E Diela e Doganierit dhe Fariseut (Llk.18:10-14)

Predikimi i Fortlumturisë së tij, Joani,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Katedralja “Ngjallja e Krishtit”

Tiranë, më 1 shkurt 2026

E diela e sotme është një e diel e veçantë në Kishën tonë, sepse fillon Triodi. Triodi është pjesa më intensive e jetës shpirtërore në Kishë; është përgatitja për Pashkën. Triodi është një periudhë pendimi, reflektimi për gjithsecilin nga ne. Dhe Kisha në urtësinë e saj ka zgjedhur një paravoli shumë të rëndësishme për jetën shpirtërore, atë të fariseut dhe të taksambledhësit. Në pesë a gjashtë rreshta përshkruhet një ngjarje me një thellësi shumë të madhe shpirtërore. Vetëm mendja hyjnore mund ta përmblidhte në pesë a gjashtë rreshta një shpjegim që ndoshta do të dojë orë e orë të tëra për t’u shpjeguar.
Paravolia thotë që dy njerëz shkuan në tempull për t’u falur. Njëri ishte farise dhe tjetri ishte tagambledhës. Fariseu hyri në kishë sikur gjithë kisha i takonte atij dhe filloi të lutet me veten e tij duke thënë: Të falënderoj, o Zot, sepse nuk jam si këta të tjerët: nuk jam as vjedhës, as mashtrues, as imoral, agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën etj. Tagrambledhësi qëndronte në fund të kishës, nuk guxonte të ngrite as sytë në qiell dhe, duke rrahur gjoksin, thoshte vetëm këto fjalë: Mëshiro, o Perëndi, mua mëkatarin. Në fund, Zoti e mbyll paravolinë duke thënë që të gjithë ata që mburren dhe lartësojnë veten e tyre, do të ulen poshtë. Ndërsa ata që përulen, do të lartësohen. Ky është Ungjilli i sotëm. Këtë histori dhe paravoli Zoti e tregon pikërisht, sepse ju drejtohet disave që besonin në vlerën e tyre dhe nuk mbështeteshin te Perëndia, lartësonin veten e tyre dhe përçmonin të tjerët. Për këtë e tregon Zoti paravolinë.
Çfarë përfaqësojnë këto dy persona?
E para, fariseu ishte në pjesën udhëheqëse të Izraelit, pjesa më fetare e cila mbante tempullin, zbatonin ligjin e Moisiut, por lutja e tij nuk i pëlqeu Perëndisë, ndonëse kishte bërë disa vepra të mira. Nuk i pëlqeu lutja, sepse zemra ishte krenare. Ai i lutej Perëndisë duke mbajtur sytë lart në qiell, po zemra i rëndonte poshtë. Zoti nuk impresionohet nga fjalët e bukura që mund të themi ne, por nga çfarë flet zemra. Dhe aty në paravoli jepet një detaj shumë i rëndësishëm. Fariseu nuk po i thoshte fjalët me zë të lartë, por po lutej me veten e tij. Lutja e tij ishte një mburrje, nuk ishte një lutje përpara Perëndisë. Ai mburrej, ndonëse maskohej, duke thënë që falenderonte Perëndinë për këtë gjë, që nuk ishte si gjithë njerëzit e tjerë. Dhe kjo lutje nuk i pëlqen Zotit. Mburravecët, mendjemëdhenjtë, krenarët nuk janë të pëlqyeshëm përpara Perëndisë. Sa herë që e shikojmë veten tonë duke u mburrur për diçka, le të kujtojmë këtë paravoli, sepse kjo lutje nuk i pëlqen Zotit. Edhe kur e mendojmë me veten tonë, se me buzë ne mund t’i mashtrojmë njerëzit e tjerë, po zemra nuk gënjen asnjëherë. Zoti lexon zemrat, jo vetëm fjalët që themi me gojën tonë. Lutja e një mendjemadhi, e një krenari, e një mburraveci nuk është e pëlqyeshme te Zoti. Prandaj Shën Pavli porosit në letrën e drejtuar korintianëve, duke u thënë që çfarë janë mendjemëdhenj, ata që mburren, ata me mendjet krenare, largohuni prej tyre, sepse ata dëmtojnë jo vetëm veten, por dëmtojnë dhe të tjerët që i dëgjojnë.
