Bashkëpunimi i krijuar midis të rinjve orthodhoksë shqiptarë dhe të rinjve kosovarë të cilët erdhën në Shqipëri gjatë 1999-ës ka ndjekur një traditë të veçantë përgjatë këtyre viteve. Përveç kampeve me natyrë edukative dhe argëtuese me fëmijët e familjeve kosovare është realizuar edhe një bashkëpunim i ngushtë me mësuesit e disa prej shkollave ku zhvillohen kampe çdo vit. Ata kanë pasur mundësinë që përgjatë vitit të jenë pjesë e një trajnim mbi mësimdhënien bashkëkohore të fëmijëve.
Viti 2013 shënoi vitin e dymbëdhjetë që me lejen e Drejtorisë Arsimore të komunës së Malishevës, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nëpërmjet Zyrës Qendrore të Fëmijëve dhe dhjetëra vullnetarëve bëri të mundur zhvillimin e kampeve verore në gjashtë prej shkollave të kësaj komune (në Banjë, në Begaj, në Drenoc tre kampe, dhe në Carallukën e Poshtme).
Kampet, të cilët zgjatën nga katër ditë secili, u zhvilluan nga datat 5-25 gusht. Në këto kampe morën pjesë rreth 1400 fëmijë të moshës 5-13 vjeç. Tema e kampeve për këtë vit ishte “Zgjedhje të Mençura”. Çdo ditë fëmijët kishin mundësinë të merrnin një mesazh të fortë në lidhje me zgjedhjet e tyre. Në ditën e parë ata mësuan se zgjedhjet e mençura sjellin lumturi në të tashmen dhe në të ardhmen. Ditën e dytë mësuan se zgjedhjet e mençura formojnë karakterin, dhe ditën e tretë morën mesazhin se zgjedhjet e mençura janë zgjedhjet e moralshme. Fëmijët kaluan një kohë të këndshme nëpërmjet lojërave të ndryshme, këngëve, valleve, diskutimeve në grupe dhe punës së dorës. Ata ishin të ndarë në grupmosha dhe çdo pjesë e programit ishte e përshtatëshme me moshën e tyre.
Një ditë e kampit quhej dita e Lojrave Olimpike. Grupet konkuruan midis tyre duke treguar se kush prej tyre ishte më i shpejti dhe më i vendosuri për ta çuar garën deri në fund. Kampi u mbyll me një festival, i cili u përgatit nga vetë fëmijët pjesëmarrës. Ata shpalosën aftësitë e tyre në fushat e krijimit, recitimit, këngës dhe valles duke argëtuar të gjithë të pranishmit. Në të ishin të ftuar mësuesit e shkollës dhe prindërit e fëmijëve. Në fund të çdo festivali drejtorët e shkollave përkatëse falënderuan grupin e të rinjve orthodhoksë nga Shqipëria për organizimin e kampit. Fëmijët dhe prindërit dhanë përshtypjet e tyre nga më të mirat dhe u shprehën se ishte një kamp ku fëmijët mësuan gjëra të reja çdo ditë. Ata e mbyllëm këtë aktivitet me shpresën e organizimit të aktivitete të tjera në vitet në vazhdim.