Në datën 3 maj 2018, në mjediset e Hotel Rogner International, në Tiranë, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për dialogun midis besimeve: “Shqipëria, një model i harmonisë ndërfetare për Evropën”.
Organizatorët e saj, me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në vendin tonë, ishin Universiteti “Beder”, Kolegji Universitar “Logos” dhe Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në të morën pjesë kryetarët e Komuniteteve Fetare, klerikë, përfaqësues shtetërorë, akademikë, kërkues e teologë nga Shqipëria dhe Evropa etj.
Seanca e parë e Konferencës, që u moderua nga Kryetarja e Komitetit për Kultet, znj. Loreta Aliko, u hap nga Amabsadori i Austrisë, z. Johann Sattler dhe më pas përshëndetën Nunci Apostolik në Shqipëri, Mons. Charles Brown dhe Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro.
Në vazhdim e morën fjalën krerët e Komuniteteve Fetare, duke nisur nga Kryetari i Komunitetit Mysliman, Hirësia e Tij, Skënder Bruçaj dhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili tha se “Gjatë këtyre viteve u përpoqëm të kultivonim respektin e ndërsjellë, reciprocitetin dhe bashkëjetesën harmonike reciproke”… Duke theksuar më tej se “Ne përpiqemi të marrim lëngjet nga rrënjët e shëndetshme të biomës fetare dhe të ndihmojnë në zhvillimin social dhe përparimin e Shqipërisë…”.
Më pas folën Kryegjyshi Bektashian, Haxhi Dede Edmon Brahimaj dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore, z. Ylli Doçi.
Në fund, kryetarët e Komuniteteve Fetare nënshkruan një deklaratë të përbashkët.
Më pas u vazhdua me sesionet e veprimtarisë, ku folën pedagogë nga të tria universitetet, teologë, studiues të huaj etj.