– E Diela E Thomait –
Në çdo ditë të javës mbas Pashkës, e quajtur nga kisha Java e Ndritshme, shërbesat paskale kremtohen me tërë shkëlqimin e tyre. Procesioni pagëzimor i Pashkës përsëritet çdo ditë. Dyert e Bukura të Hierores qëndrojnë të hapura. Gëzimi i Ngjalljes dhe dhurata e Mbretërisë së jetës së amëshuar vazhdon me bollëk. Pastaj, në fund të javës, të Shtunën në mbrëmje kremtohet kujtimi i shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma “mbas tetë ditësh” (Joani 20:26). Eshtë e rëndësishme të vihet re, që numri tetë ka një kuptim simbolik në traditën shpirtërore Judeo-Kristiane. Ai tregon diçka më tepër se sa plotësinë dhe përmbushjen; ai tregon Mbretërinë e Perëndisë dhe jetën e botës që vjen, meqenëse shtata është numri i kohës tokësore. Sabati, dita e shtatë, është dita e bekuar e pushimit në këtë botë, dita e fundit e javës. “Dita e parë e javës,” dita “mbas Sabatit”; theksuar në të gjithë Ungjijtë si dita e Ngjalljes së Krishtit (Marku 16:1; Mattheu 28:1; Lluka 24:1; Joani 20:1, 19) është pra “dita e tetë”, dita përtej kufijve të kësaj bote, dita që qëndron për jetën e botës së ardhshme, dita e pushimit të amëshuar e Mbretërisë së Perëndisë (Hebrenjtë 4).
E Diela mbas Pashke, e quajtur e Diela e dytë, është kështu dita e tetë e kremtimit paskal, dita e fundit e Javës së Ndritshme, prandaj edhe është quajtur Antipashka, sepse vetëm në këtë ditë në Kishën e vjetër, të porsa pagëzuarit i hiqnin rrobat e tyre të bardha të pagëzimit dhe hynin përsëri në jetën e kësaj bote. Në shërbesat e Kishës i vihet theksi shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma. Rëndësia e ditës vjen tek ne nëpërmjet fjalëve të Ungjillit: Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën e vëre në brinjën time; dhe mos u bëj i pabesë, por besëtar. Edhe Thomai u përgjigj e i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!” Jisui i thotë: “Sepse më pe dhe besove, lum ata që nuk panë dhe besuan” (Joani 20:27-29).
Ne nuk e kemi parë Krishtin me sytë fizikë dhe as e kemi prekur trupin e tij të ngjallur me duart tona, por në Shpirtin e Shenjtë ne e kemi parë dhe shijuar Fjalën e Jetës (1 Joani 1:1-4) dhe kështu ne besojmë. Në çdo shërbesë ditore deri në Ditën e Ngjitjes (Shestja), ne këndojmë Troparin e Pashkës. Në secilën nga shërbesat e të Dielave pas Pashke, duke filluar me të Dielën e Shën Thomait, ne këndojmë kanonin dhe himnet e Pashkës dhe përsërisim kremtimin e “ditës së parë të javës”, në të cilën Krishti u ngjall së vdekurish. Këndimet e Apostullit janë prej Veprave të Apostujve, ku tregohet për të krishterët e parë, të cilët jetuan në Kungim me Zotin e Ngjallur. Këndimet e Ungjillit janë nga Ungjilli i Shën Joanit, konsideruar nga shumë, si një Ungjill që u shkruajt kryesisht për ata që janë të porsa pagëzuar në jetën e re të Mbretërisë së Perëndisë, nëpërmjet vdekjes dhe rilindjes në Krishtin, në emër të Trinisë së Shenjtë. Arsyeja për këtë opinion qëndron në faktin se të gjitha “shenjat”, siç quhen mrekullitë në Ungjillin e Shën Joanit, kanë të bëjnë me temat misterore që përfshijnë ujin, verën dhe bukën. Kështu, secila nga të Dielat mbas të Dielës së Shën Thomait, me përjashtim të së tretës, i kushtohet kujtimit të njërës prej këtyre “shenjave”.
* * * * *
– Hierodëshmor Simeoni I Jerusalemit –
Është apostull ndër të Shtatëdhjetët (4 janar), një nga katër “vëllezërit” e Zotit, që kanë preokupuar nga fillimi Theologjinë. Ata përmenden thjesht si vëllezër të Tij, ashtu siç përmendej Josifi (E diela pas Krishtlindjes) si ati i Tij. Po ashtu edhe Hyjlindësja kishte quajtur Josifin atin e Jisuit (Luk. 2:48) megjithëse ajo e dinte shumë mirë se ai nuk ishte fare babai i Jisuit nga ana fizike. Me të njëjtën mënyrë kishte folur edhe engjëlli (Mat.1:20). Hebrenjtë pyesnin veten: “A nuk është biri i mjeshtrit?” A nuk quhet e ëma Mariam dhe vëllezërit e tij Jakov (23 tetor), dhe Josi, dhe Simon dhe Juda (19 qershor). Dhe motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne?” (Mat.13:55-56; Mark. 6:3). Pra, ose ishin kushërinj të parë të Tij qoftë nga e ëma, qoftë nga Josifi, ose ndoshta ishin fëmijë të Josifit nga martesë e mëparshme dhe, rrjedhimisht, ishin vëllezër të Tij, ligjërisht dhe jo të natyrshëm.
