Uniteti i dukshëm i orthodhoksëve dëshmi në mbarë botën
Përshkrim nga Mediat Kishtare Orthodhokse online për vizitën e Kryepiskopit Joan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, theksoi nevojën për dëshmi të dukshme të unitetit të Kishave Orthodhokse në mbarë botën: “Bota duhet të na shohë së bashku. Kemi nevojë për një unitet të dukshëm. Në zemrat tona jemi të bashkuar, por duhet t’ia tregojmë këtë botës me dëshmi të dukshme” – tha ai në fund të Liturgjisë Hyjnore të Dielën e Orthodhoksisë në Kishën e Shën Ekaterinës në Braintree, Massachusetts, ku meshuan së bashku 15 hierarkë nga të gjitha Kishat e tjera Autoqefale dhe 2 episkopë të dioqezave shqiptare në Amerikë.
Ky mesazh i unitetit thelbësor dhe të dukshëm për Orthodhoksinë u dërgua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Fortlumturia e tij, Joani, në fillim të vizitës së tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes dhe fronëzimit të tij. “Nuk mund të kërkojmë dialog me të tjerët, pa dëshmuar unitetin dhe dialogun mes nesh” – theksoi Kryepiskopi Joan, duke nënvizuar nevojën e madhe që ka bota sot për të vërtetën e Orthodhoksisë.
Me dëshminë e unitetit të dukshëm të Kishave Orthodhokse nisi vizita e Kryepiskopit Joan në Amerikë, në qendër të së cilës është pjesëmarrja e tij në Konferencën Ndërkombëtare në nderim të Kryepiskopit të lumur: “Anastasi: Kryepiskop, Theolog, Hierapostull”. Konferenca do të zhvillohet nga 2 – 4 mars 2026 në Seminarin Theologjik të Kryqit të Shenjtë në Boston, aty ku Kryepiskopi, dikur student u diplomua në Theologji, ndërsa sot pas 33 vjetësh vjen si Kryepiskop i Shqipërisë për të mbajtur fjalën kryesore në lidhje me trashëgiminë e Kryepiskopit të lumur Anastas.
Vizita zyrtare e Primatit të Kishës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pjesë e një kuadri të gjerë dialogu dhe forcimi të unitetit të Orthodhoksisë në nivel ndërkombëtar.