KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
VIZITA ZYRTARE E SHENJTËRISË SË TIJ,
PATRIARKUT TË MOSKËS DHE TË GJITHË RUSIVE, KIRILLIT,
NË KISHËN ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
28-30 prill 2018
Vizitë në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit
dhe në Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”
FJALA
e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit
dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit
Христос Воскресе! Krishti u Ngjall! Χριστός Ανέστη!
Fortlumturia dhe Shenjtëria Juaj, në këtë vend të bekuar kishit rastin të qëndronit për pak kohë, para 15 vitesh, gjatë Asamblesë së Organizmit Botëror të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos”, për shkak të lidhjes suaj të vjetër me këtë organizëm. Që nga ajo kohë, si Mitropolit i Smolenskut dhe Kryetar i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kishës së Rusisë, i njihni shumë nga përpjekjet tona për arsimimin theologjik dhe formimin pimantik të kuadrove të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
Kur mbërrita në Shqipëri si Ekzark Patriarkal i Patriarkanës Ekumenike në vitet 1991-1992, një nga përparësitë e mia bazë ishte përkujdesja e menjëhershme për të ngritur një Seminar Theologjik. Shërbesa ime 20-vjeçare si profesor i Fakultetit Theologjik të Universitetit të Athinës dhe përvoja e punës hierapostolike në Afrikën Lindore, që nisi me themelimin e Seminarit të parë Hieratik në Najrobi, e kishin bërë të pathyeshme bindjen time se kjo Shkollë do të ishte guri i qoshes në rithemelimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kushtet ishin jashtë mase të pafavorshme. Nuk ekzistonin ambiente, nuk kishim para të mjaftueshme, as kuadro të aftë. Shpejtuam të merrnim me qira një hotel të vjetër në bregdetin e Durrësit. Kushtet e jetesës ishin të mjera, ndriçimi i pakët, furnizimi me ujë e ngrohje i mangët. Por, lavdi Perëndisë, kishte shumë zell dhe vendosmëri. Në vitin 1997 u transferuam në këtë vend, ku vetëm gërmadha kishin mbetur nga e kaluara. Çdo gjë që shikoni sot, u ble dhe u ndërtua, me hirin e Perëndisë, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Perëndia nuk reshti së na surprizuari me dashurinë dhe ndërhyrjet e Tij të mahnitshme.
Vëlla i shenjtë, shumë i dashur, është i njohur interesimi Juaj i palëkundur për arsimimin theologjik. Keni qenë profesor dhe Rektor i së famshmes Akademi Theologjike të Leningradit në atë kohë. Nuk ka reshtur asnjëherë pjesëmarrja juaj në mjediset ndërorthodhokse, ndër të krishtera për të ofruar pasurinë e dijeve theologjike dhe të përvojave Tuaja pimantike. Dëgjova me kënaqësi të madhe, gjatë vizitës sonë të fundit në Moskë, theksin e ri që i keni dhënë Arsimimit Theologjik Orthodhoks.
Theologjia Orthodhokse, paralelisht me arritjet e metodave më të reja shkencore, e ka të domosdoshme të marrë pareshtur lëngje nga tradita biblike dhe ajo e Etërve të shenjtë të Kishës, si dhe nga fryma kryqngjallësore e Orthodhoksisë. Parimi i saj themelor është ajo që ka theksuar shën Grigor Theologu: “Dëshiron të bëhesh ndonjëherë theolog dhe i denjë për Hyjninë? Ruaj porositë dhe ec sipas urdhëresave”.
Në shekullin e 21-të, është e qartë se sa e domosdoshme është perihoreza/ndërlidhja reciproke e Theologjisë dhe e veprimtarisë kishtare. Theologjia esenciale, e cila, duke ndjekur pa u lodhur “shenjat e kohërave”, zhvillimet e përgjithshme mbarënjerëzore, ka për të drejtuar dhe për të frymëzuar veprën pimantike e hierapostolike. Ndërkohë, do të përftojë nga përvoja pimantike çështje të reja problematikash e kërkimi tezash të duhura theologjike.
Duke shprehur edhe njëherë ngazëllimin tonë vëllazëror dhe falënderimin e ngrohtë për vizitën Tuaj zyrtare, Fortlumturi dhe Shenjtëri, Patriark i Moskës dhe i gjithë Rusive, z. Kirill, urojmë të ecni me qëndrueshmëri, me frymëzimin e vazhdueshëm që buron nga referimi i emrit Tuaj “Kirill”, me perspektivën e tij theologjike dhe me frymën e tij ekumenike, që jeta dhe veprat Tuaja të vulosen gjithmonë nga Hirii i Perëndisë dhe të ndriçohen nga Drita Paskale.
Χριστός Ανέστη! Krishti u Ngjall! Христос Воскресе!