Forltumturia e tij, Imzot Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë zhvilloi sot, më 14 janar 2026, në Bruksel një sërë takimesh të rëndësishme, në kuadër të vizitës së tij në institucionet evropiane.
Gjatë ditës, Kryepiskopi Joan u takua me z. Ferit Hoxha, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Belgjikë dhe Luksemburg, si dhe Përfaqësues i Përhershëm në Komitetin Politik dhe të Sigurisë. Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe kapitujt negociues që mbeten për t’u mbyllur. Vëmendje e veçantë iu kushtua kapitullit që trajton marrëdhëniet me komunitetet fetare, sidomos çështjet e statusit të pronave dhe të drejtave pronësore të tyre.
Ambasadori Hoxha shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë e tij për këtë takim dhe premtoi komunikim të vazhdueshëm për të gjitha çështjet që prekin Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Ai propozoi krijimin e kanaleve të përhershme komunikimi për të mirën e komuniteteve fetare. Në mënyrë të veçantë, u theksua fakti se të gjitha komunitetet fetare duhet të mbështeten nga Bashkimi Evropian, duke qenë se ato kontribuojnë në mënyrë të çmuar në forcimin e vlerave themelore të shoqërisë shqiptare dhe evropiane. Modeli shqiptar i harmonisë fetare përbën shembull për t’u ndjekur jo vetëm për Evropën, por sidomos për Ballkanin, ku shpesh hasen tensione ndërfetare.
Më pas, Fortlumturia e Tij, Joani u prit nga z. Ioannis Vrailas, Përfaqësues i Përhershëm i Greqisë në Bashkimin Evropian. Ambasadori Vrailas theksoi mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, që nga koha e Kryepiskopit të ndjerë Anastas e deri në vazhdimësinë e denjë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan. Ai siguroi se komunitetet fetare dhe pronat e tyre fetare do të jenë gjithmonë prioritet në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Aktivitet solemn në Parlamentin Evropian
Në mbrëmje, në Parlamentin Evropian u zhvillua Aktiviteti solemn me temë “The Life, Work, and Legacy of the Late Archbishop Anastasios”. Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, mbajti fjalën kryesore, në të cilën nderoi personalitetin e rrallë të Kryepiskopit të ndjerë Anastas.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi figurën e shquar të paraardhësit të tij, i cili erdhi në Shqipëri në vitin 1992, kur Kisha Orthodhokse ishte pothuajse e shkatërruar pas pesë dekadash persekutimi të egër nga regjimi komunist. Me vizion, dashuri dhe sakrificë të jashtëzakonshme, Kryepiskopi Anastas arriti ta ringjallë Kishën nga hiri, duke ndërtuar qindra kisha, duke hapur shkolla, spitale dhe qendra sociale, dhe duke formuar një brez të ri klerikësh dhe besimtarësh.
Forltumturi Joani theksoi se trashëgimia e Kryepiskopit Anastas nuk qëndron vetëm në ndërtesat e ngritura, por mbi të gjitha në shpirtrat e prekur dhe në modelin e dialogut ndërfetar që ai vendosi në Shqipëri – një model që shihet sot si shembull për të gjithë Evropën.
Ky Aktivitet solemn dhe i një rëndësie të veçantë ishte i pari që Parlamenti Evropian organizon kushtuar jetës dhe veprës së një hierarku të Kishës Orthodhokse.
Prania e eurodeputetëve nga grupe të ndryshme politike, diplomatëve dhe përfaqësuesve të institucioneve evropiane dëshmoi vlerësimin e lartë ndërkombëtar për kontributin e jashtëzakonshëm të Kryepiskopit të lumur Anastas dhe Kishës Orthodhokse në ndërtimin e Shqipërisë demokratike dhe në promovimin e vlerave evropiane.
Panelistët dhe përfaqësuesit
Në panelin e këtij Aktiviteti solemn morën pjesë:
- Znj. Dhimitra Kukura (Dimitra Koukoura), Profesore Emerite e Homiletikës në Fakultetin Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut
- Z. Genc Pollo, Ish-Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Ish-Zv/Kryeministër, politikan dhe studiues i njohur
- Z. Vangjel Dule, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
- Znj. Ksanthi Morfi, Gazetare, anëtare e Komisionit për Komunikim në Këshillin Botëror të Kishave (WCC)
Gjithashtu, u mbajtën përshëndetje të veçanta nga z. Ioannis Vrailas, Përfaqësues i Përhershëm i Greqisë në BE dhe Eurodeputetët z. Fredi Beleri (PPE), z. Nikos Papandreou (S&D) dhe z. Nikolaos Farantouris (Majtas). Misioni i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian u përfaqësua nga znj. Admira Jorgji, Ministre e Plotfuqishme.
Bruksel, 14 janar 2026
Fotografi






