Kryepiskopi Joan
i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
† Pikat Kryesore të Jetës
Biografia
Jeta dhe vepra e Kryepiskopit Joan Pelushi
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë në 01.01.1956. Qysh në rininë e tij të hershme, në kohën më të egër të persekutimit fetar, u pagëzua fshehurazi nga prifti hero, më vonë peshkopi i Apollonisë, z. Kozma Qirio, duke u bërë pjesë e një grupi të vogël të kishës së nëndheshme.
Në vitet 1979-1990 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavionin e reabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale. Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria për në USA ku kreu studimet në teologji në Universitetin "Holy Cross Greek Orthodox School of Theology" në Boston, USA, ku u diplomua me "High Distinction" në MTS (Master i Studimeve Teologjike) në vitin 1993.
Qysh në vitin 1992, i nxitur nga dëshira për të dhënë një kontribut në rindërtimin e Kishës, ai kontaktoi Kryepiskopin Anastas dhe i parashtroi vendimin e tij për t'u kthyer në Shqipëri, në një kohë kur të gjithë donin të largoheshin nga vendi. Kjo dëshirë dhe ky vendim u prit me gëzim nga Kryepiskopi, i cili e inkurajoi dhe e përgëzoi. Në Shtator të atij viti u kthye në Shqipëri dhe filloi të punonte si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në 27 Shkurt 1994 u dorëzua dhjakon dhe në 4 Dhjetor prift, duke vazhduar të jepte mësim në Akademinë Teologjike. Në 1995 shkon përsëri për të ndjekur studime të mëtejshme në Universitetin "Holy Cross Greek Orthodox School of Theology" në Boston, USA. Për rezultate të larta në sezonin akademik 1995-1996 ishte në Listën Kombëtare të Dekanit (The National Dean's List), ku shkruhen emrat e studentëve më të mirë të të gjithë universiteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1996 u ngrit në rangun e arkimandritit. Në vitin 1997 u diplomua përsëri me "High Distinction" në MT (Master i Teologjisë, një master i avancuar, ekuivalent me kandidat i shkencave) po në Holy Cross, Boston. U kthye në Shqipëri ku u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse, detyrë në të cilën qëndroi nga viti 1996 deri në 1998, deri sa u emërua Mitropolit.
Në vitin 1998 u zgjodh dhe u dorëzua peshkop, si mitropolit i Korçës, duke vazhduar të ishte përsëri pedagog në Akademinë Teologjike. Ai ka përgatitur tekstet e Dogmatikës dhe ka përkthyer shumë libra, si edhe ka botuar shumë artikuj në gazeta, revista dhe periodikë studimorë të huaj dhe të vendit. Përveç gjuhës së tij amtare shqipes, zotëron anglishten, frëngjishten italishten, greqishten dhe ka njohuri në latinishten dhe hebraishten.
Ka përkthyer disa libra teologjikë në shqip, përfshirë edhe përkthime të vështira nga etërit e kishës, si "Mbi Shpirtin e Shenjtë" të Vasilit të Madh, një libër i cili është bazë në zhvillimin e doktrinës së krishterë. Kontributi në këto përkthime është në formimin, unifikimin dhe përcaktimin e terminologjisë filozofiko-fetare, sepse ka pasur mangësi në literaturën shqipe në këtë fushë. Kontributi i Kryepiskopit Imzot Joan Pelushit në fushën e terminologjisë është vlerësuar nga studjues të vendit dhe të huaj. Kryepiskopi Joan Pelushi ka shkruar tekstin e parë të Dogmatikës në shqip, tekst që përdoret si botimi zyrtar i Kishës Ortodokse në Shqipëri.
Në vitin 2000 ka themeluar dhe vazhdon të drejtojë Revistën periodike "Tempulli", që është bërë tashmë një nga revistat më serioze në fushën studimore dhe kulturore, ku marrin pjesë intelektualë, studjues dhe albanologë nga më të njohurit, si nga Shqipëria ashtu edhe nga jashtë vendit. Ai është jo vetëm kryetari i redaksisë së revistës, por edhe një nga kontribuesit kryesorë në shkrimet e saj.
Ka përfaqësuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në shumë takime ndërkombëtare, si referues dhe si pjesëmarrës në grupet e hartimit të teksteve, deklaratave dhe mesazheve të ndryshëm. Ka përfaqësuar në nivel të lartë Kishën Ortodokse Botërore në shumë grupe pune të Këshillit Botëror të Kishave dhe ishte një nga anëtarët e grupit të rëndësishëm të punës (Joint Working Group) me një mandat pesëvjeçar për hartimin e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Botëror të Kishave dhe Kishës Romano-Katolike.
Përfaqësoi, gjithashtu, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, gjatë pothuajse një dekade, në hartimin e dokumenteve shumë të rëndësishëm për përgatitjen e Sinodit të Madh dhe të Shenjtë, që u mbajt në qershor të vitit 2016, në Kretë. Vazhdon të përfaqësojë me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në dialogun shumë të rëndësishëm ndërmjet Kishave Orthodhokse dhe asaj Romano-Katolike, si edhe ndërmjet Kishave Orthodokse dhe Kishave Orientale.
Jep një kontribut të madh në jetën shoqërore dhe humanitare të qytetit të Korçës, si në fushën studimore dhe kulturore, ashtu edhe në atë humane. Me inisiativën e tij është hapur një mencë për të ndihmuar çdo ditë njerëzit në nevojë, e cila funksionon prej tashmë 27 vjetësh.
Më 16 Mars 2025, Fortlumturia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, u zgjodh me votë unanime Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke pasuar të ndjerin Kryepiskop Anastas.
Predikime dhe Homili
Fjalët, mësimet dhe shkrimet e Kryepiskopit
Duke ngarkuar shkrimet...