Kampet verore ditore janë ndër aktivitetet që fëmijët e zonave të ndryshme të Shqipërisë i presin me shumë dëshirë. Edhe gjatë kësaj vere, Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë vazhdon zhvillimin e kampeve ditore për fëmijë. Zyra Qendrore e Fëmijëve, Zyra e Katekizmit dhe Departamenti i Edukimit të Krishterë në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” bëjnë të mundur realizimin e këtyre kampeve, në bashkëpunim me klerikët e Dioqezave të ndryshme, katekistët dhe të rinjtë orthodhoksë.

    Programi i këtyre kampeve i lejon fëmijët që të jenë pjesë e tyre për 4-5 orë në ditë. Zyra Qendrore e Fëmijëve zhvilloi kampe ditore për fëmijë në Qendrën Thavor në Shkozë, në Bathore dhe në Kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses” në Tiranë. Në këto kampe morën pjesë rreth 120 fëmijë.

    Kampet ditore të zhvilluara nga kjo zyrë kishin si temë Liturgjinë Hyjnore. Qëllimi i këtyre kampeve ishte që fëmijët të kuptonin dhe të përjetonin më tepër të gjitha pjesët e Liturgjisë Hyjnore. Programi i kampit përmbante gjithashtu lojra, këngë dhe punë dore. Gjatë kohës së këngëve fëmijët patën mundësinë që të mësonin dhe të psalnin të gjitha pjesët që  psalen nga kori dhe populli gjatë Liturgjisë Hyjnore.

    Në ditën e fundit të tij kampi u finalizua me kryerjen e Liturgjise Hyjnore në vendet ku u zhvillua kampi. Gjatë kësaj Liturgjie fëmijët kishin mundësinë të shikonin të konkretizuara të gjitha ato që kishin mësuar gjatë gjithë ditëve të kampin si edhe të psalnin vetë të gjithë Liturgjinë Hyjnore.

    Kampet verore ditore të fëmijëve vazhdojnë në zona të ndryshme të vendit dhe fëmijëve u jepet mundësia të mësojnë më tepër për Perëndinë, të krijojnë shoqëri të reja, të argëtohen dhe të kalojnë ditët e pushimeve verore në një mënyrë të vlefshme.