Korriku i vitit 1998 do të shënonte një çast historik për Kishën tonë, riformimin e Sinodit të Shenjtë pas natës së gjatë ateiste. Fronëzimi i Imzot Ignatit, hirotonia e fronëzimi i Hirësi Joanit dhe hirotonia e Imzot Kozmait, bënë të mundur plotësimin e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që kishte nisur më 24 qershor 1992, me zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas. Kjo ngjarje e shënuar, që u zhvillua nga 18-25 korrik, u kujtua me Liturgji Hyjnore festive dhe nderimet e rastit.

Në datën 18 korrik, në katedralen e Shën Dhimitrit, në Berat, u kremtua me Liturgji Hyjnore 20-vjetori i fronëzimit të Mitropolitit të Beratit, Hirësisë së Tij, Ignatit. Merrnin pjesë Episkopi i Bylisit, Asti, klerikët e mitropolisë, besimtarë, autoritete lokale e përfaqësues të komuniteteve fetare etj. Në emër të Kryepiskopit Anastas Hirësinë e Tij e uroi Imzot Asti dhe në fund ai priti urimet e rastit.

Në datën 23 korrik 2018, me rastin e 20-vjetorit të hirotonisjes si Episkop dhe zgjedhjes dhe fronëzimit si Mitropolit i Korçës, Hirësia e Tij, Joani, u nderua nga Universiteti i Korçës “Fan Noli”, me titullin “Doctor Honoris Causa”. Ndërsa më 25 korrik, në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, u krye Liturgjia Hyjnore festive. Në të morën pjesë Mitropoliti i Kosturit, Serafimi, Mitropoliti i Kozanit, Pavli, Mitropoliti i Siatistës, Pavli, Mitropoliti i Elbasanit, Andoni, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, dhe Episkopi i Bylisit, Asti. Në Liturgji morën pjesë edhe klerikët e Mitropolisë së Korçës, autoritete vendore, përfaqësues të komuniteteve fetare, besimtarë etj. Në fund, mesazhin e Kryepiskopit Anastas e transmetoi Mitropoliti i Elbasanit, Andoni, si dhe përshëndeti Imzot Serafimi i Kosturit. Gjithashtu, u lexua edhe një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Pas Meshës, Imzot Joani priti urimet në selinë e Mitropolisë.

 

 

Kremtime në 20 vjetorin e fronëzimit të Mitropolitëve