“Lavdi Perëndisë në më të lartat”, psalën engjëjt, por me të vërtetë kjo ishte gjithashtu thirrja e vajzave në kampin për gjithçka të bukur që kaluan së bashku.
 
    Edhe këtë verë si çdo verë tjetër në manastirin e bukur të Shën Joan Vladimirit, në Elbasan, filluan kampet verore të vajzave. Kampi i parë u zhvillua në datat 10.7.2006 – 19.7.2006 dhe përfshinte vajza nga mosha 11-13 vjeçe. Drejtuesit shpirtërorë në këtë kamp ishin at Gjerasim Çakalli, znj. Lynette Hoppe, z. Nathan Hoppe. Koordinatore e përgjithshme e kampeve znj. Ana Baba dhe drejtueset e kampit të parë ishin znj. Mikea Marku, znj. Gabriela Bezhani dhe znj. Ana Kërçyku.
 
    Kampi përbëhej nga 85 kampiste dhe nga 15 kryetare grupesh. Tema e sivjetshme e kampeve të vajzave ishte: “Mos u mund nga e keqja por munde të keqen me të mirë” (Rom 12: 21).  Nëntemat e këtij kampi u morën po nga kjo letër dhe pikërisht nga kapitulli 12 i kësaj letre e cila thotë:
 
    “Dashuria të mos jetë me hipokrizi: urreni te keqen dhe ngjituni pas së mirës. Duani njëri – tjetrin me dashuri vëllazërore: në nderim tregoni kujdes njëri me tjetrin. Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbejini Perëndisë të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje; ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës. Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.
 
 
 
    Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë. Kini të njëjtat mendime njëri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mençur. Mos ia ktheni kërkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e munduar dhe aq sa varet nga ju, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar,- thotë Zoti”. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirë. (Romakët 12: 9-21)
 
    Disa nga vargjet e himnit që lidheshin me temën ishin:
 
    Mirë gjithmonë, mirë gjithkujt, kjo është thirrja jonë. Keq kurrë, kurrë askujt është mesazhi ynë. Zoti kështu thotë: nga e keqja mos u mund, munde të keqen me të mirë, sado të jetë vështirë. Programi i kampit ishte mjaft i larmishëm. Ai fillonte me lutjen e mëngjesit, kohën e qetë, mëngjesin, duke vazhduar me pastrimin rreth kampit, punën e dorës, drekën, kohën e pushimit, lojrat të ndryshme, referatin e ditës i lidhur me temën e kampit, kohën e mbrëmjes dhe përgatijen për darkë, darkën dhe programin e mbrëmjes e mbushur me këngë, skeçe, poezi dhe pasdarkën. Ky ishte programi i një dite të zakonshme, por nuk ishin të pakta ditët në kamp kur kishte aktivitete të veçanta si p.sh. lojrat olimpike, darka e veçantë, ekskursioni në Drilon, ecjet ne mal, kampionati i volejbollit etj. Gjatë ditëve të këtij kampi pati edhe referate në lidhje me temën e përgjithshme. Folësit u bazuan tek pasazhi biblik që lidhej me temën duke folur për problematikën e shoqërisë sonë dhe ndikimin e Kishës në zgjidhjen e tyre. Folësat e këtij kampi ishin Episkopi i Diqezës së Beratit Imzot Ignati, At Justini, At Andoni, Hierodhjakon Asti, dhe Nathan Hoppe.  
 
    Ashtu si çdo kamp edhe sivjet 11 vajza u bënë anëtare të Kishës Orthodhokse, duke e marrë pagëzimin e tyre në kishën e Shën Joan Vladimirit. Çdo ditë, jehona e këngëve të ndryshme të krishtera mbushte kampin. Zërat e gëzueshëm të shtonin gëzimin e mrekullisë së lirisë së besimit. Falënderime te veçanta i drejtohen Perëndisë për mundësinë e të paturit aktivitete të ndryshme dhe për bekimet e shumta përgjatë tyre si edhe Kryepiskopit Anastas që vazhdimisht është i gatshëm për të zhvilluar aktivitete dhe programe të ndryshme me të rinjtë, duke i inkurajuar shumë njerëzit që punojnë në këtë drejtim dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar mbështetjen financiare për këto aktivitete. Falënderimi shkon edhe drejt atyre njerëzve që kanë punuar pa u lodhur në mënyrë që kampet të ishin të suksesshme, duke futur këtu përpjekjet fizike dhe mendore si edhe lutjet e të gjithëve. Ajo që i bën të bukura ditët e kampit është larmia dhe dashuria e krishterë midis vajzave.
 

LAVDI PERËNDISE NË MË TË LARTAT, DHE MBI DHENË PAQE DHE MBI NJERËZIT MIRËDASHJE.

 
Ana Kërçyku