Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pjesë e konferencës ndërkombëtar mbi besimin dhe teknologjinë

 

Në kuadër të konferencës “Bota të shpallë mbrojtësin e saj: Shën Dhimitri Mirovliti në Ballkan”, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, përuroi stendën që përfaqëson Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe vendin tonë.

Konferenca u zhvillua në prani të Presidentit të Republikës së Greqisë, z. Konstantin Tasoulas, Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, Bartolomeut, Fortlumturisë së Tij, Patrikut të Bullgarisë, Daniel, Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Qipros, Gjergji dhe Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Athinës dhe Gjithë Greqisë, Jeronimi.

Ky moment i shënuar dëshmoi edhe njëherë unitetin e Kishave Orthodhokse dhe njëherësh përfaqësoi një rast të veçantë ku Kisha e Shqipërisë dha zërin e saj në mozaikun e përbashkët të traditës Orthodhokse botërore.


Me solemnitet dhe frymë shpirtërore u zhvillua në Selanik, në Kishën e Shën Dhimitrit, hapja e Konferencës II Ndërkombëtare të revistës «Θεολογία», me temë:

«Teologjia Orthodhokse dhe “Ontologjia” e Teknologjisë: Pasojat Antropologjike, Politike, Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore».

Përshëndetën hapjen e konferencës, Tërëshenjëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Bartholomeu (me fjalimin inaugures), Presidenti i Republikës së Greqisë, z. Konstantinos An. Tassoulas, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Athinës dhe Gjithë Greqisë, z. Jeronimi II.

Ky bashkim i lartë shpirtëror e shndërroi Selanikun në qendër të dialogut ndërkombëtar mbi marrëdhënien ndërmjet besimit orthodhoks dhe teknologjisë, duke theksuar dimensionet antropologjike, politike dhe kulturore të këtij diskutimi.


Kumtesë E Kryepiskopit Joan, mbajtur sot në Konferencën II Ndërkombëtare të Revistës “Teologjia”, me temë “Teknologjia Orthodhokse dhe ‘Ontologjia’ e Teknologjisë: Pasojat antropologjike, politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore”, në Selanik.

 

Alienimi Digjital Dhe Terapeutika Orthodhokse
(Një qasje pimantike ndaj teknologjisë)

I

Shekulli i 21-të, me përparimet e tij të shpejta dhe shpesh të frikshme teknologjike, ngre shumë pyetje. Për njerëz dhe grupe të ndryshme, përgjigjet ndryshojnë. Disa e shohin teknologjinë si një mundësi të madhe për zhvillim, ndërsa të tjerë e shohin si një kërcënim. Si për ata që e përqafojnë ashtu edhe për ata që i kundërvihen, ky fenomen është tashmë realitet dhe paraqet sfida të vështira për të gjithë komunitetin njerëzor – sfida që kërkojnë zgjidhje. Pa dyshim, Kisha Orthodhokse nuk mund të përjashtohet nga këto sfida. Ajo duhet t’i konfrontojë ato, jo thjesht për t’u mbrojtur, siç ka ndodhur fatkeqësisht shpesh, por edhe për të gjetur zgjidhje origjinale dhe krijuese, si pjesë e përgjegjësisë së saj globale.

Megjithëse trajtimi i çështjeve teknologjike paraqet një gamë të gjerë dhe shumë komplekse, dëshiroj të adresoj në këtë punim një aspekt të rëndësishëm të qasjes së qenies njerëzore ndaj teknologjisë së re, duke u nisur nga përvoja e gjerë klinike në fushën e shëndetit mendor. Kjo përvojë zbulon një element të përbashkët që përfshin një spektër të gjerë të çrregullimeve psikologjike: paaftësia për të menaxhuar.

