Diplomimi në fund të studimeve është gjithmonë një moment kyç në jetën e çdo të riu, por ai merr një kuptim më të thellë kur puna dhe vepra e tij do t’i kushtohen Perëndisë. Ndaj, më 12 qershor 2018, në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Manastirn e Shën Vlashit, Durrës, dita e diplomimit kishte sa dimensionin e gëzimit për arritjen e një objektivi kaq të rëndësishëm në jetë, po aq edhe atë shpirtëror, të lidhur me shërbesën në të gjitha fushat ku ka nevojë Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Këtë vit u diplomuan njëmbëdhjetë të rinj dhe të reja, duke përfunduar ciklin e plotë katërvjeçar të studimeve.

Aktivitetet me këtë rast filluan si gjithnjë me Liturgjinë Hyjnore, të kryesuar nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla, nga priftërinjtë dhe dhjakonët që shërbejnë në Akademi, që janë pjesë e trupës pedagogjike, nga Kori i studentëve të Akademisë, plot prindër, miq dhe të ftuar që kishin ardhur nga shumë larg për të marrë pjesë të gjithë së bashku në këtë gëzim. Më pas, të gjithë pjesëmarrësit u drejtuan drejt sallës së konferencave të Manastirit. Gëzimi kulmoi me ardhjen në diplomim të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, si dhe të Mitropolitit të Elbasanit, Andoni, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit, Asti.

Ceremonia u hap me himne kishtare të psalura nga kori i studentëve. Më pas, vijoi fjala përshëndetëse e Mitropolitit Nikolla, i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë e këtyre studimeve në këtë Akademi, për katër vitet e kaluara së bashku, si dhe për besimin që Kisha dhe Kryebariu kanë tashmë tek këta njëmbëdhjetë të sapodiplomuarit, duke i konsideruar bashkëpunëtorët më të rinj. Ai uroi të gjithë prindërit dhe pjesëmarrësit e pranishëm. Ai falënderoi veçanërisht Kryepiskopin Anastas, që ka bërë të mundur këto studime dhe mjediset moderne që u shërbejnë, si dhe të gjithë trupën pedagogjike.

Vijoi fjala e studentit të dytë më të mirë Apostol Kapurani, i cili referoi disa pasazhe nga libri “Shkalla” i shën Joan Sinaitit, rreth “Dashurisë, shpresës dhe besimit”. Më pas vijoi referati i studentit me rezultatet më të mira, Mateo Tauzi, i cili falënderoi në fjalën e tij Fortlumturinë e Tij Anastasin për mundësinë e studimit, prindërit e studentëve për mbështetjen e tyre dhe stafin Akademik për bashkëpunimin.

Aktiviteti u mbyll me fjalët dhe bekimet atërore të Kryepiskopit Anastas, i cili theksoi se ndjenjat e mirënjohjes dhe përgjegjësisë, për Kishën, vendin, familjet, shoqërinë dhe vetveten duhet të mbizotërojnë sot brenda secilit prej nesh, sidomos brenda të sapodiplomuarve. Ai uroi për suksese të mëtejshme në jetë dhe në studime për njëmbëdhjetë të diplomuarit, si dhe solli edhe njëherë në vëmendjen e tyre, rëndësinë që kanë tri degët e reja të hapura në Kolegjin Universitar “Logos”, për jetën akademike të Kishës, por edhe për studentët e diplomuar.

Më pas, në një takim të veçantë me studentët u diskutua për mundësitë e shumta që kanë për të vazhduar studimet, si dhe për të gjithë mbështetjen atërore që Fortlumturia e Tij do të ofrojë në këtë drejtim.

 

Diplomimi, 12.6.2018