Shërbime publike transparente dhe efektive për personat me aftësi të kufizuara

 

Ky program po zhvillohet në bashkitë Përrenjas, Belsh dhe Cërrik

 

Zyra “Diakonia Agapes – Shërbimi i Dashurisë”, e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në bashkëpunim me shoqatën “Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara” (MEDPAK) dhe Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta (QSHINJNV) po zbatojnë projektin: “Shërbime publike transparente dhe efektive për Personat me Aftësi të Kufizuara” në bashkitë Përrenjas, Belsh dhe Cërrik. Ky projekt 6-mujor (1 shkurt – 31 korrik 2018) mbështetet nga fondi i nën-grantimit “Rrjetëzim dhe shkëmbim i njohurive ndërmjet OSHC-ve në fushën e anti-korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në nivel vendor” – Raundi II, në kuadër të projektit CIVILISC, financuar nga BE, zbatuar nga IDM, në bashkëpunim me Fondacionin RiskMonitor, Bullgari.

Qëllimi i projektit është që: Bashkitë të ofrojnë shërbime më transparente dhe efektive për Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK), duke bashkëpunuar dhe me organizatat e shoqërisë civile. Për të arritur këtë, tri organizatat partnere kanë ndërmarrë aktivitete për të informuar, trajnuar, motivuar dhe nxitur personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre për të pasur shërbime më të mira sociale në bashkitë e tyre.

Një grup prej 24 personash, të quajtur Agjentë të Ndryshimit (të cilët janë persona me aftësi të kufizuara, familjarë ose kujdestarë të tyre), ka ndjekur trajnimin 4-ditor me tema si: Mobilizimi i komunitetit dhe marrëdhëniet me publikun; Advokimi dhe lobimi; Lidershipi dhe krijimi i grupeve; Ngritja e fondeve. Nëpërmjet trajnimive u synua fuqizimi i tyre për të mobilizuar pjesëtarë të tjerë të komunitetit PAK për të marrë pjesë në procesin e monitorimit të shërbimeve të ofruara nga bashkitë përkatëse për PAK, si dhe të jenë pjesë e proceseve të hartimit të politikave për këtë kategori.

Gjithashtu, në të tria bashkitë ku po zbatohet projekti, janë zhvilluar fushata ndërgjegjësimi për të rritur nivelin e informacionit të komunitetit dhe të familjeve që kanë persona me aftësi të kufizuara, në drejtim të: Strategjisë Kombëtare për personat me aftësi të kufizuara (2016-2020); Njohjes së ligjit nr. 9355 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”; si dhe cilat janë shërbimet publike të ofruara nga qeveria shqiptare për personat me aftësi të kufizuara.

Në kuadër të projektit u realizua edhe një studim për shërbimet publike të ofruara në nivel lokal për personat me aftësi të kufizuara. Studimi monitoroi nga afër arsyet përse personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre nuk përfitojnë nga këto shërbime, vlerësoi rolin e secilit institucion publik në nivel lokal dhe në të njëjtën kohë vlerësoi nivelin e informacionit të prindërve të personave me aftësi të kufizuara në lidhje me këto shërbime. Gjetjet e studimit u diskutuan në 3 Tryezat e Rrumbullakëta që u organizuan në secilën bashki, ku morën pjesë përfaqësues të bashkive përkatëse, punonjës të institucioneve publike (arsimi, shëndetësia, punësimi) dhe përfaqësues të organizatave partnere, së bashku me Agjentët e Ndryshimit. Tryezat e Rrumbullakëta u mbyllën me nga një plan veprimi për të ndërmarrë hapa konkrete për përmirësimin e shërbimeve publike të ofruara për personat me aftësi të kufizuara në bashkitë përkatëse.

Projekti synon të finalizohet me ngritjen e tri grupimeve të prindërve dhe personave me aftësi të kufizuara (një në secilën bashki), të cilët do të krijojnë lidhje dhe do të ndërhyjnë pranë institucioneve publike për shërbimet e planifikuara për t’u ofruar nga shteti për personat me aftësi të kufizuara.

 

Brunilda Kello

 

 

 

Veprimtari të Zyrës “Diakonia Agapes - Shërbimi i Dashurisë”