Predikimi i Fortlumturisë së Tij, Joanit,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
E diela III e Kreshmës së Madhe – Falja e Kryqit të Nderuar Ungjilli sipas Markut 8:34-9:1
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë
15 mars, 2026
Kreshma është kohë përpjekjesh dhe meditimi dhe Kisha na mëson që ta ndjekim me vëmendje çdo Liturgji Hyjnore dhe çdo ditë të Kreshmës së Madhe. Të dielën e sotme Kisha ka vendosur Nderimin e Kryqit. Përse e ka vendosur Faljen e Kryqit të Nderuar, pikërisht sot? Kushdo që e vazhdon Kreshmën, ashtu siç e mëson Kisha jonë, pas tre javësh ndihet pak i lodhur. Sinaksari i sotëm thekson që Kisha e ngre Kryqin, për të na kujtuar për veprën shpëtimtare të Zotit, për Pësimin e tij dhe për të pasur ngushëllim, shpresë dhe kurajë. Madje Sinaksari e përshkruan në mënyrë poetike. Ashtu si një njeri që udhëton në shkretirë, gjen një pemë plot me fletë dhe qëndron atje për të pushuar dhe pi nga uji që ndodhet pranë saj, në të njëjtën mënyrë Kisha ngre Kryqin të dhënë shpresë të madhe.
Përse Kisha thotë që me anë të Kryqit erdhi gëzimi në botë? Njerëzit sot nuk e duan Kryqin. Madje edhe të krishterët duan një Krishterim pa kryq, pa vuajtje, pa sakrifica, pa përpjekje. Nuk ka Krishterim pa Kryq. Nëse nuk e pranojmë Kryqin, nuk jemi të krishterë të vërtetë. Kryqi mund të duket shumë i vështirë, por ai është mjekim. Prandaj dhe Zoti në Ungjillin e sotëm na thotë një mësim shumë të rëndësishëm për gjithësecilin nga ne. Edhe kur i dimë fjalët e Ungjillit, Zoti na i kujton përsëri duke thënë: “Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas”.
Çfarë thonë këto fjalë për ne sot?
Së pari është shumë e rëndësishme të kuptojmë që Zoti nuk na detyron, por thotë ‘kush të dojë’. Zoti respekton vullnetin e lirë të çdo njeriu. Ne jemi krijuar nga Zoti të lirë, dhe po ashtu jemi të lirë edhe për të mëkatuar, ndonëse mëkati na shkatërron. Zoti na ka krijuar qenie të lira dhe kjo është ngjashmëria dhe ikona e Perëndisë që ndodhet tek ne; qenie dhe persona të lirë për të vendosur realisht vetë se çfarë duam të bëjmë.
Dhe e dyta që përmend Ungjilli është: “të mohojë veten e tij”. Këto janë fjalë që njerëzit mund t’i lexojnë shpeshherë, por nuk ndalen në to.
Përse Zoti na thotë që të mohojmë veten tonë? Pikërisht, sepse Ai e jep Kryqin si mjekim dhe e di që vetja jonë është e deformuar. Një shenjtor i madh i Kishës sonë i interpreton kështu këto fjalë: Kur Adami mëkatoi, vetja e tij u prish dhe u deformua dhe ai nuk ishte më vetja reale. Zoti na kërkon ta mohojmë veten, domethënë të mohojmë atë pseudoveten që kemi brenda nesh. Sepse çdo njeri pa përjashtim krijon një pseudovete: atë që ai do që të jetë ose atë që ai do që të tjerët të shohin tek ai. Kjo nuk është vetja e vërtetë, por është vetja e lidhur me krenarinë. Shpeshherë, kur njerëzit e kanë mendjen se çfarë do të thonë të tjerët për ta, kjo tregon që ka krenari shumë të madhe brenda tyre. Zoti na kërkon që ta heqim këtë krenari. Nëse nuk shkëputemi nga pasionet e botës dhe nga të gjitha kënaqësitë që mund të japë ajo, nuk mund ta pranojmë Kryqin. Përkundrazi, ai do të bëhet barrë jashtëzakonisht e rëndë për ne. Nëse shkëputemi prej tyre dhe e mohojmë pseudoveten, Kryqi do të jetë gëzim shumë i madh. Prandaj edhe troparet e Kishës sonë thonë: “Me anë të Kryqit erdhi gëzimi në botë”.
