Fjala E Përmortshme E Mbikqyrësit Të Fronit Kryepiskopal, Hirësi Joanit,
Mitropolit I Korçës, Mbajtur Në Shërbesën E Varrimit Të Kryepiskopit Anastas
I
Të lumur janë që tani ata të vdekur, që vdesin në Zotin. Po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; edhe veprat e tyre i ndjekin pas, bashkë me ata (Zb. 14:13). Këto fjalë të Perëndisë na mësojnë se veprat tona nuk harrohen me mbarimin e jetës tokësore. Ato kryhen brenda një periudhe të kufizuar kohe, por fitojnë një dimension të përjetshëm, duke na ndjekur në jetën e përtejme. Ka momente kur këto fjalë të Perëndisë shfaqen më qartë dhe bëhen më të kuptueshme. Sot, ndodhemi përballë një momenti të tillë.
Vepra e Kryepiskopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është madhështore dhe unike. Nën kujdesin dhe përpjekjet e tij u ndërtua dhe restaurua
infrastruktura kishtare, u hapën kopshte, shkolla dhe institute profesionale, si dhe u mbështet arsimi publik. Kulmi i kontributit të tij ishte themelimi i Kolegjit Universitar “Logos”, institucioni i parë i arsimit të lartë orthodhoks në Shqipëri.
I shtyrë nga dashuria e tij për të gjithë njerëzit, pa dallim origjine apo bindjesh, ai nuk u kufizua vetëm në ndërtimin e objekteve kishtare, por e shtriu kujdesin ndaj mbarë shoqërisë, duke dhënë një dëshmi të gjallë se Kisha nuk ekziston vetëm për veten e saj, por për të gjithë, sepse dashuria nuk njeh kufij.
Veprimtaria e gjerë sociale dhe humanitare e Kishës, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme. Janë mbështetur një sërë programesh sociale, përfshirë projekte për zhvillimin e zonave malore, përparimin e bujqësisë, ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve, si dhe programe për kujdesin shëndetësor. Janë ndihmuar jetimore, spitale, institute për persona me aftësi të kufizuara, qendra rezidenciale për të moshuar, qendra për të burgosur, janë ofruar dreka për të varfrit etj. E gjithë kjo veprimtari e gjerë ka kontribuuar ndjeshëm në përpjekjet për zhvillimin e Shqipërisë dhe ka pasur një ndikim të madh në shoqërinë dhe ekonominë e vendit. Me mijëra njerëz janë punësuar, duke mbështetur në këtë mënyrë mijëra familje, ndërsa dashuria dhe solidariteti janë shndërruar në themele të qëndrueshme për një shoqëri më të drejtë dhe më të bashkuar.
Mbi të gjitha, Kryepiskopi Anastas është përkushtuar me të gjitha energjitë e tij që kontributi më i madh i Kishës në shoqëri të jetë edukimi dhe formimi i njerëzve të drejtë, të përgjegjshëm dhe të ndershëm. Ai ka punuar pa u lodhur për të përhapur shpresë aty ku mbizotëron dëshpërimi, kurajë aty ku sundon frika, dritë aty ku mbizotëron errësira dhe dashuri aty ku ka konflikte.
II
Kjo është ana e dukshme dhe e prekshme e kësaj vepre madhështore, por dua të theksoj edhe një herë diçka që e kam përmendur më parë; një dimension tjetër të veprës së tij, ndoshta edhe më të rëndësishëm, për të cilin nuk është folur sa duhet. Kryepiskopi Anastas nuk u mjaftua vetëm me ndërtimin e mureve të Kishës dhe krijimin e infrastrukturës së saj fizike; përpjekja e tij për të dhënë një frymë të drejtë dhe të mirë brenda Kishës ka qenë gjithmonë një prioritet. Qëllimi i tij ka qenë të ndërtojë një Kishë ku Perëndia të adhurohet “në frymë dhe në të vërtetën” (Jn 4:23).
Për Kryepiskopin Anastas, veprat ndërtimore nuk ishin një qëllim në vetvete, por një mjet për të realizuar misionin shpëtimtar të Kishës. Ndërtesat janë ngritur për njerëzit dhe në shërbim të tyre, duke qenë mjete që i shërbejnë adhurimit dhe jetës shpirtërore të besimtarëve.
Predikimi i tij, si në publik ashtu edhe në bisedat private, ka qenë gjithmonë i përqendruar te dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore, duke përhapur një frymë pajtimi dhe faljeje brenda Kishës. Vendi ynë ka pasur dhe vazhdon të ketë nevojë për këtë frymë. Në fakt, e gjithë bota ka nevojë për këtë frymë, sepse vetëm mbi këtë themel hyjnor mund të ndërtohen marrëdhënie të drejta ndërmjet njerëzve. Vetëm përmes saj mund të ngrihet një shoqëri vërtet njerëzore.
