Kremtimi i Shën Anastas Persianit dhe Ditës së Emrit të Kryepiskopit Anastas.
Për çdo besimtar të kishës sonë, dita e emrit është më e shënuara, e lidhur me jetën e re pas Pagëzimit, por veçanërisht me kuptimin e emrit, që lidhet me martirët dhe Etërit apo me ngjarjet më themelore të Ungjillit.
Kështu, 22 Janari është e kremtja e shën Anastas Persianit, i cili iu përkushtua Orthodhoksisë në një vend të huaj dhe u martirizua nga të “vetët”. Në këtë ditë, besimtarët orthodhoksë të vendit tonë festojnë emrin e Kryebariut të tyre, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Në këtë të kremte të shënuar, Liturgjia Hyjnore u krye në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë.
Shërbesa u kryesua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, në bashkëmeshim me Mitropolitët: i Fierit, Hirësi Nikolla; i Elbasanit, Hirësi Andoni; i Beratit, Hirësi Asti dhe i Amantias, Hirësi Nathanaili si edhe klerikë të Kryepiskopatës së hirshme.
Sot, në këtë ditë Hierarkët e Kishës sonë dhe i gjithë populli shpresëtar dhe orthodhoks u lutën edhe për shëndetin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas i cili po kalon një situatë të vështirë shëndetësore.
Hirësi Joani, në emër të të gjithëve Hierarkëve dhe popullit të pranishëm në Kishë në këtë ditë e mbylli kremtimin e shenjtë me fjalët:
“Duke u lutur për shëndetin e Kryepiskopit dhe duke ju falënderuar të gjithë juve që keni ardhur, uroj që Perëndia t’ju japë bekimin e Tij.
Nëse kemi bekimin e Perëndisë, i kemi të gjitha! Gëzuar këtë ditë dhe për shumë vjet”!
Gjithashtu në këtë ditë feston ditën e emrit edhe Episkopi i Krujës, Hirësi Anastasi!
Të gjithë ne i urojmë vite të shumta dhe të bekuara!