Edhe këtë vit me bekimin dhe mbështetjen financiare të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas u zhvillua kampi kombëtar i vajzave në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, pranë qytetit të Elbasanit. U bënë plot 8 vjet, që në periudhën qershor – gusht, ky manastir merr tjetër pamje, duke u gjallëruar me mikpritjen e vajzave nga e gjithë Shqipëria, të cilat kalojnë së bashku disa ditë të bukura, si një familje e madhe e krishterë. Për shumicën e atyre që nuk kanë patur asnjëherë një eksperiencë të tillë ky aktivitet do të mbetet gjithnjë i paharrueshëm.
 
    Kampi zhvillohet në tre periudha dhe ndarja e periudhave bëhet në bazë në bazë të moshës së vajzave. Kështu kampi i parë (i nxënëseve) ishte për vajzat e moshës 10-14 vjeçe, kampi i dytë (i gjimnazisteve) ishte për vajzat e moshës 14-16 vjeçe dhe kampi i tretë (i studenteve) ishte për moshën 17-28 vjeçe.
 
    Tema e kampit ishte “Doni njëri-tjetrin, si Unë ju desha ju” dhe ishin me të vërtetë këto fjalë që vajzat u përpoqën të përjetonin me njëra-tjetrën në 10 ditë të kampit.
 
     Kështu në periudhën e dytë, që njihet ndryshe si kampi i gjimnazisteve në 12-22 korrik morën pjesë 120 vajza nga e gjithë Shqipëria, ku 70% e tyre vinin për herë të parë në të. Kuptohet që kampin e përshkoi një ndjenjë gëzimi dhe gjallërie. Programi ishte organizuar në një mënyrë të tillë ku ishin ndërthurur mjaft mirë aktivitetet shpirtërore dhe ato argëtuese. Gjatë gjithë periudhës së kampit vajzave iu dha mundësia të merrnin pjesë në shërbesat kishtare të çdo dite, në mëngjes në shërbesën e Mëngjesores, pasdite në atë të Mbrëmësores, ose të Paraklisit, ose të Akathistit dhe në darkë me shërbesën e Pasdarkës, ose lutjen e Jisuit. Në datë 16 korrik u bë edhe një Agripni. Në ditën e fundit të kampit u krye dhe shërbesa e Pagëzimit për vajzat që ishin të papagëzuara. U pagëzuan 7 vajza të cilat përjetuan momentet më të bukura të jetës së tyre të re.
 
    Çdo ditë kishte të veçantat e saj, ashtu si edhe aktivitetet e saj, si studimet biblike, aktivitetet sportive, punën e dorës (qëndisje), pastrimin rreth kampit dhe godinave si dhe referatet. Referatet ishin biseda mjaft interesante dhe që ndihmonin në kuptimin si dhe shpjegimin sa më të mirë të temës kryesore të kampit. Folësit ishin të ndryshëm dhe duke shprehur falënderimet tona përmendim disa prej emrave si: At Justini, Vlash Plepi (pedagog në Akademinë Teologjike), atë Andon Merdani (student për teologji në Athinë), Kristina Papas (misionare nga Amerika) dhe atë Luka dhe Fotini Veronis (misionarë nga Amerika, iniciatorë të kampeve verore për vajza). Të gjitha vajzave iu dhuruan bluza të kampit, libri “Doni njëri-tjetrin, si Unë ju desha ju”, i cili u botua enkas për kampin, libri “Dashuria dhe Martesa e Krishterë”, broshura “Rëndësia e Biblës” si dhe librat “Jetë Shenjtorësh”.
 
    Dita e Lojërave Olimpike ishte një nga aktivitetet që i dha kampit një atmosferë mjaft të bukur dhe emocionuese. Ishte një ditë vetëm me lojëra, ku në fund grupit që fitoi më tepër pikë iu dha një dhuratë simbolike si kujtim. Një ditë e veçantë iu kushtua edhe bisedës mbi duhanin, informacion ky i dhënë tek vajzat nga dy anëtarë të stafit të zyrës Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë).
 
    Në programin e aktiviteteve argëtuese u krye edhe “Loja e motrës misterioze”, që është bërë tashmë një traditë e kampit, në të cilën vajzat ndjejnë një kënaqësi të veçantë të quajnë dhe të trajtojnë motra shoqet e tyre. Kampin e përshëndeti edhe kuarteti i radios “Ngjallja”, me një koncert të përgatitur enkas. Nata e fundit i mblodhi vajzat rreth zjarrit, ku sipas grupeve patën mundësinë të shprehnin përshtypjet e tyre për kampin dhe të paraqisnin programin e përgatitur për këtë natë.
 
    Kampistet u larguan nga kampi jo më me dy ose tre vajza nga qyteti i tyre, por me shumë vajza mike dhe motra të krishtera. Një falënderim të veçantë kemi për të gjithë ato që kanë punuar dhe ndihmuar për organizimin e kampit: të gjitha drejtueset e grupeve (studente të Akademisë Teologjike, Shën Vlash), priftëreshën Julita (kuzhiniere), at Viktorin dhe familjen e tij si dhe të gjithë ata që emrat e tyre nuk janë përmendur. Faleminderit për gjithçka!
 
Drejtueset e turit të dytë
Sonila Dedja & Kristjana Muça