Kryepiskopi Anastas, me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fuqizimin edialogut ndërmjet popujve të ndryshëm anembanë botës, me librat dhe artikujt që ofrojnë një mbështetje të thellë teologjike për këtë dialog, si dhe me përpjekjet e tij për respektimin e dinjitetit dhe lirisë së çdo individi, është kthyer në një pikë referimi të rëndësishme, jo vetëm në fushën e dialogut ndërfetar, por edhe në atë të mendimit njerëzor në tërësi. Fjalët e tij të njohura, se “vaji i fesë nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konfliktet, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat,” janë bërë tashmë një lajtmotiv i fuqishëm kur flitet për rolin që feja duhet
të luajë në botën e sotme konfliktuale.
Me shembullin e tij të gjallë, ai ka forcuar tek të gjithë ne besimin e palëkundur tek Perëndia. Sa herë që është përballur me vështirësi apo sfida të ndryshme, ai nuk është tërhequr asnjëherë. Me një besim të thellë tek Perëndia dhe i bindur se po kryen punën e Tij, ai ka qëndruar i fortë si shkëmb, por gjithmonë me dashuri dhe dhembshuri, duke mbrojtur
Kishën dhe misionin e saj. Thënia e tij tashmë proverbiale, “Perëndia nuk do të na braktisë,” ka përhapur besim dhe shpresë te të gjithë besimtarët, duke i frymëzuar ata në çdo hap të rrugës shpirtërore. Ai i dhuroi Kishës sonë gjithçka që kishte: pasurinë e tij të pazakontë shpirtërore dhe intelektuale, diturinë dhe urtësinë, mendimin e pjekur dhe të kthjellët, përkujdesjen plot dashuri të një bariu shpirtëror dhe përkushtimin e palëkundur të një të krishteri të ndërgjegjshëm për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Ai na dhuroi të gjitha energjitë e tij fizike dhe emocionale, duke ofruar gjithë qenien e tij për ne. Me zemër të përulur dhe plot mirënjohje, dëshiroj të shpreh falënderimin tim të thellë për këtë dhuratë të madhe që Perëndia ka bërë për ne.
Sa më shumë kalon koha, aq më e qartë bëhet për të gjithë ne madhështia e veprës së Kryepiskopit Anastas. Shpesh habitem dhe mrekullohem, ashtu si shumë të tjerë, duke pyetur veten sesi ka arritur të realizojë një vepër kaq të madhe dhe në këto dimensione. Përgjigjja qëndron në disa elementë thelbësorë: një besim i palëkundur, një dashuri e pakufishme për Zotin dhe njerëzit, një talent i rrallë dhe një hir i madh nga Perëndia. Vetëm këto forca mund ta bëjnë një mrekulli të tillë të mundur. Duke nderuar veprën e këtij njeriu të madh, ne nderojmë veten tonë, Kishën tonë dhe vendin tonë. Veprat e tij, do ta ndjekin atë pas, drejt Mbretërisë së përjetshme të Krishtit.
Sot, në këtë ditë të shenjtë të nderimit të Tre Hierarkëve, i japim përshëndetjen e fundit një hierarku të madh, një nxënësi besnik të tyre, të cilët frymëzuan mendimin, predikimin, jetën dhe veprën e tij. Ashtu si Tre Hierarkët kanë mbetur për shekuj shembuj dhe shtylla të besimit tonë orthodhoks, edhe jeta dhe vepra e Kryepiskopit Anastas, e frymëzuar prej tyre, do të vazhdojë të jetë një shembull i gjallë dhe një burim frymëzimi i pashtershëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat e ardhshëm.
III
Në këto ditë, zemrat tona janë të mbushura me pikëllim për Atin dhe Kryebariun tonë të dashur. Prania e tij na jepte gjithmonë siguri dhe tani e ndjejmë thellë mungesën e tij. Megjithatë, edhe pse jemi të trishtuar, e dimë se ai nuk na ka braktisur. Apostulli Pavli nuk na kërkon të mos pikëllohemi, sepse pikëllimi është një ndjenjë e natyrshme kur largohet një njeri i dashur. Por ai na fton që të mos pikëllohemi si ata që nuk kanë shpresë, sepse te Perëndinë nuk ka të vdekur. Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve (Math. 22:32).
Është e vërtetë që kemi humbur një Kryebari të rrallë, por kemi fituar një ndërmjetës të fuqishëm pranë Perëndisë, që do të lutet pa reshtur për ne dhe për Kishën tonë, të cilën e deshi aq shumë. Nëse jemi të pikëlluar, ne ende gjejmë ngushëllim – shkruan Shën Augustini – dobësia jonë na rëndon, por besimi na mban lart. Ne jemi të pikëlluar për gjendjen njerëzore, por shërimin tonë e gjejmë në premtimin hyjnor.
Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se ai ishte një pasardhës i denjë i Apostujve dhe, gjatë gjithë jetës së tij, një predikues i zjarrtë i Kryqit dhe i Ngjalljes, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Ai e mbajti mbi supe Kryqin e Krishtit dhe kështu nisi rrugën e tij drejt Ngjalljes. Jeta e tij ishte një jetë e vërtetë, dhe jeta e vërtetë nuk mbaron me vdekjen, sepse ajo është një jetë e shenjtë dhe e pavdekshme. Prandaj, nuk mund të trishtohemi si ata që nuk kanë shpresë.