Qoftë kur bëhet fjalë për paaftësinë për të menaxhuar emocionet, siç vërehet në çrregullimet emocionale dhe të personalitetit – një gjendje që kërkimi shkencor bashkëkohor e përshkruan si “çrregullim emocional” – ose paaftësinë për të menaxhuar mendimet në çrregullimet psikotike, ose paaftësinë për të menaxhuar impulset në varësitë, personi që vuan psikologjikisht është i pushtuar nga forca të brendshme ose të jashtme që tejkalojnë kapacitetin e tij.

Ky vëzhgim klinik merr një dimension të ri dhe urgjent në erën e teknologjisë digjitale, ku të dhënat statistikore konfirmojnë madhësinë e fenomenit. Vërehet një vështirësi në rritje në menaxhimin e mbingarkesës digjitale – vërshimin e informacionit dhe presionin për lidhje të vazhdueshme. Varësia nga interneti, nomofobia (frika e shkëputjes nga telefoni celular), lodhja digjitale dhe sindromi i krahasimit social, tani përbëjnë gjendje psikologjike të dokumentuara. Sipas një metanalize të vitit 2023, afërsisht 20% e individëve shfaqin simptoma të lehta të nomofobisë, 50% të moderuara dhe 20% të rënda. Një rishikim sistematik në PLOS ONE (2021), lodhja digjitale dhe sindromi i krahasimit social, tani përbëjnë gjendje psikologjike të njohura. Pasojat janë të shumta, veçanërisht në mesin e të rinjve, ku, sipas Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, përdorimi i mediave sociale për më shumë se tre orë në ditë dyfishon rrezikun e zhvillimit të simptomave të depresionit dhe të ankthit. Për pasojë, komorbiditetі midis diagnozave tradicionale dhe çrregullimeve të lidhura me teknologjinë po bëhet tani një rregull i dokumentuar, me kërkime që konfirmojnë korrelacionin e konsiderueshëm pozitiv midis varësisë nga interneti, depresionit dhe çrregullimeve të ankthit.

Realiteti klinik nënvizon nevojën urgjente për të trajtuar teknologjinë jo si një mjet neutral, por si një forcë e fuqishme që kërkon aftësi specifike psikologjike dhe shpirtërore për përdorimin e saj të shëndetshëm.

II

Tradita Orthodhokse, shekuj përpara shfaqjes së psikologjisë moderne, e njohu rëndësinë e formimit të brendshëm për ndërveprimin e shëndetshëm me botën. Etërit e Kishës dalluan midis mënyrës së ekzistencës “sipas natyrës” (gr. kata physin) dhe “kundër natyrës” (gr. para physin). E para karakterizohet nga lëvizja e njeriut drejt Zotit, me vetënjohje, masë dhe urtësi, ndërsa e dyta nga largimi nga Zoti, që çon në injorancë, ekstremizëm dhe konfuzion.

Ky dallim gjen aplikim të drejtpërdrejtë në marrëdhënien tonë me teknologjinë. Përdorimi i saj “sipas natyrës”, parakupton shëndetin shpirtëror të përdoruesit – aftësinë e tij për të vendosur kufij, për të dalluar thelbësoren nga jothelbësorja dhe për të mbetur zot i zgjedhjeve të tij. Shën Maksimi Rrëfimtari mësoi për “lëvizjen sipas natyrës” si drejtimin e njeriut drejt destinacionit të tij të vërtetë: bashkimin me Zotin dhe të afërmin. Teknologjia, kur përdoret nga njerëz shpirtërisht të shëndetshëm, mund të shërbejë për këtë lëvizje. Anasjelltas, kur përdoret nga të sëmurët shpirtërisht, ajo mund të përshpejtojë lëvizjen “kundër natyrës”, drejt alienimit, narcisizmit dhe sipërfaqësisë.

III

Tradita Orthodhokse ofron praktika specifike që mund të funksionojnë terapeutikisht në trajtimin e alienimit digjital. Tradita e vigjilencës shpirtërore (gr. Nepsis), me theksin e saj në syhapur dhe vëmendje, ofron një mënyrë rezistence ndaj shpërqendrimit dhe sipërfaqësisë që promovon kultura digjitale. Lutja, veçanërisht Lutja e Zemrës (Lutja e Jisuit), përbën një ushtrim disipline dhe përqendrimi që bashkon botën e brendshme të njeriut.

