthodhokse Shqiptare të Amerikës dështuan edhe një herë tjetër. Më në fund ia arriti qëllimit të bindte një episkop të OCA-s në Kanada, me pretekstin se do të ndihmonte emigrantët shqiptarë të besimit orthodhoks që jetonin në këtë vend. Pas pak vitesh, në pamundësi për të fituar besimin e emigrantëve të atjeshëm, njoftoi mbylljen pa afat të objekteve të kultit në të cilat shërbente si famullitar, pa patur kurajon që t’u shpjegonte besimtarëve shkaqet e vërteta të largimit. Tashmë dihet se ky bari «besnik» i grigjës shqiptare të Kanadasë i ofron shërbimet e tij si prift Komunitetit Orthodhoks Grek (Greek Orthodox Community) në provincën e Surrey and Fraser Valley, komunitet i cili varet drejtpërdejtë nga Patrikana Ekumenike e Konstandinopojës (Për më tepër shih Kalendarin e Patrikanës Ekumenike 2005, fq. 956). Ashtu si mjaft herë në të kaluarën, emri i këtij shqiptari të «flaktë», i shndërruar në mënyrë të pamoralshme nga Fatmir në Fotios, pastaj prapë në Fatmir, pastaj prapë në Foti, tani së fundi shndërrohet përsëri në Fotios Cicis (kështu është shkruar në kalendarin e sipërpërmendur të vitit 2005).
 
       Nga ky njeri, pra, jeta dhe vepra e të cilit nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin, zellin, përpjekjet dhe vetëmohimin që demonstrojnë sot teologët e Kishës së Shqipërisë në të mirë të KOASH-it dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi, na kërkon autori i artikullit të mësipërm të marrim shembull. Këtë njeri përpiqen të na servirin si model interesa dhe qarqe të errëta, që fshihen pas këtij artikulli denigrues e keqdashës.
 
       Bëhet qartë tashmë se teologët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk kanë nevojë të marrin shembull nga «teologu» Foti Cici, madje as nga vëllai i tij, Artem Cici, i cili edhe ai ka studjuar në Greqi për teologji, duke refuzuar edhe ai nga ana e tij të kthehet në atdhe për të ndihmuar Kishën mëmë. Tashmë ai shërben si psalt në një nga kishat e Selanikut dhe është martuar me një shtetase greke nga një familje e pasur e këtij qyteti.
 
       Të dhënat e mësipërme nuk janë të njohura vetëm për teologët nga Shqipëria, të cilët e kanë njohur Foti Cicin gjatë studimeve të tyre në Athinë, por edhe për ata, të cilët i ofrojnë tribunë përçartjeve të tij. Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq kur shikon artikujt që botohen me emrin e tij, apo me pseudonime të ndryshme (për të krijuar përshtypjen në Shqipëri se ka mjaft përkrahës), në një kohë që autori nuk ka kurrfarë kredibiliteti moral e profesional e gjepurat që shkruan nuk ofrojnë asgjë tjetër veç urrejtje, përçarje e shpifje pa doganë.
 
       Të gjithë ata që kanë marrë mundimin e kanë lexuar ato që shkruan herë pas here Foti Cici do të bien dakord të paktën në dy gjëra: Së pari, në artikujt e tij dhe në temat që trajton nuk mund të gjesh kurrë një propozim serioz konstruktiv, apo ndonjë frazë falenderimi e mirënjohjeje, veçse kritika keqdashëse e arrogante për të gjithë e për gjithshka si dhe shumë vrer. Së dyti, në artikujt e tij nuk mund të gjesh asnjë konkluzion, që të kuptojë edhe lexuesi se ç’kërkon të thotë e cili është qëndrimi i tij ndaj problemit që trajton.
 
       Për pasojë nuk është vlera e atyre që shkruan ky «gjykatës i të gjithëve» që e bëjnë «të famshëm», por interesa të errëta të cilave u vjen për shtat denigrimi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe i veprës fisnike që kryen për gati pesëmbëdhjetë vjet me radhë Kryepiskopi Anastas për ringjalljen e saj nga hiri i së kaluarës. Sado që disave mund të mos u vijë mirë nga ky realitet, prania e tij në Kishën tonë përbën me të vërtetë një bekim të veçantë. Në qoftë se shtojmë edhe faktin që ky prift i Kanadasë nuk është i pranishëm prej shumë vitesh në vendin e vet, qoftë edhe si turist i thjeshtë, pra nuk është njohës i realitetit kishtar shqiptar, atëherë konstatimi se ky njeri është kthyer në një vegël të verbër interesash antiorthodhokse bëhet akoma më bindës.
 
       Siç theksuam edhe në fillim të këtij shkrimi, në një rast tjetër ndoshta nuk do të ishte e nevojshme që të merrnim mundimin t’i përgjigjeshim një artikulli si i lartpërmenduri. Akuzat që përmendëm deri në këtë moment janë kthyer tashmë për ne orthodhoksët në një rutinë të përditshme. Ajo që me të vërtetë nuk e kemi hasur qysh prej epokës së propagandës komuniste të Enver Hoxhës dhe të Sigurimit famëkeq është paragrafi i fundit i artikullit në fjalë, i cili bën fjalë për vëllanë, shokun dhe kolegun tonë të paharruar, teologun Maksi Çuko, i cili ndërroi jetë para pak kohësh pas një ataku kardiak. Pa marrë parasysh dhimbjen tonë, pa treguar as respektin më të vogël për dhimbjen e familjarëve së tij, artikullshkruesi drejton shigjetat e tij të helmëta ndaj «grekëve», siç i quan ai, të Kishës sonë, të cilët i akuzon drejpërdrejt se janë ata që e kanë helmuar. Formulimi i një akuze të tillë të pamoralshme e pa precedent për një shoqëri civilizuar, ashtu si dhe adoptimi i saj i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, siç mund të jetë p.sh. fare mirë kjo e fundit botimi i një artikulli të tillë, përbën padyshim fyerje për KOASH-in, por edhe për mijëra besimtarë me origjinë greke pjesëtarë të saj, të cilët jetojnë në këtë vend e punojnë natë e ditë për përparimin e saj. Mjaft kuadro të Kishës, teologë të denjë, klerikë të denjë, bashkëpunëtorë të denjë të saj i përkasin pikërisht kësaj popullsie. Eshtë e padrejtë dhe e pandershme që në epokën në të cilën jetojmë të riciklohen akuza që na sjellin ndërmend kohë të tjera. Akuza të tilla nuk nderojnë askënd. Nuk nderojnë sigurisht as gazetën që mori mundimin t’i botojë pa asnjë lloj rezerve. Prandaj besojmë se, gjithsesi, kjo çështje duhet të marrë rrugën e drejtësisë.
 
Jorgo Papadhopulli, Pirro Kondili, Spiro Papa
 
Teologë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.