Lutja e vërtetë e njeriut të shenjtë është lutja e përulur. E kemi përmendur disa herë dhe kemi thënë që si në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re përse njerëzit më të pastër e më të shenjtë të asaj kohe akuzonin veten sikur të ishin fajtorë. Lexoni psalmet e Davidit si thotë vazhdimisht për veten e tij: … që mëkatet e mia e kanë kaluar kokën time dhe janë bërë një barrë e rëndë (Ps.38:4).Unë e njoh paudhësinë time dhe mëkati im është përpara meje kurdoherë (Ps.50:3) . Tre djemtë që ishin në furrë në Babiloni, të cilët i shpëtoi Zoti nga flaka, çfarë thonin kur po rrinin atje? Përveçse lavdëronin Perëndinë, akuzonin dhe veten e tyre duke thënë që jemi mëkatarë dhe kemi bërë shumë vepra të gabuara (Dan.3).
Profeti Isaia kur pa fronin e Perëndisë tha këto fjalë: Mjerë unë, njeri me buzë të ndyra, pashë fronin e Mbretit të Lavdisë (Is.6:5). Shën Simeoni, Theologu i Ri, në lutjet që lexojmë para kungimit, thotë disa fjalë që janë shumë të rënda dhe ai i thotë për veten e tij: “Pej buzësh të ndyra, prej zemre të fëlliqur, prej gjuhe të papastër, dhe shpirti të njollosur” (Kungata Hyjnore, Urata VII)
Pse i thotë këto fjalë ai? Sepse ata ishin ndriçuar nga Perëndia. E duke qenë të ndriçuar, shikonin çdo grimcë të vogël të mëkatit brenda tyre. Ne që jetojmë në errësirë, shpeshherë nuk i shohim ata. Prandaj mburrim veten, lavdërojmë veten se kemi mendje krenare. Gjëra të tilla janë në kundërshtim me mësimin e Zotit. Zoti pëlqeu më shumë lutjen e tagrambledhësit, i cili ishte njeri mëkatar. Sepse ndonëse ai i mbante sytë përtokë dhe nuk guxonte t’i ngrinte në qiell, zemra e tij fliste lart dhe ngrihej lart. Shën Gojarti duke predikuar rreth kësaj paravolie thotë diçka shumë të bukur. Në atë kohë në Konstandinopojë kishte shumë gara me qerre, se ai ishte sporti më popullor i asaj kohe. Ai thotë këtë metaforë. Nëse në një qerre do të jetë drejtësia dhe krenaria dhe në qerren tjetër do të jetë mëkati dhe pulësia, qerrja e dytë do të shkojë më përpara dhe do ta fitojë garën. Qerrja e parë nuk do të humbasë nga drejtësia, por nga krenaria. Qerrja e dytë nuk do të fitojë nga mëkati, por nga përulësia. Sepse ai njeri që përulet dhe pranon fajin e tij, ai është ndriçuar nga Perëndia. Shën Isaak Siriani, një nga mjeshtërit shpirtëror më të mëdhenj të Kishës Orthodhokse, thoshte këto fjalë: “Ai njeri që dallon mëkatin te vetja është më i madh se ai që sheh engjëj dhe ngjall të vdekur”.
Përse e lartëson kaq shumë këtë gjë? Sepse nuk mund të ketë shpëtim, nëse nuk e dallojmë që jemi të sëmurë. Njerëzit që nuk besojnë që janë të sëmurë, nuk e marrin mjekimin. Vetëm njerëzit që e kuptojnë sëmundjen e tyre e marrin mjekimin. E njëjta gjë ndodh dhe në jetën shpirtërore. Nëse nuk e kuptojmë që jemi mëkatarë, diçka nuk shkon mirë brenda nesh. Dhe nuk e marrim dot mjekimin, sepse mendojmë që jemi të drejtë. Krenarët nuk pendohen kurrë. Ata mendojnë gjithmonë sikur ata vetë janë mirë dhe përçmojnë të tjerët. Sa më krenar të jetë njeriu dhe sa më tepër ta lavdërojë veten, aq më shumë i përçmon të tjerët. Dhe e kundërta, shenjtorët që akuzonin veten e tyre, i lartësonin njerëzit e tjerë dhe i donin ata, sepse në shpirtin e tyre kishte zbritur hiri i shenjtë i Perëndisë dhe drita e këtij hiri na ndriçon për të parë njollat tona.
