Homazhe Për Kryepiskopin Anastas
Dita e dytë e homazheve për Kryepiskopin e ndjerë të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, në Katedralen e Ngjalljes, vazhdon të përcjellë solemnitet, emocion, respekt të mbarë shoqërisë dhe dashurinë të thellë të orthodhoksëve të Shqipërisë.
Atmosfera është e përmortshme dhe njëherësh ngjallësore, e denjë për themeluesin e kësaj kishe madhështore, kurorës së veprimtarisë së tij hierapostolike,rindërtuese dhe ripërtëritëse. Ambientet e kishës dhe përreth kujtojnë atmosferën e Javës së Madhe.
Shumë besimtarë që mbërrijnë në Tiranë thuajse nga gjitha Mitropolitë shprehen dhe shkruajnë për Kryepiskopin e tyre me nderim të thellë, gjë që dëshmon përmasat reale të lidhjes mes grigjës dhe bariut që u kujdes për ta për 33 vite me dashuri, duke respektuar dinjitetin e çdokujt. Ishte Kryepiskopi i gjithë atyre sa u bëhen padrejtësi, sa jetojnë skamje dhe pamundësi ekonomike.
Klerikët, në veçanti, që u zgjodhën prej tij, u arsimuan, u dorëzuan dhe mbështetën, përjetojnë dhimbjen e ndarjes nga ati i tyre shpirtëror. Bie në sy edhe prania dhe kontributi i të rinjve. Për ata punoi me shpresë frytdhënieje Kryepiskopi Anastas.
Në katedrale, për nderimet e rastit ishin sot përfaqësues dhe krerë të komuniteteve fetare, me të cilët Fortlumturia i Tij punoi për vite me radhë për harmoninë ndërfetare në vendin tonë.
Gjithashtu, të pranishëm për homazhet ishin mjaft personalitete publike, përfaqësues të partive politike, anëtarë të Qeverisë, parlamentarë, anëtarë të Akademisë së Shkencave, Trupit Diplomatik, ambasadave etj.
Ndërkaq, për të marrë pjesë në Ceremoninë e Varrimit të Kishës sonë dhe varrimin e Kryepiskopit Anastas po mbërrijnë përfaqësitë e Kishave të tjera Orthodhokse në botë. Ndër ta, i pranishëm do të jetë edhe Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij, z.Bartholome.
Homazhet e plota mund t’i ndiqni në linkun bashkangjitur: