Nga 7–10 dhjetor 2025, në Gjenevë të Zvicrës, u zhvillua Konsultimi i 12-të Akademik midis Judaizmit dhe Krishterimit Orthodhoks, i organizuar nga Patriarkana Ekumenike dhe Komiteti Ndërkombëtar Hebre për Konsultime Ndërfetare (IJCIC). Takimi, që shënon pothuajse pesë dekada dialogu ndërfetar midis dy traditave të mëdha fetare, kishte si temë kryesore “Shenjtëria e Vendit – Shenjtëria e Hapësirës”.
Në hapje, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu, theksoi se hapësira e shenjtë “nuk është një muze bukurie”, por një thirrje morale dhe shpirtërore që i udhëzon besimtarët drejt drejtësisë, dhembshurisë dhe shenjtërisë. Ai nënvizoi se adhurimi nuk është një shkëputje nga bota, por një transformim i saj.
Punimet e konsultimit përfshinë sesione mbi natyrën e shenjtërisë, interpretimin e teksteve fetare dhe sfidat që sjell kultura digjitale. Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu Sinagogën Beth-Yaacov të Gjenevës dhe Qendrën Orthodhokse të Patriarkanës Ekumenike në Chambésy.
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë u përfaqësua nga Dr. Thodhori Qesko, pedagog pranë Kolegjit Universitar Logos, i cili përcolli mesazhin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Joan. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryepiskopi theksoi:
“Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila përjetoi shkatërrim të plotë nën regjimin ateist dhe u ringjall me hirin e Perëndisë, e kupton thellësisht sa i çmuar është çdo vend i shenjtë. Ne pamë kisha e sinagoga të kthyera në magazina, xhami të shembura dhe libra të shenjtë të djegur. Por shenjtëria nuk banon vetëm në gurë, por para së gjithash në zemrat e besimtarëve.”
Duke iu referuar sfidave të epokës moderne, ai vijoi:
“Hapësirat digjitale zgjerojnë kufijtë e komunikimit njerëzor dhe adhurimit. Dëshmia jonë e përbashkët mbi shenjtërinë e çdo vendi të takimit të njeriut me Hyjnoren ka sot rëndësi të veçantë. Shpresojmë që ky takim të forcojë mirëkuptimin, respektin ndërfetar dhe bashkëjetesën paqësore.”
Gjithashtu, përfaqësuesi i Kishës sonë, me ftesë të organizatorëve, pati nderin të referonte në sesionin e tretë të takimit me temën: “Shenjtëria në hapësirat përtej atyre parësore: një qasje orthodhokse eukaristike dhe rasti i Shqipërisë.”
Konsultimi u përmbyll me miratimin e komunikatës zyrtare dhe me zotimin për të thelluar më tej dialogun ndërfetar në nivel ndërkombëtar.