Prandaj dhe Triodi është një periudhë pendimi për gjithsecilin nga ne, për ta filluar jetën me një pendim shumë të madh. Pendimi në Kishën Orthodhokse nuk është thjesht vetëm pranimi i një gabimi, nuk është shkelja e një rregulli. Ky është kuptimi legalistik i mëkatit. Thellë-thellë, mëkati në Kishën Orthodhokse është një prishje marrëdhënieje. Prishja e marrëdhënies me Perëndinë. Adami dhe Eva nuk shkelën thjesht vetëm një urdhërim të Zotit, por ata prishën një marrëdhënie; dyshuan te Zoti, iu bindën fjalëve që u tha gjarpri dhe menduan që Zoti nuk i donte dhe nuk ishte aq i mirë sa kujtonin ata. Kjo prishje marrëdhënieje është pikërisht mëkati i madh dhe pendimi është pikërisht restaurimi i kësaj gjëje, ndryshimi i mendjes tonë, i mënyrës së të jetuarit, i mënyrës së të menduarit. Prandaj dhe Triodi është një pjesë e rëndësishme në jetën tonë shpirtërore.
Le të mundohemi ta mbajmë këtë gjë, sepse nëse nuk do pendohemi, do të thotë që jemi krenarë. Dhe duke qenë krenarë, gjithmonë do të mburremi. Shën Pavli shkruan në letrat e tij: Përse e shikon veten sikur je ndryshe nga të tjerët? E nëse ke diçka, a nuk është kjo që të është dhënë? E nëse të është dhënë, përse mburresh për këtë gjë (1 Kor.4:7)?
Çdo gjë që mund të bëjmë, nuk e kemi bërë nga fuqia jonë, po nga mëshira e Perëndisë, sepse na ka ndihmuar hiri i tij për të realizuar diçka. Edhe nuk është jona dhe nuk mund të mburremi për veten. Mund të mburremi vetëm për Krishtin dhe për Perëndinë, sepse mburrja për veten do të thotë që nuk e njohim veten tonë. Të gjithë njerëzit që mendojnë se janë shumë të mirë, janë të drejtë, janë më të mençur se të tjerët, janë gabim. Sot, për fat të keq, i dëgjojmë gjithmonë këto gjëra. Ja, të gjitha historitë e njerëzve kështu janë: Sa mirë e bën ky, sa keq e ka bërë ai tjetri. Fjalë të tilla nuk vijnë nga një zemër e pastër. Një zemër e pastruar fokusohet dhe përqëndrohet te vetja e tij. Prandaj, të përulurit nuk merren me të tjerët; krenari merret me të tjerët. Fariseu, duke qenë krenar, filloi të merret me të tjerët. Madje tha: “Nuk jam si ky tagambledhësi”. Që do të thoshte: “Unë jam ndryshe nga të tjerët”. Kjo lutje, sa herë e thënë me buzë ose në zemër tonë, nuk është e pëlqyeshme tek Perëndia. Ne vijmë në kishë për t’u shëruar, nuk vijmë për t’iu mburrur Perëndisë sesa të mirë jemi. Nëse do ta kuptojmë sëmundjen tonë, – nuk shkojmë te mjeku për t’u mburrur për shëndetin tonë dhe për t’i treguar sa të shëndetshëm jemi, – shkojmë për t’i treguar sëmundjen që mjeku të na japë shpëtimin. Dhe tagrambledhësi erdhi te Mjeku i Vërtetë, pikërisht, duke i treguar sëmundjen e tij, që ishte mëkatar dhe i lutet Perëndisë që të ketë mëshirë. Dhe Perëndia ka dhembshuri të jashtëzakonshme, siç thotë dhe Psalmisti: “Zemrën e thyer e të përurulur, Perëndia nuk do ta përbuzë (Ps.50:17). Asnjë përulësi nuk përjashtohet nga Perëndia. Përulësia është dera e hapjes së pendimit. Prandaj dhe sot me Triodin fillojmë këndojmë për herë të parë troparin e famshëm (Hapmi dyert e pendimit, o Jetëdhënës…) në të cilin i lutemi Perëndisë që të na hapë derën e pendimit. Sepse nëse do të hapet dera e pendimit, do të hapet pikërisht nga përulësia. Sa më të përulur të jemi, aq më shumë Perëndia do të na ndihmojë dhe do të na ndriçojë.