Të dashur vëllezër dhe motra, le të lutemi me zemër që Zoti ynë Jisu Krisht, i cili është Ngjallja dhe Jeta (Jn. 11:25), ta prehë shpirtin e Atit dhe Kryebariut tonë të dashur, Kryepiskopit të ndjerë Anastas, në tendat e të drejtëve, ku nuk ka dhembje, as pikëllim, as psherëtimë, por jetë të pasosur dhe të vërtetë.
Le të jetojmë me frymëzimin e tij dhe ta kujtojmë me nderim dhe dashuri përgjithmonë.
I përjetshëm dhe i bekuar qoftë kujtimi i tij. Amin!
————
Fjala E Përmortshme E Moderatorit Të Këshillit Botëror Të Kishave, Z. Heinrich Bedford-Strohm, Mbajtur Në Shërbesën E Varrimit Të Kryepiskopit Anastas.
Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin, Hiri dhe paqja qoftë mbi ju nga Zoti ynë Jisu Krisht, i cili është “Ngjallja dhe Jeta”. Mblidhemi sot me pikëllim dhe njëkohësisht me mirënjohje të thellë, teksa ia besojmë shpirtin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit, përqafimit të përjetshëm të Zotit tonë të ngjallur.
Gjatë ditëve të fundit të jetës së Kryepiskopit të ndjerë Anastas, ndjemë qartë se sa shumë ishte i dashur këtu në Shqipëri, në vendin ku ai kreu shërbimin e tij të gjatë
dhe të palodhur për popullin që i kishte hyrë aq thellë në zemër. Dëgjuam për rëndësinë e tij të jashtëzakonshme si udhëheqës shpirtëror dhe integrues për të gjithë komunitetin orthodhoks. Më lejoni t’i shtoj kësaj edhe zërin e lëvizjes ekumenike globale.
Për ne, Kryepiskopi Anastas ishte një autoritet i madh shpirtëror: një teolog mbresëlënës, i rrënjosur thellë në traditën e tij dhe në të njëjtën kohë me një horizont jashtëzakonisht të gjerë. Ai ishte një vëlla i dashur në Krishtin, i dashur nga të gjithë për përulësinë, hirin dhe dashurinë e tij. Për dekada me radhë, ai ishte një nga figurat më me ndikim në lëvizjen ekumenike orthodhokse, një figurë madhështore, kontributet e të cilit në Këshillin Botëror të Kishave (KBK) formësuan misionin e tij dhe zgjeruan vizionin e tij. Ai shërbeu si një teolog vizionar dhe një udhëheqës pragmatik, siç dëshmon, ndër të tjera, roli i tij si president i Këshillit Botëror të Kishave (për të përmendur vetëm një nga shumë të tilla), duke dhënë një kontribut të çmuar në misionin e këtij këshilli për të bashkuar kishat në mirëkuptim të ndërsjellë dhe dëshmi të përbashkët.
Shkrimet e tij të gjera teologjike trajtuan çështje thelbësore, si misioni i Kishës në një botë pluraliste, dialogu ndërfetar, kujdesi për mjedisin, teologjia e pajtimit, drejtësia sociale dhe roli i Kishës në adresimin e pabarazisë ekonomike globale. Këto vepra mbeten një burim i fuqishëm frymëzimi, duke nxitur të krishterët në mbarë botën të kapërcejnë ndarjet, të forcojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të jenë një shenjë e unitetit në këtë botë të përçarë.
Kryepiskopi Anastas organizoi takime dhe konsultime ndërkombëtare ekumenike, duke krijuar hapësira për dialog dhe reflektim të përbashkët mbi çështje globale urgjente. Ai gjithashtu dëshmoi një përkushtim të palëkundur për fuqizimin e të rinjve dhe për rritjen e rolit të grave në Kishë.
Teologjia e tij ishte thellësisht e bazuar në marrëdhënie. Ajo mishëronte ekumenizmin e zemrës, një burim frymëzimi për angazhimin tonë në lëvizjen ekumenike, duke nxitur lidhje mes denominacioneve dhe traditave fetare. Për Kryepeshkopin Anastas, uniteti ishte i rrënjosur në vizionin Trinitar të Perëndisë si një bashkësi dashurie, e cila thërret Kishën ta pasqyrojë këtë unitet në jetën dhe misionin e saj. Ai na kujtoi se ekumenizmi nuk është një veprimtari dytësore, por një pjesë thelbësore e misionit dhe thirrjes së Kishës. Krishti nuk është i ndarë; si mund të jemi të ndarë ne, populli i Tij?
Prandaj, ndërsa nderojmë kujtimin e tij, le të përqafojmë me guxim dhe vendosmëri misionin ekumenik, duke u frymëzuar nga jeta që ai e jetoi me përkushtim të palëkundur. Ai mishëroi moton e asamblesë së fundit të Këshillit Botëror të Kishave
në vitin 2022: “Dashuria e Krishtit e shtyn botën drejt pajtimit dhe unitetit.” Le të
vijojmë misionin e tij duke forcuar bashkësinë tonë si të krishterë dhe duke shtrirë
solidaritetin tonë ndaj të gjithë njerëzve me vullnet të mirë.
Zoti e bekoi me bollëk jetën e Kryepeshkopit Anastas, dhe nga kjo jetë bekimet e tij u derdhën me bujari mbi kaq shumë njerëz. Ne, si Këshilli Botëror i Kishave, kemi
pasur privilegjin të marrim një pjesë të çmuar të këtyre bekimeve. Lavdërojmë Zotin
për këtë jetë të jashtëzakonshme. Me mirënjohje të thellë, ia dorëzojmë shpirtin në
krahët e Zotit, me besimin e patundur se ai tani hyn në mbretërinë e përjetshme, ku nuk ka më vuajtje, ku çdo lot fshihet dhe ku mbretëron vetëm paqja hyjnore.
Amin.
————-
Fjala E Përmortshme E Znj. Roxana Janullatos, Mbesës Së Kryepiskopit Anastas, Mbajtur Në Shërbesën E Varrimit Të Tij.
Fjala E Përmortshme E Kryeministrit Të Greqisë, Shkëlqesisë Së Tij, Z. Kyriakos Mitsotakis, Mbajtur Në Shërbesën E Varrimit Të Kryepiskopit Anastas.
“Guxojmë të shpresojmë.” Këto tri fjalë, mendoj, përmbledhin jetën dhe veprën e hierarkut që po përcjellim sot. Sepse, pikërisht, guximi dhe shpresa ishin dy busullat që gjithmonë udhëhiqnin Anastasin në rrugëtimin e tij të mrekullueshëm. Një rrugëtim gjithnjë pranë njeriut dhe të drejtave të tij herë si një misionar i përulur në Afrikën e fëmijëve të uritur, herë si një mbështetës i heshtur i studentëve në Greqinë e diktaturës dhe, sigurisht, si një rigjallërues i madh dhe një nismëtar i palodhur i Orthodhoksisë në Shqipëri.
Përulemi me nderim para madhështisë së këtij personaliteti të veçantë. Sepse Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëherazi një intelektual i besimit dhe një shërbëtor i përulur i të afërmit të tij. Me fjalë të tjera, një shembull i ndritur i urtësisë, por edhe i veprimit. Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë.
Shumica prej të pranishmëve e dinë mirë se çfarë arriti Anastasi që nga çasti i parë kur mbërriti në Shqipëri, në vitin 1991. Në një vend të rrënuar nga regjimi autoritar, me të krishterët të persekutuar dhe bashkëkombasit tanë të lënë në harresë.
Megjithatë, duke marrë forcë nga besimi i tij i thellë, ai hodhi themelet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Krijoi mbi 400 enori, ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë të rinj. Njëkohësisht, hapi dhjetëra institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirëse. Një mrekulli e vërtetë mes rrënojave!
“Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë,” thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë “ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla.” E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet “diplomati i dashurisë.” Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur.
Zonja dhe zotërinj, miq të dashur,
Jam një nga fatlumët që pata mundësinë ta njoh dhe të bashkëpunoj për vite me radhë me hierarkun tonë. Dhe nuk e fsheh që e konsideroj këtë përvojë jo vetëm një angazhim profesional, por edhe një pasuri personale. Sepse ai ishte, siç e kishte quajtur im atë, “i shenjtë dhe i urtë.” Një njeri që të magjepste me dijet e tij dhe një karakter që, pa e shprehur me fjalë, të ftonte me shembullin e tij të bëheshe më i mirë. Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona: në aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve, dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin zgjidhje.
Për grekët dhe orthodhoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur, duke ofruar shpresë dhe udhëzim shpirtëror për besimtarët orthodhoksë kudo në botë. Me urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij, ai dëshmoi se Kisha Orthodhokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror, që bashkon popujt. Prandaj, sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na lë.
Si bari shpirtëror, ai ndërtoi kisha. Si udhëheqës, ai krijoi ura bashkëpunimi mes popujve dhe feve. Ai tregoi se si mund të jesh njëkohësisht një grek i vërtetë dhe një figurë universale.
U bëftë shembulli i tij një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë dhe vepra e tij gjettë pasues të denjë. E përcjell me të njëjtat fjalë që ai vetë na la si amanet: “Guxojmë të shpresojmë.”
—————-
Fjala E Përmortshme E Kryeministrit Të Shqipërisë, Shkëlqesisë Së Tij, Z. Edi Rama, Mbajtur Në Shërbesën E Varrimit Të Kryepiskopit Anastas.
“Fort të lumur janë qysh tani ata që flenë në Zotin. Po, thotë Shpirti i Shenjtë, le të pushojnë nga punët e shumta sepse veprat e tyre flasin për ta”, – shkruhet në Zbulesën e Apokalipsit.
Tërëshenjtëria juaj, Patriarku Ekumenik Bartholome!
Fort të nderuar anëtarë, hierarkë të shenjtë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë!
Fort i nderuar Mitropolit Joani, Mbikëqyrës i Mitropolisë së Shenjtë të Tiranës dhe Durrësit!
I nderuar, Kryeministër i Greqisë dhe mik i mirëseardhur Kyriakos Mitsotakis!
Komuniteti ortodoks është sot në zi!
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është sot e ve.
Kryepeshkopi Anastas e përfundoi detyrën e tij vikare si pasrendës i apostujve në shërbim të shpresëtarëve ortodokse të Shqipërisë.
Jeta e tij fort e gjatë, por mbi të gjitha fort kuptimplotë qe një jetë për mbarë Kishën Katolike dhe Apostolike në kuptimin patristik të fjalës, në atë kuptim që merr në “Besojmën” e madhe të Koncilit të Nikesë mbajtur 1700 vjet më parë nën kujdesin e Kostandinit të Madh.
Plot 33 vite ungjillëzim në viset e Shqipërisë, nga viti tanimë i largët 1992 e deri më sot janë një shifër tejet domethënëse dhe jo vetëm simbolikisht e përputhur me moshën e Krishtit.
Nga këto 33 vite, 3 shërbyen për të predikuar ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare dhe plot 30 të tjera për të punuar si një zdrukthëtar këmbëngulës në ringritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Si nga një pikëpamje e thjeshtë njerëzore, si nga një pikëpamje thellësisht shpirtërore, jeta e Anastas Janullatosit ishte një jetë tërësisht e përmbushur përderisa përmes saj u realizua me gjithsej ëndrra e një fëmije.
“Kur isha fëmijë, – kujtonte Kryepeshkopi i ndjerë, – nuk më mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, po duhet t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin. Si hierark i një bashkësie shoqërore historike, me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të Kishës e të grigjës janë qëmtuar, janë admiruar, janë bekuar e janë qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna tek veprimtaria publike edhe qytetare, e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe, deri edhe tek zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës, por edhe kjo, më së paku, dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë dhe në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkundën nga fryn era dhe që gjithnjë e më pak mundësi i lihet “Shpirtit të Shenjtë të fryjë nga të dojë”, siç shkruhet tek gjeneza, por përtej atyre zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër, andej dhe këtej kufirit rri hapur pas gjysmë shekulli heshtje mortore dhe të shuara më pas si një hall në oborr të përbashkët dhe përtej paragjykimeve dhe dyshimeve kronike të lagjes sonë ballkanike, askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me durim dhe përkushtim të madh në një vathë që të kujton shtëpinë e përtërirë nga arratia e demonëve për të cilën flet Jezusi në Ungjillin sipas Mateut.
Nuk kam unë për qëllim këtu të bëj as nekrologjinë dhe as eulogjinë e këtij prelati, të cilin për hirin e pamohueshëm të së vërtetës, gjithë çfarë mban rruzulli në njerëz të nderuar të fesë, intelektualë të angazhuar për paqen dhe përmes dialogut ndërfetar në artizanë të komunikimit mes kulteve dhe kulturave dhe deri tek çdo kryetar shteti apo qeverie që e njohu, ia patën shumë zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe me siguri këtë opinion e bashkëndan tërësisht me mua dhe miku im, Kryeministri Mitsotakis, i cili na nderon sot me praninë e tij dhe të delegacionit të nderuar që e shoqëron për të nderuar figurën epokale të Kryepeshkopit, Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë dhe shtetin ku ajo sot merr frymë lirisht, duke dhënë njëkohësisht me këtë prani, mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Kam pasur privilegjin të jem i pranishëm këtu në këtë Katedrale që Kryepeshkopi Janullatos ia kushtoi Ngjalljes së Krishtit, ngjalljes së trupit të tij mistik në Shqipëri kur u bë inaugurimi dhe shugurimi i saj. Ishte dita e madhe e shpërblimit të mundit të tij të gjatë për ndërtimin e saj në një rrugëtim ku dhe mua mu dha mundësua ta shoqëroj bashkë me të tjerë, fillimisht si kryebashkiak e më pas si kryeministër, deri kur ai e bëri më në fund realitet.
Atë ditë, ai mund i patregueshëm deri sa Katedralja hapi dyert u kremtua me pjesëmarrjen e patriarkëve dhe mitropolitëve të të gjitha kishave ortodokse te botës. Të atillë prestigj dhe peshë në një rrafsh shumë më të gjerë sesa kufijtë tanë, as ortodoksia shqiptare po as vetë Shqipëria nuk e kishin ndjerë e lere pastaj, mishëruar ndonjëherë në rrafshin fetar.
Ishte një nderim solemn që mbarë bota ortodokse i bënte Kishës së saj Autoqefale dhe vetë Shqipërisë, çka do të ishte e pamundur të imagjinohej pa praninë, pa rolin dhe pa personalitetin respektuar botërisht, të Kryepeshkopit tonë.
Sot më takon të kujtoj në nderin e tij, diçka që shumë e kanë parë apo e kanë ndjerë dhe shumë të tjerë s’e kanë kuptuar apo s’kanë dashur ta besojnë, por që në fund të fundit ai vetë e dëshmoi në 33 vjet dhe e dëshmon edhe sot me trupin që la këtu në tokën e Shqipërisë, i cili me kërkesën e tij do varroset pikërisht në këtë Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, siç ai e quajti, dhe siç ngjallje kishte dhe vetë kuptimin e emrit të tij. Kësisoj në këtë ditë të mbylljes së ciklit të një jete kushtuar ngjalljes duhet thënë pa farë dyshimi se në përmasën e vetme që atij i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh 33 vjet më parë si një prift nga Greqia dhe pas 33 vitesh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë.
Duhet pranuar se është vështirë, shumë vështirë të gjendet ne kujtesën tonë historike dikush i çfarëdo kombësie tjetër që të ketë qenë, që të jetë identifikuar me aq krenari dhe aq përkushtim me fjalë dhe me vepra me emrin e Shqipërisë sa kryepeshkopi Anastas.
E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë, por durim. Dhe ata le të kundrojnë me reflektim të paqtë dhe natyrisht të çliruar nga paragjykimet apo nga dyshimet fqinjësore vetëm disa nga veprat e tij, ku ashtu siç njihet pema e mirë nga frutet e saj, lexohet pa asnjë ekuivok edhe identifikimi i tij me Shqipërinë tonë.
Sot dëgjohet në diptikët e shenjtë në të gjitha gjuhët liturgjike të Ikumenit ortodoks, emri i Kryepeshkopit të Shqipërisë i renditur menjëherë pas selive patriarkale dhe dy kishave autoqefale, asaj të Qipros dhe asaj të Greqisë. Kur e dëgjon këtë përnderim liturgjik është e pamundur të mos i jesh thellësisht mirënjohës njeriut që përcjellim sot, aq më tepër po të mos e harrosh që pas shkrirjes në flaken 23 vjeçare të ferrit ateist, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ishte vetëm hija e një kujtimi. Ekzistenca e kësaj kishe me frymën që për 33 vite i dha bariu i saj Anastasi i Shqipërisë është mirëfilli sot një aset konstitutiv i vetë pavarësisht, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, një “Kishë e lirë në një shtet të lirë”.
Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithë aq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij, prania e këtij trupi pa jetë të rilindësit të kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht përpara pak kohësh në një intervistë të dhënë për shtypin grek e cila tingëllon më shqip sesa shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar e dyshuar vetëm e vetëm se ai ishte grek, kryepeshkopin e ortodoksëve shqiptarë i cili tha: pasuesi im do të jetë shqiptar. Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam mësuar ta respektoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme. A do ta pranonim ta drejtonte kishën e Greqisë një bullgar apo një serb? Sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni. Ne shkuam për të bërë një kishë autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e kishës së Greqisë. Ajo është një ndër 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”, – e mbyll shprehjen e tij lapidare kryepeshkopi ynë.
Çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë pajtuesi dhe paqe bërësi, çfarë greku në kombësi dhe çfarë shqiptari në shtetësi! Dinjitetin e martirizuar të kësaj kishe dhe të kreut të saj, larë me djersën dhe gjakun e stërmundimeve të Kristofor Kissit dhe Damian Kokoneshit, Irine Banushit dhe sa e sa të tjerëve, Kryepeshkopi Anastas e rivendosi të plotë në altarin e saj të rilindur duke i dhënë mundësinë kishës autoqefale të Shqipërisë, klerit dhe besnikëve te saj që sot ta marrin stafetën nga ky atlet triumfator i Krishtit dhe ta çojnë përpara në liri të plotë, në pavarësi të pakthyeshme dhe me një siguri të garantuar.
Mjafton ta dëshirosh dhe ke plot çfarë të mësosh prej trashëgimisë së këtij njeriu që refuzoi me përulësi të rrallë qindra, mbase mijëra ftesa për armiqësi, për duel, për polemikë të cilat i erdhën pa kursim nga të katërta anët deri në ditën e fundit të jetës. Ai që duke mos qenë as vendas, mund të ishte dhe më i legjitimuar të vinte kujën për diskriminimin dhe keqtrajtimin parapëlqeu të ndiqte udhërrëfyesin e apostullit Pal apo Pavël siç e thërrasin ortodoksët, “megjithëse jam i lirë para të gjithëve u bëra shërbëtori i të gjithëve, që të tërhiqja pas fjalës së Zotit sa më shumë njerëz”.
I lexuar si pak të tjerë dhe i hapur ndaj kulturës së madhe kryepeshkopi i nëntë gjuhëve që me mua kishte qejf të argëtohej duke këmbyer ndonjë fjalë mbi xhevahiret e Biblës po edhe të letrave laike, në ato pak momente që mbeteshin pasi më qante hallet e Kishës me siguri nuk do të mbante mëri, por jam i bindur do vinte në gaz këtë buzën e tij që për hir të së vërtetës i thoshte të tëra bashkë me ato që nuk thoshte sepse dua t’ia jap lamtumirën me disa rreshta të një emri të mallkuar, Oscar Wilde në De profundis-in e tij.
“Pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë për t’u dashur dhe për t’u adhuruar nga të tjerët, por ne duhet të jetonim për të dashur dhe për të adhuruar të tjerët. Nëse dikush na jep dashuri, duhet ta pranojmë vetë se jemi të padenjë për t’u dashur. Askush s’është i denjë për t’u dashur. Vetë fakti që Perëndia e do njeriun, na tregon se në rendin hyjnor të gjërave dashuria e përjetshme u jepet pikërisht atyre që janë përjetësisht të padenjë për të. Nëse kjo duket fort e hidhur le ta kthejmë së prapi dhe le të themi që gjithë njerëzit janë të denjë për t’u dashur me përjashtim të atyre që e meritojnë me të vërtetë”.
Fort të dashur besimtarë ortodoksë të mbledhur këtu nga të katër anët e këtij vendi, por dhe nga më larg, sot komuniteti ortodoks, jo vetëm në Shqipëri, por kudo gjetkë ka zi.
Sot kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është në zi, por le ta themi serish me Shën Palin apo Pavlin “Gëzohuni gjithnjë në Zotin”. Jua përsëris, gëzohuni”.
Humbët në këtë jetë kryepeshkopin e 33 viteve që përmes fjetjes në Zotin, “ndërroi jetë”. Kjo ishte një shprehje që ai e konsideronte ndër më të bukurat e gjuhës shqipe, por ama fituat Anastastin e Shqipërisë!
Fituat një avokat atje lart, pranë Zotit që liturgjia e Shën Joan Gojartit e quan aq bukur një “mik të njeriut”.
Fituat shembullin e një shpërblestari të pajtimit në tokë që tashmë iu takon të gjithëve ta ndiqni dhe për hir të së vërtetës na takon të gjithëve ta ndjekim në këtë dhe në atë anë të kufirit, i cili nuk na ndan aq shumë sa në të vërtetë na bashkon.
Paqja qoftë me shpirtin e Anastasit të Shqipërisë në amshim dhe përdëllimi i kësaj dite sjelltë në zemrat e gjithsecilit prej jush ngushëllimin e Zotit të jetës.
————
Fjalim I Përmortshëm I Patriarkut Të Konstandinopojës, Tërëshenjtërisë Së Tij Z. Vartholome, gjatë Shërbesës së Varrimit Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Fort të lumtur Vëllezër dhe Bashkëmeshtarë,
Fort i nderuari Mitropolit i Korçës, hirësi Joani, Mbikëqyrës i Fronit vakant
Kryepiskopal të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë,
Fort të nderuar Përfaqësues të hirshëm dhe perëndidashës të Kishave të
Shenjta Lokale të Perëndisë,
Fort e nderuar Hierarki e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë,
Shkëlqesia juaj, z. Presidenti i Republikës,
Shkëlqesia juaj, z. Kryeministër dhe përfaqësues të tjerë të nderuar të
vendit,
Shkëlqesia juaj, z. Kryeministër i Greqisë,
Të nderuar Përfaqësues të Besimeve të Krishtera dhe të Feve të tjera,
Shkëlqesi përfaqësues të Misioneve Diplomatike këtu të pranishëm,
I nderuari Arkond dhe Logothet i Madh, z. Theodhor Angelopulos,
Klerikë të respektuar të të gjitha gradave, murgj dhe murgesha oshënarë,
Popull i Zotit, zimbajtës!
Një detyrë e dhimbshme na ka mbledhur sot në kryeqytetin e Shqipërisë! Shtylla e madhe e Kishës Orthodhokse në Shqipëri ka rënë! Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka ndërruar jetë pranë Zotit!
Edhe pse mosha e tij e madhe dhe përkeqësimi i shëndetit na kishin përgatitur për fundin e tij të afërt në këtë jetë tokësore, humbja e një Ati shpirtëror dhe udhëheqësi të tillë kishtar shkakton një dhimbje të thellë njerëzore! Anastasi ishte shërbëtori i mrekullisë së ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist i bëri të krishterëve.
Kur ai regjim ra dhe u krijua mundësia për rindërtimin e kishës këtu, Kisha e Shenjtë Mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, nisi kërkimin për një burrë të pajisur me cilësi të veçanta, i cili do të mund të merrte përsipër shpëtimin e anijes së tronditur nga stuhitë. Ky burrë duhej të mishëronte virtytin, zgjuarsinë, vendosmërinë, shpirtin luftarak, punën e palodhur, zgjuarsinë diplomatike, njohjen ndërkombëtare, nëse ishte e mundur, besimin e palëkundur në misionin e shenjtë, përkushtimin ndaj traditave të shenjta dhe dashurinë për popullin e vuajtur të Zotit. Të gjitha këto cilësi i gjetëm tek Mitropoliti i atëhershëm titullar i Andrusës, një njeri i dalluar që kishte ndritur në misionin e tij në Afrikë dhe që kishte fituar një emër të respektuar në botën akademike. Me përkushtimin dhe urtësinë e tij, ai ishte bërë një figurë e spikatur dhe e respektuar në Kishë, në mënyrën më të mirë të mundshme!
Me origjinë nga Lefkado-Kefalonia, Anastasi i ndjerë lindi në Pire dhe që në rininë e tij u përkushtua me zemër në misionarizmin e brendshëm, duke u mësuar mijëra të rinjve devocionin ndaj Perëndisë. Vetë jeta e tij ishte një mrekulli e Zotit! Nëna e tij, një grua me besim të patundur, refuzoi me vendosmëri këshillën e mjekëve për të kryer abort, pasi vuante nga tuberkulozi dhe ata e konsideronin vdekjen të pashmangshme, si për të, ashtu edhe për fëmijën që mbante në bark. Dhe fatmirësisht që ndodhi kështu, sepse fëmija që ajo solli në jetë u bë një burrë i shquar, i cili sot, pas 95 viteve jetë të ndritur, prehet përpara nesh, pasi përmbushi një mision të lavdishëm kishtar dhe njerëzor. Anastasi kishte një dashuri të veçantë për dijet dhe u dallua si një studiues i shkëlqyer i shkencave religjioze, duke i prezantuar botës orthodhokse Islamin, Judaizmin, Budizmin dhe besimet afrikane. Përmes kësaj pune, ai kontribuoi fuqishëm në ndërtimin e një mirëkuptimi më të thellë me besimet e tjera, që sot jetojnë pranë nesh, dhe në kultivimin e marrëdhënieve të bashkëjetesës dhe të mirëkuptimit.