Komuniteti kishtаr, me theksin e tij në komunikimin e drejtpërdrejtë, ballë për ballë, përbën një antidot ndaj komunikimit virtual. Pjesëmarrja në jetën liturgjike të Kishës, me natyrën e saj shumëshqisore – ikonat, temjani, psalmodia dhe shija e Kungimit të Shenjtë, siç nxit psalmisti “shijoni dhe shihni se Zoti është i mirë” – ofron një përvojë holistike që i reziston çmishërimit të ekzistencës digjitale.

Mund të propozohet që tradita asketike e abstinencës të zgjerohet në marrëdhënien tonë me teknologjinë. Një “asketizëm digjital”, duke përfshirë periudha shkëputjeje dhe kufizime të ndërgjegjshme, mund të ndihmojë në kultivimin e një marrëdhënieje më të lirë me teknologjinë. Së fundi, Misteri i Rrëfimit, si një praktikë e vetënjohjes dhe përgjegjshmërisë, mund të kontribuojë në trajtimin e varësive digjitale.

IV

Koncepti i dallimit (lat. discretio, gr. diakrisis) zë një vend qendror në shpirtëroren orthodhokse. Shën Andoni i Madh, siç na transmetohet nga Shën Joan Kasiani, e quajti atë virtyt më të madh, duke njohur rëndësinë e aftësisë për të dalluar midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, asaj që është e dobishme dhe asaj që është e dëmshme.

Në erën digjitale, dallimi merr rëndësi të re. Çdo ditë bombardohemi me informacion dhe algoritme të dizajnuara për të manipuluar vëmendjen tonë. Kultivimi i “dallimit digjital” kërkon pjekuri shpirtërore. Etërit mësuan se dallimi kultivohet nëpërmjet lutjes, përuljes dhe udhëzimit nga drejtuesit shpirtërorë. Sot, na duhen forma të reja të udhëzimit shpirtëror. Kisha thirret të zhvillojë një “kujdes pimantik digjital”, që do të ofrojë kritere dallimi për ballafaqimin me sfidat e erës digjitale.

V

Thirrja e Kishës për shenjtërim përfshin tërësinë e jetës njerëzore. Theologjia Orthodhokse mëson se qëllimi i jetës njerëzore është hyjnizimi (gr. theosis) – transformimi i gjithë ekzistencës, nëpërmjet bashkimit me Zotin, siç përmbledh Shën Athanasi i Madh: “Perëndia u bë njeri, që njeriu të bëhet hyjnor”.

Shenjtërimi i teknologjisë nuk do të thotë sakralizim i pajisjeve, por transformimi i mënyrës se si i përdorim ato: për qëllime që harmonizohen me vullnetin e Zotit. Kisha thirret të ofrojë një theologji të teknologjisë, që do të njohë potencialin e saj, ndërsa gjithashtu të nënvizojë rreziqet e saj.

Revista THEOLOGJIA, me praninë e saj shekullore, thirret të kontribuojë në formimin e kësaj theologjie, duke ofruar një platformë për dialog midis theologëve, shkencëtarëve dhe teknologëve. Në pragun e shekullit të saj të dytë, ajo ka mundësinë të nënvizojë relevancën e Traditës Orthodhokse, duke kontribuar në shenjtërimin e teknologjisë dhe promovimin e një marrëdhënieje më humane me të.

——–

——

 


 

Në ditën e tretë të Konferencës II Ndërkombëtare të revistës “Theologjia” me temë: “Teologjia Orthodhokse dhe “Ontologjia” e Teknologjisë’: Pasojat Antropologjike, Politike, Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore”, Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij, Bartholomeu I, zhvilloi, sot në Selanik, takim vëllazëror dhe të përzemërt me Kryepiskopin e Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, z. Joan, në kuadër të pjesëmarrjes së tyre në këtë Konferencë.