Për të përgatitur një brez të ri, i cili do të jetojë një jetë në transfromim të vazhdueshëm, që të sjellë ndryshim në shoqërinë shqiptare, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën drejtimin dhe përkujdesjen atërore të Kryepiskopit Anasatas nga 4 korrik – 4 gusht 2013, zhvilloi Kampin Veror për vajza në manastirin e shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit. Kjo verë shënoi vitin e 15-të që ky kamp zhvillohet.
Programi i tri periudhave 10-ditore dhe aktivitetet e ndryshme gjatë ditëve të kampit ndihmuan pjesëmarrëset të njihnin më mirë veten, talentet e tyre, si të bashkëpunonin me njëra-tjetrën dhe si të punonin për të arritur potencialin hyjnor për të cilin jemi krijuar.
280 vajza nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë përjetuan për 10 ditë modelin e jetës që duhet të jetojë çdo person në marrëdhënie me Krijuesin e tij dhe në komunitet dashurie me të tjerët.
50 drejtuese me përvojë në punën me fëmijët dhe të rinjtë, katekiste, studente të Akademisë Theologjike, anëtare aktive të grupeve të ndryshme rinore organizuan dhe drejtuan programin e Kampit Veror për Vajza. Rreth 50% e vajzave kampiste merrnin pjesë për herë të parë në kamp, dhe 50 vajza filluan udhëtimin drejt qëllimin të jetës nëpërmjet Pagëzimit të shenjtë.
Episkopë të Kishës sonë, anëtarë aktiv me përgjegjësi në Kishë të përgatitur në fusha të ndryshme të jetës dhe vajzat drejtuese ndanë më kampistet të vërtetat e jetës dhe mënyrat konkrete për të arritur qëllimin e saj.
“Nëse doni të keni jetë me bollëk, paqe, gëzim dhe të jeni të përmbushura lidhuni më Atë që është vetë Jeta, Gëzimi, Plotësia, sepse prej Tij burojnë të gjitha dhe asgjëkund tjetër nuk mund t’i gjeni këto. Ne nuk jemi këtu thjesht për të kaluar disa vite; ne kemi një mision në këtë botë, dhe ky arrihet vetëm po të lidhemi me Krijuesin tonë dhe po të jetojmë sipas Tij. Njeriu është humnerë e pafund, ai nuk kënaqet me gjërat, por ka nevojë të jetë i përmbushur. Pyeteni veten çdo natë çfarë doni nga Zotin juaj dhe gjejeni kënaqësinë tuaj tek Ai“ – theksoi Imzot Joani i Korçës.
“Universiteti veror”, siç e ka emërtuar tashmë Kampin Veror Kryepiskopi Anastas, kontribuon në ndërtimin e qindra tempujve njerëzor që do të shijojnë plotësinë e jetës dhe do të sjellin më shumë dritë dhe shpresë në jetën e këtij vendi. Ndaj dhe për të gjitha vajzat që marrin pjesë në Kampin Veror kjo periudhë është më e bukura dhe më ndërtuesja për jetën e tyre, siç shprehen dhe vetë ato.
Koordinatorja e Kampit të Vajzave
Ana Baba