Tregohet një histori shumë e bukur sesi pendimi i madh sjell shpërblimin. Në kohën kur ishte Mauriku perandor në Kostandinopojë, ishte një bandit i tmerrshëm në periferitë e Konstandinopojës, i cili kishte përhapur frikë në të gjitha ato zona. Ai kishte bërë krime pafund dhe Mauriku që ishte një i krishter i devotshëm kishte dëgjuar për të dhe i dërgoi një kryq, duke i kërkuar që të pendohet se do ta falte. Banditi, kur pa kryqin, iu kujtua fëmijëria, iu kujtuan prindërit që i kishin folur për Krishtin, për gjithçka dhe u pendua. Pastaj shkoi dhe u paraqit para perandorit dhe i ra në gjunjë me lot, duke i kërkuar falje dhe perandori e fali. Ai qëndroi 10 ditë duke u lutur dhe duke u penduar, saqë shamia e tij ishte largur dhe bërë qullë nga lotët që derdhte vazhdimisht. Ditën e dhjetë ndërroi jetë. Një shenjt i madh që jetonte në atë kohë në një manastir në Kostandinopojë pa një vizion kur banditi u paraqit përpara gjykatores dhe demonët sollën të gjitha mëkatet që kishte bërë ai, të shkruara nëpër letra dhe i vendosën në peshore. Peshorja u zhyt nga gjithë ato mëkatet e tij. Pastaj po kërkonin që çfarë të mire kishte bërë që mund ta ndihmonin. Në duart e një engjëlli u shfaq shamia që ishte lagur nga lotët e 10 ditëve të pendimit. Ai e vuri këtë shami nga ana tjetër e peshores dhe ajo e ngriti edhe anën tjetër lart, sepse pendimi është i fuqishëm. Pendimi i vërtetë e ndryshon njeriun dhe ndryshimi nuk është në zgjatje të madhe në kohë, por është në cilësinë e pendimit. Prandaj, Triodi na thërret të gjithëve pa përjashtim të hyjmë në rrugën e pendimit dhe le t’i kërkojmë Perëndisë pikërisht që ta hapë fort portën e pendimit, se porta e pendimit është porta për të qenë në kungim me Perëndinë e gjallë.
Nëse nuk pendohemi është vështirë të falemi. Jo se nuk do Perëndia, po jemi ne vetë që nuk jemi shëruar. Asgjë e ndyrë nuk do të hyjë në mbretërinë e qiejve, shkruan Shën Pavli (shih 2 Kor.6:14-18).
Kjo është koha jonë për t’u pastruar, – për të pastruar veten tonë, për të pastruar zemrën tonë dhe për të ndihmuar të gjithë njerëzit që janë rrothull nesh, pikërisht për të bërë këtë gjë. Vetëm njerëzit që do të jenë të përulur – do ta njohin mëkatin e tyre, do ta kuptojnë që po ecin në rrugë të shtrembër, – vetëm ata mund të kthehen. Duke u kthyer, pa dyshim që do të shërojnë dhe ndriçojnë veten e tyre; dhe një kandil i ndezur gjithmonë ndriçon.
Ne shpeshherë nuk ndriçojmë, sepse kandili ynë nuk është i ndezur. Një kandil i fikur nuk jep dritë. Prandaj, periudha e Triodit është një periudhë që gjithsecili nga ne të ndezë kandilin e zemrës së tij.
Le t’i lutemi Zotit që të kemi lutjen e tagrambledhësit, por le t’i kemi dhe veprat e fariseut, sepse veprat e tij nuk ishin të këqija, ishin të mira, por lutja që bënte dhe zemra e tij ishin të rënduara nga hipokrizia. Kisha na thërret të gjithëve të bëjmë veprat e fariseut dhe të kemi përgjithmonë përulësinë dhe njohjen e mëkatit të tagambledhësit. Amin.