Sezoni i verës, bashkë me kohën e bukur dhe çlodhëse, vjen si çdo vit me kampet edukative dhe argëtuese që organizon Kisha Orthodhokse në mbarë Shqipërinë. Fëmijët janë të parët ata që  i presin ditët e kampit me padurim. Peizazhi i bukur i ishullit brilant të Zvërnecit që ndodhet pranë qytetit të Vlorës, priti këtë vit rreth 120 fëmijë nga i gjithë vendi. Me bekimin e Kryepiskopit Anastas ky kamp u zhvillua nga data 25 Qershor – 5 Korrik në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” të Zvërnecit, kampi “Rilindja” me fëmijët e grupmoshës 11-14 vjeç me temën kryesore: “Të gjitha u mbushën me dritë”. Veprimtaria u organizua në bashkëpunimin midis Zyrës Rinore dhe Zyrës së Katekizmit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
     Për 10 ditë, fëmijët të ndarë në 10 grupe ku secili grup mbante emrin e një shenjtori të Kishës, morën pjesë në programin e përditshëm të kampit që ishte i mbushur me shërbesa në kishën e manastirit, biseda shpirtërore në grupe si edhe lojëra e aktivitete të shumta zbavitëse, të cilat e bënë edhe më të bukur atmosferën. Gjithashtu koha e pushimit në plazhin e Zvërnecit, me aktivitete sportive të pasdites, konkurset pyetje-përgjigje, si dhe me kalimin së bashku të kohës së ngrënies në mensën tërësisht të shndërruar në një ambient më të gjerë dhe me kushte bashkëkohore i bënë fëmijët aktivë dhe të gëzuar.
     Programi i përditshëm pasurohej edhe me aktivitete të veçanta që ndodhën në këtë kamp. Pjesëmarrësit patën bekimin të merrnin pjesë në dy shërbesa të Liturgjisë Hyjnore të kryera nga atë Jani Tereziu dhe dhjakon Niko Lushi, shumica e të cilëve takuan Zotin Krisht në misterin e Eukaristisë Hyjnore. Fëmijët morën pjesë edhe në misterin e Pendim-Rrëfimit me atin shpirtëror At Jani Trebicka, i cili qëndroi për dy ditë në kamp dhe priti shumë fëmijë në këtë mister. Bekim i veçantë ishte pagëzimi i 24 fëmijëve, të cilët pasi u katekizuan, u pagëzuan në detin e plazhit të Zvërnecit.
     Ndër aktivitetet sportive, u veçuan organizmi i kampionatit të futbollit, kupën e të cilit e fitoi grupi i Shën Astit me drejtues grupi, z. Gjergj Pulia, katekist; kampionati i ping-pongut me fitues Vangjel Dogën; kampionati i shahut me fitues Julian Andrean; kampioni i tavllës me fitues Xhejms Jakun; i lojërave olimpike me fitues grupin e Shën Pjetrit me kryetar katekistët z. Andi Bardhin dhe Arben Matan; i maratonës me fitues Vildan Kepecan dhe festivali i këngës “Fest-Zvërnec 2007” me fitues grupin e drejtuar nga studenti i sapodiplomuar i Akademisë Teologjike z. Gabriel Shani. Aktivitetet kulturore ishin të përditshme dhe kishin karakterin e konkurseve midis dy grupeve për njohuri nga besimi, letërsia, histori-gjeografia dhe sporti.
     Bashkë më një shoqëri të re të krishterë, fëmijët njohën edhe disa çështje të rëndësishme të besimit të krishterë orthodhoks. Vlen të përmendet biseda e shkurtër e mëngjesit në mensë apo e organizuar edhe nëpër grupe, duke iu dhënë një karakter bashkëbisedimi me fëmijët për tema që ata dëshironin t’i preknin. Në këtë kuadër, ky kamp kishte edhe temën e mësimdhënies së tij:
     “Tani të gjitha u mbushën me dritë” – duke marrë shkas nga titulli i librit më të fundit të Kryepiskopit tonë Anastas, i cili pati interesimin e tij atëror, qoftë nga ana materiale edhe nga ajo shpirtërore që fëmijët të mbeteshin me kujtime mbresëlënëse nga ky kamp dhe të largoheshin prej tij si drita që shpërndahet në botë.
     Fëmijët shprehën momentet se si i kishin kaluar ditët e kampit, duke lënë përshtypjet e tyre më të mira se kishin mbetur të kënaqur dhe prisnin vitin e ardhshëm për të marrë pjesë në këtë aktivitet kaq të veçantë dhe mbresëlënës.
 
 
 
Aleksandër Dimroçi