KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

Fronëzimi i Mitropolitit të ri të Beratit,

Vlorës dhe Kaninës, z. Asti.

 

Në kishën e ndërtuar së afërmi të Mitropolisë së Beratit, në kishën e Shën Dhimitrit, e cila ishte e mbushur plot me klerikë dhe laikë, të enjten, më 21 nëntor 2024, gjatë të kremtes së Hyrjes së Hyjlindëses së Tërëshenjtë në Tempull, u bë fronëzimi i Mitropolitit të ri të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Asti.

Në shërbesën e fronëzimit, të cilën e kryesoi Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare të zonës dhe autoritetet lokale: Prefektja e Beratit (znj. Valbona Zuliftari), Prefekti i Vlorës (z. Kristaq Kiço), Kryetari i Bashkisë së Beratit (z. Ervin Demo) dhe Kryetari i Bashkisë së Kuçovës (z. Kreshnik Hajdari), si edhe shumë deputetë.

Pasi Sekretari i Sinodit, atë Grigor Pelushi, lexoi vendimin e Sinodit të Shenjtë për zgjedhjen e Mitropolitit të ri, si pasues i Mitropolitit të ndjerë Ignat, Kryepiskopi Anastas, në fjalimin e tij, theksoi: “Falënderojmë Trininë e Shenjtë për këtë ditë. Që në rininë tënde, ti ke qenë bashkëpunëtori im i ngushtë në shumë fusha: si Kryedhjakon, si Protosingjel dhe si Episkop ndihmës. Kemi ndjekur më kënaqësi përparimin tënd në studimet teologjike dhe kontributin tënd në Kishë. Sot po merr një përgjegjësi më të madhe. Urojmë me gjithë shpirt që vepra jote të jetë vepër besimi, që mundimi yt të jetë mundim dashurie dhe që durimi yt të jetë durim shprese”. Fortlumturia e tij e mbylli fjalimin me uratën: “Atij që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne, atij i qoftë lavdia përmes kishës dhe përmes Krishtit Jisu në të gjitha brezat, në shekuj të shekujve (Efes. 3:20-21).

Në vazhdim, atë Joan Qako, si përfaqësues i klerikëve të Mitropolisë së Hirshme të Beratit, mbajti fjalën e tij përshëndetëse. Më pas, në fjalimin e fronëzimit, Mitropoliti i ri foli për nderin që iu bë dhe për ndjenjën e përulësisë që e shoqëron teksa merr këtë shërbim të rëndësishëm. Ai vlerësoi ndihmesën e Kryepiskopit Anastas për ringritjen e Kishës së Shqipërisë nga rrënojat dhe u zotua se do ta vazhdojë këtë vepër me të njëjtën frymë, duke dhënë ndihmesën e tij në jetën shpirtërore dhe shoqërore të Mitropolisë. Njëkohësisht, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit të Kishës dhe të bashkëpunimit të të gjithë anëtarëve të saj për të përballuar sfidat bashkëkohore. Ai nënvizoi rëndësinë e përkrahjes së të rinjve dhe të mbrojtjes së qytetarëve të pambrojtur. Në fund, u shprehu falënderimet e tij Mbikëqyrësit të deritanishëm të Mitropolisë së Hirshme, Mitropolitit të Apolonisë dhe Fierit, z. Nikolla, si dhe klerikëve dhe laikëve të Mitropolisë për mikpritjen e tyre të ngrohtë, duke u dhënë fjalën se do të jetë pranë tyre si një atë shpirtëror dhe duke i ftuar në lutje dhe bashkëpunim.

Shërbesa e gëzueshme e fronëzimit u mbyll me thirrjen e zjarrtë: “I denjë!” në shqip dhe në greqisht, si edhe me himnin: “Cila Perëndi…”.

 

Nga zyra e shtypit.

Jetëshkrim i shkurtër i Mitropolitit të ri

 

Hirësia e tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Asti (Bakallbashi), lindi në Durrës, në vitin 1974. Ai kreu  studimet teologjike në Seminarin Teologjik Hieratik, në Durrës (1993-1997), në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut (1998-2003), dhe studimet pasuniversitare (master) në Omilitikë në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Selanikut (2010-2012).

U dorëzua dhjakon (gusht 2003), kryedhjakon (i Kryepiskopatës) (nëntor 2006), hieromonak (nëntor 2009), arkimandrit (nëntor 2009) dhe Episkop, si Episkop Titullar i Bylisit (janar 2012).

Nga vitit 2012 ka shërbyer si Episkop Ndihmës i Kryepiskopit dhe nga fillimi i 2018-ës si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.

Krahas veprës liturgjike dhe pimantike, ka shërbyer edhe në disa sektorë të tjerë të Kishës: Në administratën e Kryepiskopatës së Tiranës, si petagog i jashtëm i Akademisë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit, ku ka dhënë lëndën e Liturgjikës (2004-2017) dhe të Omilitikës (2015-2017); ka qenë bashkëpunëtor dhe bashkëdrejtues i Stacionit Radiofonik “Ngjallja” (që nga viti 2005), bashkëdrejtues i Lidhjes Rinore të Mitropolisë së Tiranës (2010-2018) dhe anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (2018 e deri më sot).

Gjatë shërbimit të tij, ai ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në takime të ndryshme ndërorthodhoske dhe ndërkristiane.