Dashuria e tij e madhe ishte padyshim misionarizmi i jashtëm, të cilit i kushtoi vitet më të bukura të rinisë së tij. Ai vendosi themele të forta, formoi kuadro të shquar në të gjitha nivelet e priftërisë dhe e ngriti lart emrin dhe imazhin e Patriarkanës së lashtë të Aleksandrisë!
Si Drejtor i Shërbesës Apostolike (Apostoliki Diakonia) të Kishës së Greqisë, ai ndërmori botimin e Teksteve Patristike, duke kontribuar në largimin nga ndikimet e huaja, që mbizotëruan deri në vitet ’60, dhe orientimin drejt frymës autentike orthodhokse. Ai i drejtoi lexuesit tek burimet e freskëta të ujërave shpirtërore dhe buka e shëndoshë e Teologjisë Patristike. Prania e tij në Lëvizjen Ekumenike dhe në Këshillin Botëror të Kishave kishte gjithmonë një shije të fortë orthodhokse dhe patristike, duke dhënë një shembull të qartë të besimit të tij të palëkundur. Ai ishte gjithashtu shpirti i “Syndesmos,” Organizatës Botërore të Lëvizjeve Orthodhokse Rinore, ku rreshtohej ndër themeluesit e saj, duke ofruar një frymë të gjallë dhe vizion për brezat e rinj.
Kisha e Shqipërisë, që nga shpallja e saj si Autoqefale, ka përjetuar një histori të trazuar, kryesisht për arsye politike. Por tragjedia më e madhe e saj ndodhi kur regjimi ateist vendosi “shfuqizimin” e fesë, duke persekutuar klerikët, duke i përjashtuar ata nga funksionet e tyre, duke ndaluar çdo akt liturgjik dhe duke e kthyer Kishën në një Kishë të përndjekur, një Kishë të
katakombeve.
Në vitin 1991, Patriarkana Ekumenike, duke përmbushur detyrimin e saj për t’u kujdesur për të gjitha Kishat në vështirësi, e thirri Kryepiskopin e ndjerë Anastas dhe e dërgoi në Shqipëri si Ekzark Patriarkal, për të vendosur themele të reja dhe për të sjellë mesazhin e Ringjalljes tek populli i vuajtur orthodhoks i këtij vendi. Pas një viti e gjysmë, si kishte dëshmuar punë të shkëlqyera në ringjalljen e kishës, më 24 qershor 1992, ai u zgjodh dhe u vendos Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.
Sigurisht, shërbesa e tij baritore nuk ishte pa furtuna! Ai e udhëhoqi Kishën nëpër rrugë të ngushta dhe përmes sfidave të mëdha, duke ecur shpeshherë në tehun e shpatës. Megjithatë, ai zotëronte hirin për të zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur, për të hapur shtigje aty ku dukej se çdo rrugë ishte e mbyllur dhe për të gjetur burimet e nevojshme për ringjalljen e Kishës nga hiri. Kishat, manastiret, shkollat, Seminari Teologjik dhe Klerikal, spitalet dhe institucionet e tjera në shërbim të komunitetit janë vetëm disa nga arritjet e shumta të tij. Nga natyra ishte i ëmbël dhe i butë, i durueshëm aty ku duhej, por i patundur dhe i palëkundur aty ku interesi i Kishës e kërkonte. Si diplomat me aftësi të rralla, ai dinte të lëmonte gjembat, të shmangte konfliktet, të shëronte plagët, të formonte shpirtrat dhe të ndërtonte Kishën në përputhje me vullnetin hyjnor.
Do të kujtojmë përherë çdo gjë të bukur, çdo gjë të ndritur, çdo gjë të pëlqyeshme nga Perëndia, çdo gjë që Kryepiskopi i ndjerë ndërtoi për Kishën. I japim lavdi Zotit, që i dhuroi Kishës së sotme një Kryeprift të kalibrit të madh shpirtëror si Anastas Janullatos!
Anastasi, si personalitet dhe si Kryepiskop, është padyshim i pazëvendësueshëm! Humbja e tij përbën një tronditje të thellë për Kishën lokale. Megjithatë, jemi të bindur se uratat e tij, së bashku me ndërmjetësimet e të gjithë shenjtorëve të Ilirisë, do të ndihmojë në zgjedhjen e pasardhësit më të denjë dhe të përshtatshëm për fronin e tij. Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepiskopin e ri, kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë!
Vëlla Anastas! Të përshëndesim nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës, duke u lutur që të prehesh me të drejtët dhe shenjtorët!
I përjetshëm dhe i bekuar qoftë kujtimi yt!
————-