Prefekti i Qarkut Vlorë mirëpriti Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Imzot Joan Pelushi. 09.08.2025
Në ambientet e Prefekturës së Vlorës, z. Plator Nesturi mirëpriti Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, si dhe primatin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi.
Prefekti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për vizitën e Kryepeshkopit, duke vlerësuar domethënien e këtij takimi për jetën shoqërore dhe institucionale të vendit.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e bashkëjetesës fetare, një vlerë e rrënjosur thellë në traditën shqiptare. U trajtua gjithashtu roli që institucionet fetare dhe shtetërore kanë në ruajtjen dhe forcimin e paqes sociale.
Kryepeshkopi Pelushi nënvizoi domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut të hapur mes komuniteteve fetare dhe institucioneve shtetërore, si një rrugë e sigurt për të rritur mirëkuptimin, sigurinë dhe paqen shoqërore në vend.
Prefekti Nesturi, nga ana e tij, vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në jetën shpirtërore dhe shoqërore, duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë, e cila shërben si shembull frymëzues bashkëpunimi dhe harmonie.
Foto Album