24 qershor 1992 – Patriarkana Ekumenike zgjidhte Fortlumturinë

e Tij Anastasin në krye të Kishë sonë

 

Më 24 qershor 1992, Patriarkana Ekumenike do të zgjidhte Mitropolitin Anastas, si Kryepiskopin e parë pas ardhjes së demokracisë. Kjo zgjedhje mund të quhet edhe rinjohje dhe ripërtëritje e Autoqefalisë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të vënë në diskutim nga shkatërrimi total që i bëri Kishës sonë regjimi komunist. Kjo ngjarje ishte shpallje e lajmit të mirë se Kisha e Shqipërisë ishte e gjallë dhe plot jetë dhe do mund të vazhdonte veprën shpirtërore të ndriçuar nga Perëndia në dobi të gjithë shoqërisë shqiptare.

Kryepiskopi Anastas erdhi në Shqipërisë, në korrik 1991, si Eksark Patriarkal, për të parë se çkishte mbetur pas gërmadhave ateiste. Shpejt, Fortlumturia e Tij u bë një emër i dashur dhe i respektuar në Kishën tonë, por ai gëzonte prej kohësh nderim të veçantë në të gjitha Kishat e tjera Orthodhokse kudo në botë dhe më gjerë. Emri i tij jo vetëm u bë sinonim i ringjalljes së Kishës në Shqipëri, por edhe si i një hierapostulli të ditëve të sotme, i promotorit të dialogut ndërmjet besimeve dhe kulturave të ndryshme, i paqes dhe dashurisë për të gjithë, i përkujdesit për të varfrit dhe nevojtarët dhe të respektit, lirisë dhe dinjitetit të çdo personi, kushdo qoftë ai.

Kishën tonë e kishte dobësuar shumë periudha e gjatë e pushtimit osman. Pas Pavarësisë, vetëm dy vjet kishte qenë e lirë të zhvillohej kanonikisht, që nga shpallja e autoqefalisë, sepse pasuan pushtimi fashist dhe persekutimi ateist komunist. Kështu, fillimi i demokracisë e gjeti krejtësisht të shkatërruar, pa asnjë episkop dhe me vetëm 15 klerikë në moshë të thyer. Ishte vështirë të ishe optimist për të ardhmen. Por, ajo që nuk është e mundur për njerëzit është e mundur për Perëndinë, i Cili dërgoi një njeri, i cili bëri të mundur atë që u quajt mrekullia e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.

Rasti i vendit tonë është unik në historinë botërore. Ishte hera e parë që një kishë gjendej pa hierarkinë e saj. Prandaj, për të zgjidhur këtë çështje jetësore, kaq delikate e të rëndësishme duhej patjetër një nismë ndërkombëtare. Duhej që ai që do të udhëhiqte Kishën tonë në ringritjen nga gërmadhat të ishte i pranuar nga Komuniteti Orthodhoks, nga autoritetet shtetërore dhe të ruhej Autoqefalia. Dhe Kryepiskopi Anastas i bëri këto të gjitha të mundura dhe shumë më tepër. Përpjekjet e tij të jashtëzakonshme, që në çastet e para, për të arsimuar klerin orthodhoks në vend, në fillim në një ambient të marrë me qira në plazhin e Durrësit dhe pastaj ndërtimi i Akademisë Teologjike në Shën Vlash, që u ngrit me fondet e mbledhura po prej tij, janë përpjekje vendimtare për konsolidimin e pavarësisë së Kishës sonë.

Ringjallja e Kishës kishte nevojë për ngritjen e një hierarkie kishtare, për përgatitjen e kuadrove të duhur për të drejtuar Kishën, pajisjen e saj me klerikë dhe teologë dhe mbi të gjitha për ringritjen e autoqefalisë financiare, pasi pronat e grabitura nuk u kthyen në shumicën e tyre. Mbi 150 priftërinj vendas, qindra kisha dhe objekte administrative, të reja apo të ringritura, dhjetëra kisha monumentale të restauruara, një sistem ndihme sociale dhe arsimor që nuk ka ekzistuar kurrë më parë, ringritja nga hiçi e ekonomisë kishtare, janë vetëm disa nga këto mrekulli.

Kjo ka marrë edhe njohjen dhe mirënjohjen jo vetëm të besimtarëve orthodhoksë, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Presidenti Ilir Meta, në letrën që i drejtonte Kryepiskopit Anastas me rastin e marrjes së nështetësisë shqiptare, do të shkruante ndër të tjera: “Gjatë 25 viteve si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke kontribuar me përkushtim në ringritjen e plotë kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në rimëkëmbjen dhe ngritjen e objekteve të besimit ortodoks, në ringjalljen, kultivimin dhe ruajtjen e traditës shumëshekullore të besimit ortodoks në Shqipëri dhe në ndërtimin e veprave në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe mjedisit në Shqipëri, keni dëshmuar se udhëhiqeni nga besimi, dashuria, paqja, shpresa dhe mësimet e veprat e shenjta të Zotit…”