Ditën e hënë, 23 korrik 2018, me rastin e 20-vjetorit të fronëzimit si Mitropolit i Korçës, Hirësia e Tij Joani u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Fan Noli” i qytetit. Leximi i motivacionit dhe dorëzimi i titullit u krye nga Rektori i Universitetit, Prof. dr. Ali Jashari. Në motivacion thuhej: “Personalitet i shquar i botës shpirtërore dhe fetare, humanist, përkthyes dhe botues”. Në ceremoni ishin të pranishëm autoritetet vendore, pedagogë, studentë, klerikë e besimtarë etj. Hirësi Joani është shpallur më parë edhe “Qytetar Nderi” i Korçës.

Më pas, pasi falënderoi për titullin e lartë dhe nderimin që iu bë, Hirësi Joani mbajti një referat, të cilin e ka botuar edhe në revistën “Tempulli”. Në fund, në atmosferën e bukur të krijuar nga muzika e grupit tradicional “Lira”, të pranishmit uruan Imzot Joanin.

Hirësi Joani u zgjodh si Mitropolit i Korçës në mbledhjen e parë të Sinodit të sapokrijuar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, më 18 korrik 1998. Ai u dorëzua episkop në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, në datën 20 korrik 1998, nga Kryepiskopi Anastas, Hirësi Ignati dhe një Mitropolit përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike. Ndërsa më 25 korrik, mes një atmosfere feste e gëzimi, u krye fronëzimi si Mitropolit në Katedralen historike “Burimi Jetëdhënës” Korçë.

 

 

Hirësi Joani u nderua me titullin "Doktor Nderi" nga Universiteti "Fan Noli"