Si erdhi gëzimi në botë me anë të Kryqit? Le të meditojmë rreth këtyre fjalëve të cilat i dëgjojmë shpeshherë dhe nuk ndalojmë t’i kuptojmë. Kryqi ishte instrument vdekjeje, madje i vdekjes shumë të tmerrshme. Pikërisht, nëpërmjet Kryqit Zoti e mundi vdekjen. Gjithsecili nga ne nëpërmjet Kryqit, mund ta mundë vdekjen, duke vdekësuar të gjitha pasionet që e shkatërrojnë atë. Shumë gjëra që mund të duken të gjalla tek ne, nuk janë të gjalla. Dhe shumë gjëra që mund të duken të vdekura, nuk janë të vdekura, por të gjalla. Sa më shumë i vdekësojmë pasionet e ndryshme që kemi, aq më tepër fuqizohet Kryqi brenda shpirtit tonë. Prandaj Zoti na thotë që ta mohojmë veten tonë dhe të marrim Kryqin. Të mohojmë veten tonë do të thotë të mohojmë çfarëdolloj ligësie që kemi në shpirt: Inatet, mëritë, zilitë, çmirat dhe gjithçka tjetër që e shkatërron njeriun. Kjo është pseudovetja. Prandaj dhe Zoti na kërkon që fillimisht ta mohojmë veten tonë dhe të shkëputemi nga çfarëdolloj dëshire të shtrembëruar që kemi. Dhe nëse shkëputemi prej tyre, Kryqi do të bëhet i lehtë. Siç thotë shën Joan Damaskini që Kryqi është mister. Nëse e kundërshtojmë atë, ai kthehet në një kryq hekuri që na dërrmon dhe na hap dyert e Ferrit. Nëse e marrim me dëshirë, siç na porosit edhe Zoti, ai kthehet në kryq të artë, i cili hap dyert e Parajsës. Sepse Kryqi është mjekim, dhe mjekimi është i hidhur, por shërimi është i ëmbël. Prandaj Kryqi nuk është qëllim në vetvete, ai është mjet nëpërmjet të cilit vjen gëzimi, nëpërmjet të cilit u mund vdekja. Nëpërmjet Kryqit, Zoti e mundi vdekjen dhe u ngjall. Ky mjet është i rëndësishëm për gjithsecilin nga ne. Sa më shumë i rezistojmë këtij mjekimi, aq më pak shërohemi. Njerëzit bëjnë çdo lloj përpjekjeje për mjekimet fizike, shkojnë në shumë mjekë, shpenzojnë të gjitha paratë, vetëm që të shërohen. Megjithatë, për shërimin shpirtëror njerëzit nuk bëjnë përpjekje të mëdha. Nëse nuk bëjmë përpjekje për shërimin shpirtëror, atëherë çfarë kuptim ka që jemi të krishterë? Prandaj dhe Zoti në Ungjillin e sotën vazhdon me fjalët: “Kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbasë; po kush të humbasë jetën e tij për hirin tim dhe të ungjillit, ky do ta shpëtojë”.
Çfarë do të thonë këto fjalë për gjithsecilin nga ne? Është e qartë mënyra sesi njerëzit i shikojnë të tjerët. Kushdo që ka pasuri, pozitë apo famë quhet i suksesshëm. Në të vërtetë, i suksesshëm është vetëm ai njeri që është i suksesshëm në sytë e Zotit, jo në sytë e njerëzve. Edhe pse mund të grumbullojmë gjëra pafund, nuk e kemi fituar jetën, por e kemi humbur atë. Njerëzit bëjnë lloj-lloj gjërash me korrupsion, me vjedhje, që të grumbullojnë pasuri, dhe kujtojnë se e kanë fituar jetën. Madje shumë njerëz rrotull tyre u kanë zili kur shohin sa të pasur janë, sa makina të bukura kanë, sa pushtet dhe të tjera si këto. Në fakt, ata janë të humbur, sepse, nëse nuk je i pasur te Zoti, në të vërtetë nuk je i pasur, thjesht ke pseudopasuri. Ato që kemi grumbulluar janë gjëra që shumë shpejt të gjithë do t’i lëmë. I pasur në Zotin është pikërisht ai njeri që duket se e ka humbur jetën. Prandaj thotë Zoti: Ai që do ta fitojë jetën e tij sipas botës, do ta humbasë dhe ai që do ta humbasë për Ungjillin dhe për Zotin, do ta fitojë.
Pjesa e dytë e këtyre fjalëve është shumë e rëndësishme për gjithsecilin nga ne, sepse thekson që mësimi i Zotit është më i thellë se ato që bëjmë zakonisht. Duke na thënë sot: ‘Ai që do ta humbasë jetën për Ungjillin tim’, Zoti kërkon që të jemi predikues të Ungjillit të Tij, të hapim Lajmin e Mirë kudo, duke iu treguar të gjithëve që ka një mjekim dhe që ky mjekim është Kryqi dhe jo vrapimet pas dëshirave të botës. Ne mbledhim pasuri dhe grumbullojmë gjëra, duke e ditur që një ditë të gjitha do t’i lëmë; dikush më shpejt dhe dikush më vonë. Nëse fitojmë Zotin, i kemi fituar të gjitha; nëse fitojmë të gjithë botën, e kemi humbur shpirtin tonë. Atëherë çfarë dobie do të keni, na thotë Zoti, dhe çfarë do të jepni në këmbim të shpirtit?!
Kreshma e Madhe është periudhë në të cilën duhet t’i marrim seriozisht këto fjalë. Ato i dëgjojmë çdo vit, nganjëherë, dy apo tre herë në vit dhe përsëri i harrojmë. Nëse nuk e marrim seriozisht mjekimin, nuk do të shërohemi. Çdo njeri e di sesa me përpikmëri e ndjek mjekimin kur është i sëmurë fizikisht, në mënyrë që të shërohet. Edhe pse mund të jetë ilaçi më i hidhur, përsëri do ta pijë që të shërohet. Po për shpëtimin dhe shërimin e shpirtit, përse jemi kaq të ngadaltë për ta pranuar mjekimin? Ose përse nuk e përdorim fare atë? Padyshim që çdo mjekim është i hidhur, por kemi nevojë për t’u shëruar. Krishterimi beson që njerëzit janë qenie e rënë. Njeriu ra nga gjendja e parë që e krijoi Perëndia dhe për t’u ngritur i duhet pikërisht të shërojë shpirtin e tij. Që të shërojmë shpirtin na duhet mjekimi. Zoti vetë erdhi dhe mori mjekimin, pa pasur nevojë për të. Nëse mjekimi për ne, që jemi të sëmurë dhe kemi nevojë, do të jetë shumë i hidhur, sa më i fortë ishte për vetë Zotin, i cili nuk kishte nevojë për të, por e mori atë për të na dhënë shembull dhe për të na treguar rrugën e shpëtimit. Prandaj e diela e sotme është shumë e rëndësishme. Duke nderuar Kryqin, nderojmë Misterin e thellë të Krishterimit, sepse nëpërmjet Kryqit erdhi gëzimi në botë. Amin.