Prandaj, mbi Kryq, Ai ia ngarkoi të Tërëshenjtën apostullit Joan (26 shtator) dhe jo atyre (Joan. 19:26-27). Gjithashtu në Letrat e përgjithshme të tyre ata nuk e prezantojnë veten si vëllezër të Perëndisë, as Jakovi, as Juda. Juda e prezanton veten si vëllai i Jakovit të mbarërespektuar ngaqë donte t’i jepte reputacion Letrës së tij, por nuk guxon të prezantohet si vëlla i Krishtit. Veç kësaj, sipas oshënarit Jeronim (15 qershor), shën Justini (1 qershor) lindur në Palestinë në v. 110, shpallte virgjërinë e përhershme të Hyjlindëses. Kështu që vëllezërit mëse të njohur të Perëndinjeriut ishin prej prindërve të ndryshëm.
Ishin vëllezërit e Krishtit jo sipas natyrës, por sipas Ligjit (të Moisiut). Ne befasohemi nëse nuk dimë rrethanat dhe zakonet e atëhershme. P.sh. vejusha që nuk kishte fëmijë martohej me vëllanë e burrit të saj dhe fëmija i parë “ishte” fëmija i të vdekurit (shih Mat. 22:24). Për ne është marrëzi nëse pranojmë se një foshnjë e porsalindur e kishte babanë e saj të vdekur para disa vitesh! Por le të kthehemi te Simeoni (ose Simoni, hebraisht ç’dëgjimi). U bë episkop i dytë i Jerusalemit (70-107) pas Jakovit dhe hipi në fron pas shkatërrimit të qytetit (në v. 70) nga romakët.
Në kohën e Trajanit (98-117), u denoncua nga heretikët te sovrani, për arsye të zellit të tij për të afruar pranë Perëndisë izraelitë e joizraelitë dhe për të rrëzuar tempujt paganë. Kështu u arrestua, u torturua egërsisht dhe në vitin 107 u kryqëzua ashtu si vëllai i tij, në moshën 120-vjeçare. Pra, duhet të ishte 13 vjeç më i madh se Ai dhe natyrisht nuk ishte bir i Virgjëreshës, që në kohën kur u lind Simeoni, sipas traditës, ishte në moshë shumë të vogël.
Sipas një të dhëne, në vitin 82 e kishin detyruar të pinte helm, por ai nuk pësoi asgjë. Disa herë ai përkujtohet edhe më 18 shtator.
* * * * *
– Dëshmor Polioni, Lexues, Në Cibal, Sirmium –
Ishte këndonjësi i parë i kishës së Cibalës në Panoninë lindore. Ai jetoi në kohën kur perandor ishte Diokleciani. Dy vjet pas martirizimit të shën Eusebit, episkopit të Cibalës, Polioni u denoncua si blasfemues i perëndive dhe perandorëve. Pasi e arrestuan, e dërguan te qeveritari i Sirmit/Sirmiumit, Probusi. Atje filloi procesi i zakonshëm kundër të akuzuarve si të krishterë. Në fillim i kërkuan të mohonte Krishtin dhe të nderonte perënditë pagane. Polioni nuk pranoi, duke u thënë se asnjë kërcënim apo torturë nuk mund ta kthente atë kundër besës së vërtetë, Zotit dhe Shpëtimtarit të tij Jisu Krisht. Edhe pasi e torturuan, ai iu përgjigj me trimëri xhelatëve se askush s’mund ta detyronte të shkelte porositë e Shpëtimtarit.
Kur gjykatësi e pyeti se cilat ishin këto porosi, ai iu përgjigj se Krishti na ka mësuar besën në një Perëndi të vërtetë dhe se të jetosh sipas kësaj bese, duhet të nderosh pastërtinë, t’u nënshtrohesh urdhrave të drejtë të mbretërve e qeveritarëve, të nderosh prindërit, të duash miqtë dhe të falësh armiqtë, të japësh pasurinë për të varfrit dhe të mos lakmosh gjënë e tjetrit. Gjithashtu ai shtoi se ai që do të ruante këtë besë dhe do të përbuzte vdekjen, do të gëzonte dritën e përjetshme dhe të mirat që nuk mbarojnë kurrë, të cilat janë më të mira dhe më të ëmbla nga të mirat që mbarojnë. Meqenëse Polioni nuk pranoi përsëri t’u bënte fli perëndive pagane, qeveritari urdhëroi të torturohej edhe më egërsisht.
Dëshmori u përgjigj se i priste me kënaqësi torturat dhe gëzohej kur shahej e përndiqej për emrin e lavdëruar të Jisu Krishtit. Probusi, qeveritari i tërbuar nga përgjigjet e martirit, urdhëroi që ai të digjej i gjallë. E çuan për ta djegur në një vend që ndodhej rreth 1 km larg qytetit të Sirmit, ndërkohë që shenjti lavdëronte dhe bekonte Perëndinë, i cili e kishte parë të denjë ta thërriste si martir në mbretërinë e qiellit. Në martirologun e shën Jeronimit thuhet se kjo ndodhi në 28 prill të vitit 304. Në itinerarin e Salzburgut thuhet se lipsanin e tij të shenjtë e transferuan më vonë në Romë, në Via Portuensis në varrezën e Pontianit. Në Martirologët më të vjetër latinë kujtohet në 28 prill.